Kulturë

Tingujt e jetës time

Shpend Hysaj nuk është emër i ri në skenë tonë të muzikës. 29 vjeçari që ka qenë pjesëmarrës në shoun e talentëve The Voice, me muzikën thuajse ka lindur. Ka përfunduar shkollën e ulët të muzikës për piano dhe në vitin 2004 ka nisur të performojë me bendin e tij të parë Today’s Band.Ndërsa ka qenë pjesëmarrës edhe tek shou i dikurshëm i talenteve Ethet e së Premtes Mbrëma, pastaj në Top Fest 8 dhe top Fest 9. Shpendi më vonë ka vijuar në kërkim të një grupi dhe stili tjetër, që do të përfaqësonin në një farë mënyre identitetin e tij artistik.

Në vitin 2009 ka qenë frontman i grupit Ice Scream dhe H3 me të cilët u prezantua në Top Fest, ndërsa pas një pauze disa vjeçare ai e pa si platform,ën më të mirë për rikthim, pikërisht skenën e The Voice of Albania, nga i cili kanë dalë emra të talentuar të muzikës shqiptare sot. Shpendi përveç studimeve është edhe aktivist politik në Lëvizjen Vetëvendosje, mirëpo muzika është ajo që zë një vend të veçantë në jetën e tij.

“Muzikën e kam ndjerë në fillim tek rritesha në shkollën fillore. Qysh në klasën e 3-të, regjistrova shkollën e ultë të muzikës, dega piano duke vijuar me muzikën në evente dhe pjesëmarrje të ndryshme. Pas një pauze rreth 6 vjeçare, dhe largimit nga skena shqiptare, The Voice dukej si mënyra e duhur për tu rikthyer tek fansat, që kishim fituar ndër vite. The Voice është pa dyshim talent shou më i shikuar në histori, e edhe The Voice of Albania është njëri nga promotorët më të rëndësishëm të talenteve të rinj dhe të atyre, që duan të rikthehen pranë teleshikuesit shqiptar.”
Të arrish një stil dhe identitet shpesh herë konsiderohet si element shumë i rëndësishëm për një artist. Ndërsa për Shpendin ndërtimi i identitetit dhe stilit është i një rëndësi fondamentale për artistët. “Përçimi i një mesazhi apo emocioni në një mënyrë sa më estetike dhe të ndjeshme tek publiku, gradualisht merr formë dhe fillon të të dallojë nga artistët e tjerë. Ky është edhe qëllimi i çdo muzicienti, që të krijojë frymën dhe stilin e tij. Mjafton që ta dëgjosh në radio, e njeh dhe bashkndjenë me artistin.”
Ndërsa pikat e referencës, këngëtarët e emra të njohur të artit janë gjithnjë aty për të ndikuar dhe për të nxitur artistët që të krijojnë dhe të ecin tutje në rrugën tyre të artit. Shpendi thotë se është një numër i madh i tërë atyre emrave që kanë formësuar në një farë mënyrë këndvështrimin e tij për muzikën dhe kanë luajtur rol të rëndësishëm në zgjedhjen e mënyrës së duhur.
“Gjatë këtyre viteve ndërtimi, pjesë të rëndësishme kanë pasur jo 1, 2 apo 10 artistë. Një numër i konsiderueshëm i këngëtarëve dhe kantautorëve pa diskutim se kanë ndikuar edhe në formimin tim. Mirëpo nëse diçka apo dikush me të vërtetë është pika e referencës për mua, mbetet i madhi Sting me kryeveprat e tij dhe Stevie Wonder.”

admin

Artikujt e tjetrë