Letërsi

Poezia është ritëm lirie

Sibel Halimi foto 2

Sibel Halimi, është poete, ligjëruese e sociologjisë dhe e studimeve gjinore në Filozofi. Në këtë intervistë ajo flet për poezinë e saj ,që prekë temat të cilat e trishtojnë njeriun, e mbajnë në ankth. Për poezinë në parim si ngarendje pas lirisë, ngase sipas saj është vargu aty ku autori ndihet vetja, ku përplotësohet uni dhe ku dëshmohet liria individuale. Halimi thotë se në çdo variant, poezia dhe shkruesi do të mbijetojnë, pavarësisht sfidimit nga era e teknologjisë.

Çfarë është poezia për ju?

Nuk mund të konceptohet poezia ekskluzivisht vetëm nëpërmjet vargut. Ajo para se gjithash është një gjendje, refleksion, ndjesi për atë që shihet apo është fluide, për të arritshmen, apo të pretenduarën dhe për të dëshirueshmen apo të dashuruarën. Në secilin kombinim, poezia është revoltë, indinjatë, ndaj si e tillë nuk e përmbushë veten vetëm në aspektin metrik. Ajo është shëmbëllim i vetvetes, katarsis për atë që s`e ke, për atë që e do dhe për atë që mbase mund të mos jetë e arritshme kurrë. Kjo është esenca. Poezia është pra, projeksion, ajo pa të cilën s`bën dhe e cila kuptimin e vetë sipëror e arrin atëherë kur ndodh çlirimi, kur thjesht e ndjenë kapërcimin nga një gjendje në tjetrën. Ky shtrëngim është poezia. Ndaj poezia në parim është ngarendja pas lirisë, ngase është vargu aty ku autori ndihet vetja, ku përplotësohet uni dhe ku dëshmohet se liria individuale është mbi të gjitha. Ajo, pra është poezia!

Cilat janë disa nga çështjet që ju pëlqen të trajtoni në poezitë tuaj?

Nuk ka një prerje cezariane në tematikën e poezive. Por, megjithatë në poezinë time preken temat që e trishtojnë njeriun, e mbajnë në ankth. Vdekja, religjioni, zoti, jeta, dashuria dhe gruaja janë forcat që ndryshojnë botën dhe duke qenë të tilla edhe kontrollohen nëpërmjet dogmës dhe formacioneve të ndryshme shoqërore. Dua që poezia të jetë ritëm lirie. Megjithatë, është momenti që përcakton subjektin e poezisë. E përmenda më sipër, e para është liria, ekzistencializmi dhe projeksioni për të dëshirueshmen. Pra, transformimi si një nevojë imediate e shoqërisë sonë, të plandosur nga atmosfera e nderë në shumë aspekte. Poezia është gjithçka që ka të bëj me ne, ndaj temat përkasin me këtë përkufizim. Zakonisht më shkon ndoresh t`i vargëzoj fatet e të shkelurve, atyre në margjina, fenomene që rëndojnë mbi ne dhe që shpërfaqin elementin e shoqërisë primitive e tradicionale dhe  e cila ka një kosto relativisht të lartë, posaçërisht për gratë.

Ju jeni grua, nënë dhe sociologe. Si ndërthuren këto elemente në pozitën tuaj?

Gruaja fillimisht është vetja e konceptuar si liri dhe vetëdije për të, derisa profesioni dhe të qenët nënë është pozitë dhe rol social. Derisa, ne nuk arrijmë që gruan të mos e konceptojmë përtej rolit social të përcaktuar nga shoqëria, ne nuk kemi arritur që të çlirojmë atë e rrjedhimisht ta njohim atë si subjekt. Prandaj, nuk është i rastësishëm edhe ngatërrimi i Ditës Ndërkombëtare të Gruas-8 Marsit, me Ditën e Nënës. Ky gabim që ndërkohë ka marrë konotacion ngatërrimi është shtresuar, ndaj prej vjetësh mesazhi në këtë ditë të grave i adresohet nënave.

Por, ky gabim rezulton të jetë bërë nga vetëdija, respektivisht nga mendësia e shoqërisë, e cila në përpjekje për ta njohur subjektin grua vë një paravan të veçantë, atë të nënës. Në këtë mënyrë, “amësia” e ka përcaktuar atë si personin e ngarkuar me kryerjen e një sërë funksionesh sociale, të cilat shkrihen në një shprehje të vetme. Prandaj, koncepti “nënë”, kërkon një rikonceptim, me të cilin vihen në pikëpyetje skemat konvencionale diskursive.

