Intervista

Të shohësh shoqërinë me sytë tanë

Arritjet e tij, në shkollë, në art dhe në jetë tregojnë se pas tyre qëndron një besim i fortë, vullnet i hekurt dhe shumë dashuri për të ardhmen. Sigurisht që nuk e ka të lehtë, pa mbështetjen e pafundme të familjes, motrave, të cilat janë gjithmonë aty në krah, jo thjeshtë sytë e tij për ta ndihmuar të ecë, por pjesë e rëndësishme e sfidave dhe sukseseve.  

Këmbëngulja e tij për të qenë pjesë aktive, për të vazhduar përpara jetën e tij nuk e pengon as verbëria. Betim Bregovina është një histori, e cila ndërthur sfida, paragjykime, forcë dhe dëshirë për të ndërtuar jetën ashtu siç bën çdo qytetar i shoqërisë sonë. Imagjinoni vetëm një moment në këtë periudhë tranzitore, që është vendi ynë, sa e pamundur na duket për të vazhduar shkollën që dëshirojmë, për të gjetur një punë apo për të përballuar në përgjithësi jetën, e për një person si Betimi, të gjitha këto vështirësi dyfishohen.

“Kam lindur në fshatin Mazgit, komuna e Obiliqit ku edhe jetoi, filloren e kam përfunduar në shkollën e fshatit dhe si fëmijë me shikim të dëmtuar, fëmija i parë në atë shkollë, mund të them se nga shokët dhe shoqet e klasës nuk jam pritur keq, nuk kam pasur asnjëherë ofendime ose fjalë fyese prej tyre, siç ndodh zakonisht”- tregon Betimi.  Para njëzetë vitesh bëri përpjekjen e parë për të kuruar sytë, operacioni u realizua në Moskë, por nuk do t’ia kthente shikimin, madje gjysmë vjetorin e parë të klasës së pestë nuk do ta vazhdonte nga frika e prindërve mos lëndohej pasi ishte tre km larg shtëpisë.  Më pas një tjetër kalvar operacionesh, i dyti do të realizohej po në Moskë ndërsa pas luftës i është dashur të ndërpresë mësimin në Obiliq për të filluar në shkollën speciale për të verbër “ Dr Xheladin Deda” në Pejë, ku përfundoi edhe shkollën e mesme të lartë. “Në fakt aty nisa të isha aktiv sa i përket edhe pjesës së artit, në fillim të klasës së nëntë për nder të javës “Njeriu me shkop të bardh”,  kam pasur një ekspozitë dy ditore me pikturë dhe skulpturë, e cila u hapë në Prishtinë dhe Pejë.

Diku nga fundi i shkollës fillore, pra në klasën e nëntë, botova edhe librin tim të  parë me poezi titulluar “Mall i murosur”, 2004 ,ndërsa gjatë shkollës së mesme katër vjeçare, klasa 10-13, kam botuar edhe tri libra me poezi librin “Engjull i dashurisë” 2005 ,”Thirrje për dashuri  bashkautorësi”, 2007,”Flas me heshtjen”2008 dhe “Lotët e kohës sime” 2015. Pasi përfundova shkollën e mesme të mjekësisë, drejtimi fizioterapi, u regjistrova në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filozofik, Departamenti Psikologji e përgjithshme. Ndërsa nga fundi i vitit të kaluar punojë vullnetarisht në një OJQ “ Qendra rinore Obiliq” asistent me kontratë 1 vjeçare.  Tashmë janë bërë më shumë se gjashtë muaj që jam master i diplomuar Psikologji shkollore dhe këshillim. Përveç qendrës rinore jam anëtar i shoqatës ndërkomunale të të verbërve Prishtinë dhe anëtar i shoqatës së shkrimtarëve “Fahri Fazliu” Obiliq.”- shprehet Betimi.

Pas gjithë këtyre arritjeve të tij, në shkollë, në art dhe në jetë qëndron një besim i fortë, vullnet i hekurt dhe shumë dashuri për të ardhmen.

Sigurisht që nuk e ka të lehtë, pa mbështetjen e pafundme të familjes, motrave, të cilat janë gjithmonë aty krah tij, jo thjeshtë sytë e tij për ta ndihmuar të ecë, por pjesë e rëndësishme e sfidave dhe arritjeve të tij personale. “Vështirësitë janë bukur të theksuara për arsye se jetojmë në një vend ose shtet të pa zhvilluar dhe të pa emancipuar, ku mungon pothuajse çdo gjë sa i përket infrastrukturës, shkollimit të përshtatshëm deri diku, mungesës pothuajse totale të punësimit dhe mos funksionimi i rendit juridik dhe shoqëror.”- tregon Betimi duke shtuar se shoqëria jonë nuk është ende e gatshme, e pjekur për t’i pranuar njerëzit me aftësi të kufizuar.

Një shoqëri, e cila ende nuk e di rolin dhe fuqinë që ka për ta bërë vendin ku jetojmë më të mirë, dhe se mbi të gjitha, duhet ta nisim nga respekti dhe mbështetja që ju japim njerëzve me aftësi të kufizuar, vendin që u lëmë në jetën tonë. Sepse përtej mungesës së shikimit, dëgjimit apo një personi që nuk flet apo ecën qëndrojnë mijëra dëshira dhe ambicie për jetën. “Dëshirat e mia janë që të bëhem ligjërues motivues për personat me nevoja të veçanta dhe për të gjithë njerëzit në Kosovë ndoshta edhe në botë. Të themeloj një galeri apo muze privat. Të zë një vend në librin e rekordeve “Ginis”. Të jem jashtëzakonisht i pasur për tu ndihmuar gjatë gjithë jetës njerëzve që kanë nevojë.”- thotë ai. Megjithatë barrierat në Kosovë janë ende të shumta për të synuar realizimin e këtyre dëshirave, disa janë psikologjike dhe disa teknike, disa janë në mendjen tonë dhe të tjerat te paaftësia e institucioneve shtetërore për të përmbushur misionin e tyre që t kemi një integrim të personave me aftësi të kufizuar në shoqërinë tonë.

“Janë zbutja e paragjykimeve, kujdesi gjatë ndërtimit ose renovimit të infrastrukturës publike dhe private, përfshirja e personave me nevoja të veçanta në punësim dhe eliminimi i përjashtimit të pjesërishëm social sidomos në aspektin e punësimit dhe zgjedhjes së profesionit. Ofrimi i kushteve të përshtatshme që nga çerdhja deri në universitet, jo vetëm në infrastrukturën fizike të objekteve, por edhe atë shkollore, profesionale, akademike. Për fëmijët, nxënësit dhe në përgjithësi nxënësit me nevoja të veçanta.”- përfundon Betimi.

admin

Artikujt e tjetrë