Letërsi

Për ata që dikur ishin fëmijë

IMG_0799

Shkrimtarja për fëmijë, Kismete Hyseni, në këtë intervistë na sjellë një botë tjetër nga se jemi mësuar, na rrëmben me gjuhën e ëmbël dhe të butë prej tregimtareje, duke na prezantuar një univers krejtësisht tjetër, për të cilin kemi nevojë aq shumë.

“Asaj i shfaqa krejt dashurinë e botës që ndjeja për të, i thash se solli dritë dhe bukuri ne jetën time. I thash se do ta dua gjithnjë, pa u ndalë dhe se krejt ditët e mia asaj ja kam falë. Kur ajo më buzëqeshi, e kuptova se me të mund të flas shtruar për  gjithçka që më preokupon, madje ajo mund të më dëgjojë kur i flas edhe për çështje të mëdha”, kështu e nis rrëfimin, autorja e librit për fëmijë “Erika”, znj. Kismete Hyseni, një libër i frymëzuar nga mbesa e saj, sipas të cilës edhe e pagëzoi librin. Ndërsa libri tjetër “Hana në Karrocën e saj ( Hana in her whellchair “, është botuar në Nju Jork dhe është përkthyer në më shumë se 22 gjuhë të ndryshme si dhe përdoret si libër pune dhe lekturë shkollore në disa shtete të Evropës. Autorja në këtë intervistë na sjellë një botë tjetër nga se jemi mësuar, na rrëmben me gjuhën e ëmbël dhe të butë prej tregimtareje, duke na prezantuar një univers krejtësisht tjetër, atë të fëmijëve për të cilin kemi nevojë aq shumë.

Sapo keni publikuar librin për fëmijë “Erika” na flisni pak rreth asaj se çfarë përmban ky libër?

Eriken e fillova si  nje bisedë fare të shkurtër me mbesën time. Asaj i shfaqa krejt dashurinë e botës që ndjeja për të, i thash se solli dritë dhe bukuri ne jetën time. I thash se do ta dua gjithnjë, pa u ndalë dhe se krejt ditët e mia asaj ja kam falë. Kur ajo më buzëqeshi, e kuptova se me të mund të flas shtruar për  gjithçka që më preokupon, madje ajo mund të më dëgjojë kur i flas edhe për çështje të mëdha. Prandaj e zgjerova deri sa libri mori  formën që ka sot. E shtrova ne këtë formë duke dashur, që “Erika”ti kapërcejë raportet familjare tipike gjyshe-mbesë dhe të ngjajë në një bashkëbisedim ndërmjet brezave. Të ngjajë ne një shtegtim nëpër kohë, ku ndeshen dhe ndahen rrugët e tyre.

Tek “Erika” shfaqet dashuria, që ka gjyshja për mbesën, gëzimi për lindjen e saj.”Kur më thanë se vjen Erika, gjithkujt i tregova, qava, qesha nga gëzimi, gadi fluturova”. Prandaj “Erika” shkon përtej librave të rëndomtë të kësaj tematike. Shenjat dalluese nga mënyra e kuvendimit, e këndimit, tradicional janë mjaft të qarta. Gëzimi për lindjen e çupës nuk ndrydhet as fshehet, por shfaqet i plotë dhe lartësohet deri në atë masë sa i besohet edhe e ardhmja. “ Erikës ia lash jetën time ne dorë.”

Është pra guximi që brezat të jenë gati ta pranojnë një imazh të ri për figurën e çupës. Është përpjekja ime që në letërsinë tonë bashkëkohore, ta sjell një personazh të ndërtuar mirë. Ta sjell një heroinë të re, të cilën do ta pranojnë dhe do ta duan fëmijët siç duan Lizën, Hajdin, Pipin, Katie Ëoo Hanën, Borën.  Edhe gjyshja është gjyshe-ndryshe. Ajo nuk i tregon çupës as ëndrra as përralla të rreme, por flet me të sikur me një të rritur. Nuk ia fsheh dot as të errëtat e botës, sepse ajo,  herdo kurdo do të ndeshet me to. Dhe do të kërkojë një përgjigje. Por edhe çupën e do dijetare, piktore, kuvendare, edhe kryetare. Pra e do çupën të përgatitur dhe faktor me rendësi, ndoshta edhe kryesor për ndërtimin e botës së re.

IMG_20170306_172655_055 (1)

Çfarë ju shtyri të merreni me letërsi për fëmijë?

