Kulturë

Zana e operës shqiptare

????????????????????????????????????

Foto: Arben Llapashtica

Rritur me dashurinë për muzikën, Zana Abazi Ramadani, sopranoja jonë e mirënjohur, hapat e para i hodhi pikërisht në qytetin e Mitrovicës, ku studio për piano në shkollën e muzikës “Tefta Tashko”, për të vazhduar më tej edhe të mesmen në muzikë. Parisi do të bëhej shtëpia e dytë ku do të ndiqte konservatorizmin e Etampit,  ku përpos që kishte  aktivitete si pianiste, u angazhua edhe si soliste në korin e Etampit. Pas rikthimit në Kosovë do të përfundonte degën e Solo-këndimit, ndërsa do të merrte pjesë në  koncerte të ndryshme. Në atë periudhë pati fatin të bashkëpunonte me organizatën “Muzicientët pa kufi” nga Holanda, nëpërmjet të cilëve fitoi edhe një bursë për të vazhduar më tej studimet, ndërsa do të mbante koncerte në qytetin e Holandës, ku ndër vite   u trajnua për këndimin klasik si dhe atë Pop/Rock. Pasi mbaroi edhe studimet e nivelit Master në degën e solo-këndimit në Universitetin e  Shkupit, ka marrë pjesë në koncerte të ndryshme në Evropë. Sot ajo është një emër shumë i rëndësishëm i operës shqiptare, një artiste, e cila ka nisur mbarë, suksesshëm dhe me shumë përkushtim rrugën e gjatë të artit.

Si u bë opera, muzika lirike pjesë e jetës suaj?

Në vitin 2000, gjatë qëndrimit tim në Francë, pata rastin të takohem me divën shqiptare sopranon znj. Inva Mula. Ajo më dëgjoi duke kënduar dhe më tha që kisha një zë të bukur, dhe besoj që nga ky moment fillova të mendoj për këndimin. Më pas, regjistrimi im në degën e solo-këndimit ndikoi që unë të filloj të përgatitem dhe t’i ofrohem edhe më tutje operës meqë programi i degës se solo-këndimit është i lidhur ngushtë me repertorin operistik, respektivisht me ariet. Vitin e kaluar gjithashtu pata fatin që të ndjek ciklin e masterkurseve të udhëhequra gjithashtu nga një super yll botëror në rrafshin operistik, nga soprano znj. Ermonela Jaho. Këto masterkurse ndikuan pozitivisht ne avancimin tim të mëtutjeshëm si solo-këngëtare. Konkretisht në koncertin përmbyllës të këtij cikli të masterkurseve më dëgjuan edhe menaxhmenti i “Teatrit të Operës dhe Baletit” të Tiranës, pas të cilit koncert edhe më ftuan që të debutoj me rolin tim të parë në operë.

Cilat janë disa nga interpretimet apo rolet që kanë bërë kthesën në karrierën tuaj dhe pse?

Roli i Xhildes nga opera “Rigoletto”, është roli me të cilin u lidha mjaftë. Me këtë rol performova në“Teatrin e Operës dhe Baletit” në Tiranë dhe më pas me po të njëjtin rol u paraqita edhe në “Operën dhe Baletin e Maqedonisë” në Shkup, i cili u mbajt në kuadër të festivalit operistik prestigjioz ndërkombëtar “Mbrëmjet Operistike të Majit”, edicioni 44, ku pata fatin të isha shqiptarja e dytë që interpretoi në këtë festival që nga hapja e tij pas Znj. Inva Mula. Këto dy prezantime të mia me këtë rol u komentuan nga kritika shumë pozitivisht sikurse për interpretimin tim muzikor poashtu edhe për atë skenik. “Ishte Xhilda e vërtetë”, ishte një nga komentet dhe shkrimet e shumta që shkruan për këtë rol. Secila përvojë muzikore që kam pasur qoftë e vogël apo e madhe, besoj kanë ndikuar në zhvillimin tim si artiste, do të përmend vetëm disa nga ato sidomos të kohëve të fundit: koncerti recital në festivalin “Vera e Shkupit”, koncerti recital në kuadër të festivalit DAM si dhe koncerti i fundit i cili u mbajt në kuadër të festivalit CHOPIN PIANO FEST.

 Cili është repertori i preferuar për ju?

Nuk do të mund të veçoja diçka në veçanti, të gjitha stilet kane bukuritë dhe veçoritë e tyre duke filluar nga renesanca e deri te muzika moderne. Por megjithatë në përgjithësi më dominant është repertori operistik.

 Sa është e vështirë për ju për të realizuar ambiciet, dëshirat në Kosovë?

Është shumë e vështirë për ta aplikuar dhe ushtruar profesionin e solo-këndimit për shkak të shumë faktorëve. Pikësëpari, parakushti i parë që mundëson aplikimin e profesionit tonë, e që do të ishte shtëpia operistike, edhe më tutje nuk ekziston. Gjithashtu, mungesa e sallave të përshtatshme dhe adekuate për koncertime të muzikës artistike e vështirësojnë edhe më shumë skenën tone artistike muzikore. Prapë se prapë, ne kemi një skene artistike relativisht aktive duke ju falënderuar disa festivaleve që po japin maksimumin e tyre përballë kushteve dhe përkrahjes shumë të vogël nga institucionet përkatëse. Për shkak të rrethanave dhe mungesës së shtëpisë operistike, shumica e solo-këngëtareve synojnë që të dalin jashtë shtetit nëpër skena të ndryshme të vendeve të ndryshme botërore.

 Cili është reflektimi apo mendimi juaj për botën e operës sot?

Opera si formë e artit muzikor, sikurse edhe fushat tjera, përgjatë viteve është zhvilluar edhe më tutje. Është një nga format me te vështira dhe komplekse artistike meqë përbrenda vetvetes ngërthen mjaftë elemente si muzikën, aktrimin, baletin, kostumografin, skenografinë etj. Në vendin tonë ka shumë talente dhe zëra të bukur, kjo po dëshmohet edhe me vet prezencën tonë të madhe nëpër skenat botërore. Kjo tokë me këtë lloj historie i ka dhënë një zë karakteristik kaq të veçantë tingullit të zërave shqiptarë. Prandaj shpresojmë që së shpejti edhe tek ne do të kemi një shtëpi operistike ku do të mund të vendoset opera, kjo formë muzikore mjaftë e rëndësishme për kulturën muzikore të një vendi.

 

admin

Artikujt e tjetrë