Letërsi

Realiteti shpirtëror në vargje

IMG_20170412_225729_010

“Poetët janë të mallkuar … por shohin me sytë e engjëjve”, ka thënë poeti i famshëm Allen Ginsberg. Ndërsa James Baldwin i ka konsideruar ata si revolucionarë në artikulimin e domosdoshmërisë dhe nevojës. Kushtrim Thaqi është një nga zërat e ri të poezisë, i cili na ka bërë për vete që në vargjet e para. Ai e konsideron poezinë si shprehje të identitetit dhe një nevojë që ta shohim reflektimin tonë edhe në letër dhe në fytyrat e të tjerëve, që takojmë çdo ditë. Kur e pyesim se çfarë e ngacmon atë të shkruaj poezi, poeti i ri thotë se është monotonia e shkaktuar nga përsëritja e gjërave, ajo rutina që na shoqëron përherë.  

“Orari i gjatë i punës, monotonia e shkaktume nga përsëritja e gjanave, mendimet e njajta që silleshin përreth meje e dilnin prej gojëve t’ndryshme, si dhe takimi me një poezi të W.B.Yeats, do t’thoja që ishin arsyet se pse kam fillu me shkru. Nuk asht që kam ndonji lidhje emocionale me poezitë e shkrume nga unë në t’kalumen, se në atë kohë kam qenë person tjetër, e poezia e shkrume prej atij personi ka qenë tjetër.  Tash jam person tjetër, dhe poezia që e shkruj asht tjetër.  Në t’ardhmen besoj që kam me qenë person tjetër, e nëse ai person i së ardhmes vendosë me vazhdu me shkru, poezia e asaj kohe ka me qenë tjetër. Kështu që nuk kam ndonjë lidhje emocionale me ato, që i kam shkru në t’kalumen, e as me ato që ndoshta do t’i shkruj në të ardhmen, sepse ato i takojnë një tjetri ‘unë’.”

Poetët gjithnjë na kanë frymëzuar dhe na kanë bërë të reflektojmë mbi shumë çështje, duke u munduar që t’i japin një kuptim botës që na rrethon. Edhe në rastin e Kushtrimit ndjehemi njëlloj. “Poezinë e konsideroj do t’kisha me thanë si shprehje identiteti.  Si nevojë për me e pa reflekimtin tand në diçka tjetër përveç se në pasqyrë: Në letër, në ekran të kompjuterit, në fytyra të njerëzve kur i takon, në ramjen e gjetheve, në ngritjet dhe uljet e detit, në lëvizjet e gjithçkajes që e përbanë këtë që asht/ ekzistencën tonë.  Diferencimi m’duket egoizëm fëmjënor, “Unë kam çka ti nuk ke. Unë po rri këtu, ti rri atje.”, kështu që besoj që t’gjithë duhemi me u drejtu nga shprehja e plotë e identitetit tonë, pa frikë nga mospranimi, plotësisht të hapur, me t’vetmin qëllim që t’i japim kuptim dhe ta njohim botën përreth nesh, nëpërmjet njërit tjetrit.”-shprehet Kushtrimi, i cili e nënvizon faktin se njerëzit janë gjithmonë ajo temë apo çështje që e nxisin dhe bëhen pjesë e shkrimeve të tij.
“Njerëzit. Gjithmonë kanë qenë njerëzit. Në çdo poezi timen, nuk ka randësi se si mundet ajo me u duk, gjithmonë mbrapa saj janë njerëzit. Natyra jonë kontradiktore. Mënyra si lëvizim, si flasim, dëshirat tona, mendimet tona, mënyra si duam, si nënshtrojmë, si nënshtrohemi, si dëshirojmë dhe luftojmë që e vërteta të cilën e kemi zgjedhur ne, të njihet dhe të jetë e Vërteta Universale. Dhe koha.  Ky iluzion, aq i fuqishëm sa që kur t’kalon pranë, mundesh me ia ndjeh prekjen.”
Ai ndër të tjera thotë se procesi i të shkruarit është diçka interesante pasi çdo herë përfundon duke thënë se kjo është poezia e duhur, e sërish nesër zgjohesh një person tjetër, me një ndjesi të re.  “Nuk e di. Ndonjëherë të duket që ke arrit me e ba atë gjë, herën tjetër të duket që nuk mundesh me shiku përtej mishit tand. Asht intersant procesi i shkrimit, sot bie n’gjum duke thanë, ‘Kjo ke! Kjo ke gjithçka që kam kërku me arrit ndonjëherë, kjo poezi.’, e nesër zgjohesh si person i ri, e ajo që e ke përjetu dje humb diku në kujtesë sikur mos me pas ekzistu kurrë. Ti ndryshon, rilindesh, e poezia ndryshon e rilindet bashkë me ty.  Kështu që, tentim me shprehë gjithçka që ti si person e posedon, asht i pamundshëm. Në momentin që e lexon shkrimin tand të fundit, ti e vëren sa larg është ai shkrim prej asaj që asht dashtë me u kanë.”

Poezia e Kushtrimit është një mënyrë e përjetimit të realitetit e njëkohësisht një pikënisje. Buron nga realiteti e njëkohësisht përpiqet ta ndryshojë atë. Ai thotë se poezia e tij i ka rrënjët në realitet, ndërsa degët diku larg. “Ndonjëherë, tu u kap nëpër degë, e ka aftësinë me pa se ku gjendet kjo lart, herave tjera futet aq thellë në tokë, sa t’vetmen gja që mund me e nuhat asht balta.”

admin

Artikujt e tjetrë