Qenia tek poezia si personifikim i lirisë?

Qenia e pavërtetë e konceptuar nga Martin Heidegger i takon turmës, ndërsa qenia e vërtetë vetes. Problemet filozofike, të cilat trajtohen nëpërmjet poezisë i kontribuojnë projeksionit tim për njeriun kosovar si qenie të vërtetë, e cila duhet t’i takoj vetes, por jo turmës. Revolta e çdoditshme që lidhet me kontekstin social dhe politik, e shpien njeriun drejt turmës padashje, ndaj rrjedhimisht qenien e shndërron në të pastrehë. Prandaj, qenia edhe përkundër kushteve të pafavorshme mbetet detyrë kryesore e mendimit kritik (pa dashur ta përmend nocionin e intelektualit). Ajo synon ta kthej individin nga ‘tjetri’ në ‘vete’. Qenia jam unë dhe të gjithë ata, që bëjnë përpjekje për të parë dhe konceptuar botën sipas vetes, edhe përkundër krizës ekzistenciale, siç shprehet Heidegger “në botë ata e ndjejnë veten ngushtë, jo si në shtëpinë e vet”. Për këtë shkak, edhe libri im “Qenia nuk banon këtu” përpiqet që të tregojë se qenia kosovare nuk banon këtu, sepse e irrituar dhe në pamundësi për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve që kanë të bëjnë me të dhe jetën, mbetet e heshtur, e izoluar apo e inkuadruar në mendësinë e turmës dhe nomenklaturës aktuale politike, e cila po e ‘sundon’ lirinë tonë. Rrjedhimisht, Qenia është personifikim i mendimit dhe lirisë, së cilës në Kosovë nuk i ofrohet strehë, prandaj ajo s’banon këtu!

Sipas jush në këtë epokë të teknologjisë, cili është roli i poetëve, poezisë?

Në këtë ekspansion teknologjik, sigurisht që poetët nuk është se kanë ndonjë rol të veçantë. Por, vetëm është rikonceptuar roli në relacion me zhvillimet aktuale. Më nuk është poeti, ai i paarritshmi, i panjohuri apo i paprekshmi. Sot i mundshëm është takimi apo komunikimi virtual. Në shikim të parë duket sikur po margjinalizohen tërësisht, ngase zhvillimi i portaleve informative, apo platformave të ndryshme sociale, e ka orientuar njeriun drejt prirjes së konsumimit të informatave triviale për përditshmërinë, ku në një masë të madhe dominon sfera e shoubizit. Megjithatë, është ndjenjë afatshkurtër, sepse në fakt ky transformim teknologjik nuk do të rresht. Do të vazhdojë në forma të tjera. Nuk do të ndodh përmbysja kur sms-ët, statuset apo cicërimat në tuiter, pavarësisht popullaritetit ta cenojnë poezinë apo autorin. Të dyja korrespondojnë me zhvillimet e gjithëmbarshme teknologjike. Në çdo variant, poezia dhe shkruesi do të mbijetojnë. Në letër, apo në versionin digjital, kjo është çështja.

 

 

Makth lirie

 I vogël ky qytet

Me e dashunu fort

Gjethet mbajnë vesh

E toka qohet peshë

Nata kurrë mburojë

E dita e frikshme tmerr

Qyteti i trishtuem n`palcë

Plumbat vetëm gëzhoja

E njerëzit të dekun t`gjallë

N`heshtje e hanë me sy njani-tjetrin

Uni kadal i vret tetanë

Me mijëra riosh shtiren veteranë

Pa lavdi s`jetohet n`kto anë

E kaluemja shpresë, e tashmja pezm

Si dikur t`strukun kur lunim me letra

E ngojshim lajme në shqip veç dy orë

Pa mujt me e gjet përgjigjen

Se qekjo liri sa vjen e ma e randë po bahet

Tuten hala po e ndijmë si me kane dje

Nji llaf me nrru s`ki me kand

Tetanë me vrull dikah po majnë

Prej tutës s`lirisë ditët makth janë ba

Nesër jo ditë e re, veç numra

 

 

 

admin

Artikujt e tjetrë