Shëndet

Të buzëqeshim shëndetshëm

hana

Përkujdesja për dhëmbët duhet të bëhet një shprehi që nga fëmijëria, stomatologia Hana Naka, më Flatra për problemet e shpeshta të dhëmbëve, shmangien e tyre dhe kujdesin që duhet të kemi.

Cilat janë problemet më të shpeshta që i hasni te pacientët tuaj? 

Dhëmbi i parë te fëmijët del qysh në moshën 6-të muajsh dhe dalja e tyre përfundon në moshën 3 vjeçare kur në gojën ndodhen gjithsej 20 dhëmbë të qumështit,  të cilët pastaj nga mosha 6-të vjeçare fillojnë te zëvendësohen (ndërrohen) me dhëmbë të përhershëm.

Fëmija falë dhëmbëve të qumështit mëson se si ta përtypë dhe gëlltitë ushqimin poashtu dhëmbët luajnë një rol të  rëndësishëm edhe në fonacion dmth në të folur.  Për këtë arsye prishja e hershme e dhëmbëve, ekstrakisonet (nxjerrja) e parakohshme apo e hershme e dhëmbëve të qumështit, çon deri te lëvizja e dhëmbëve të përhershme po ashtu edhe deri tek zhvillimi jo i drejtë i nofullës. Në kliniken tonë, në Dental-v, hasim probleme të natyrave të ndryshme prej atyre më të thjeshta siç është kariesi e deri tek abceset,  frakturat e dhëmbëve që janë mjaftë të shpeshta tek fëmijët, anomalitë në formë të dhëmbëve, anomalit e pozitës së dhëmbëve. Në praktikën e përditshme dominojnë pacientët fëmijë, të cilët drejtohen tek ne me shqetësimin kryesor dhimbjen dhe aromën jo të këndshme nga goja që vjen si pasojë e dhëmbëve të prishur dhe rrënjëve gangrenoze.

 Për t’i shmangur këto probleme, çfarë duhet të bëjmë? 

Parandalimi i vërtetë realizohet që në fëmijëri.  Në kontekst është e rëndësishme që fëmijët t’i nënshtrohen kontrolleve të rregullta gjatë rritjes dhe zhvillimit të tyre. Higjiena e mirë orale largon bakteret dhe grimcat e ushqimit të mbetur nëpër dhëmbë, faktorë që të kombinuar bashkërisht shkaktojnë kariesin.

Për foshnjat të përdoren gazrat e njomura në mënyrë që të pastrohen mishrat e dhëmbëve dhe dhëmbët. Të evitohet vendosja në gjumë e fëmijëve me biberon, i cili është i mbushur me qumësht dhe lëngje të sheqerosura. Fëmijët e rritur duhet t’i lajnë dhëmbët e tyre më së paku dy herë në ditë. Vizita tek dentisti duhet të fillohet qysh nga viti i parë i lindjes në mënyrë që fëmija të  mësohet me ambientin dhe të adaptohet. Vizitat e rregullta do t’i mundësojnë fëmijës që të këtë një shëndet më të mirë oral për gjithë jetën.

Parandalimi duket se është kura më e mirë, sa kujdesemi ne për dhëmbët? 

Thamë se shkaktaret kryesore të problemeve në gojë dhe dhëmbë janë: higjiena e dobët orale dhe ushqimi i pasur me sheqerna. Fatkeqësisht konstatohet se njerëzit i nënvlerësojnë këto aspekte gjatë jetës së tyre të përditshme. Ndoshta kjo ndodhë për shkak të nxitimit për në shkolle, për në punë apo përditshmëria e ngarkuar, por mund të ndodhë edhe për arsye të mos njohjes apo mos dijes se cfarë veprimi negativ mundet të ketë në shëndetin e dhëmbëve mos kujdesi.

Për më tepër, përgjegjësia e çdo personi të rritur është kur kontrolli periodik tek stomatologu mungon. Duhet po ashtu të theksoj që kujdesi ndaj shëndetit oral është kujdesi që mësohet së pari në familjet tona, duke u përcjellë nga prindi tek fëmija.

Sa u përket fëmijëve, cilat janë këshillat tuaja që ata të kenë dhëmbë të shëndoshë? 

Është mirë  të fillohet me zakone të shëndetshme orale para se dhëmbët të dalin. Prindërit dhe ata që kujdesen për fëmijët shpesh ndajnë lugën, pirunin ose mjetet e tjera të ngrënies me fëmijën. Pështyma që lihet tek ato përmban bakterie dhe mund të shkaktojë prishje të dhëmbëve.

Mos e vini në gjumë fëmijën me biberon të mbushur me qumësht apo me lëngje që përmbajnë sheqer. Sheqeri dhe acidet  që përmbajnë këto lëngje shkaktojnë prishje të dhëmbëve. Nxiteni fëmijën tuaj të fillojë të pijë nga një filxhan në moshën 4-6 muajsh.

Fëmija duhet të marrë ushqim të pasur që të ketë mishra të shëndetshme,  të zhvillojë dhëmbë të fortë në mënyrë që të evitohet prishja e tyre (drithëra, fruta dhe perime). Një mënyrë e mirë për prindërit është që fëmijët e tyre në mëngjes t’i lënë vete ata që t’i pastrojnë dhëmbët pastaj në mbrëmje vete prindërit tu pastrojnë dhëmbët fëmijëve të tyre. Dhe në fund fëmija juaj duhet të vizitohet tek dentisti së paku çdo 6 muaj që t’i bëhet fluorizimi i dhëmbëve. Me daljen e dhëmbëve të përhershëm preferohet që të bëhet vulosja e fisurave me silante në mënyrë që të ruhen nga prishja.

admin

Artikujt e tjetrë