Kam zënë të shkruaj shumë vite më parë, atëherë kur jetonim nën dhe nuk guxonim të flisnim as të shkruanim hapur, as për jetën as për atdheun, as për lirinë. Krijuesit s’jetojnë dot pa folur prandaj kërkojnë hapësira e mënyra për ”Me e thanë e mos mu nxanë” thotë populli. Unë e gjeta një strehë tek këndi i fëmijëve në revistat dhe gazetat, që botoheshin atëherë, prej nga nxirrja ndonjë varg e thosha ndonjë fjalë, që shpëtonin pa  u kontrolluar nga regjimi. Zura të ndihem mirë aty dhe qëndrova deri sot. Kuptohet tani pa fshehur as fjalë e as zë, duke folur hapur siç flas me ju tani. Prandaj tërë kësaj historie i përgjigjet mendimi i autorit tim të  preferuar, Maurice Sendak, i cili në pyetjen se pse shkruan për fëmijët thotë: “Unë nuk shkrova për fëmijët. Unë shkruaja, por dikush tha, kjo është për fëmijët.” Tani vërtetë lexuesit e mëdhenj, e që janë adhuruesit e mijë të vegjël më pranuan mirë, ndonëse librat e mi janë për fëmijët, por edhe për ata që dikur ishin fëmijë. Edhe librat e mi u pranuan dhe u vlerësuan madje edhe jashtë vendit. Libri “Hana në Karrocën e saj ( Hana in her whellchair), botuar në Nju Jork-SHBA, deri tani është përkthyer në më shumë se 22 gjuhë të ndryshme, përdoret si libër pune dhe lekturë shkollore në disa shtete të Evropës.

 Cili është mendimi juaj sa i përket letërsisë për fëmijë, që zhvillohet sot?

Shpeshherë kritikohen poetet se shkruajnë për tema te “vjetruara”ose kanë qasje tradicionalisht të pandryshuar në temat qe shtjellojnë. Pra nuk janë mjaft bashkëkohorë. Nuk janë ndryshe. Ndonjë herë mund të jetë kështu ne disa dimensione, por kujtoj se veprat e mira krijohen jo vetëm duke mohuar të shkuarën, por asaj duke i shtuar edhe të sotmen. Kështu kemi dimensionin e plotë. Unë vazhdoj t’i lexoj me të njëjtën interesim autorët si L.Tolstoi, I.Kadare, Ch.Bukovski, Maya Angelou, Maurice Sendak, Doktor Susee, Fran Manushkin. I lexoj po ashtu  A.Mamaqin, Sh.Zallin, Erinë Rrahmanin e të tjerë. Pra nuk i zgjedh veprat vetëm pse janë ndryshe, por se kanë vlera. E ndryshmja nuk është domosdo edhe ajo që vlen. Letërsia në gjuhën shqipe është një. Dallojnë vetëm autorët ose më mirë të themi dallojnë veprat, dallon stili dhe mënyra e të shkruarit. Letërsia për fëmijë, po kuptohet çdo ditë e më mirë. Po vlerësohet si e rëndësishme dhe e “vështirë’ për tu bërë siç duhet. Po shtohen emra autorësh, që shkruajnë libra për këta lexues, por kemi akoma shumë nevojë për libra të mirë, për literaturë kualitative. Edhe lexuesi po vetëdijesohet, pareshtur po e kerkon librin e mirë. Por nuk po ngjanë e njëjta gjë edhe me institucionet, që kanë për detyrë t’i ofrojnë lexuesit libra me vlerë, që kanë për detyrë ta zgjedhin librin të cilin do tua afrojë shkollarëve.

Sa e vështirë është përgjegjësia e të shkruarit për fëmijë?

Autorët, që shkruajnë për fëmijë, e kanë  të fshehur fëmijëroren brenda tyre. I kanë të ruajtura ëndrrat dhe dëshirat nga fëmijëria e tyre, nga bota e tyre, prandaj edhe i kuptojnë më mirë të qenët fëmijë, e ndjejnë më pranë botën e tyre. Po ashtu është një vijë e padukshme ndërmjet fëmijës, që kemi qenë ne dhe fëmijëve sot. Prandaj kur shkruajmë për fëmijë, neve sikur e gjejmë veten tonë duke udhëtuar përgjatë kësaj vije. Kështu bëra me Eriken. Udhëtuam nëpër kohë.. Unë shpalosja faqet  e kohës sime, ajo i shtonte ato të saj.

Mendoj se rrëfime të mira, libra të mirë janë ata që i lexojnë fëmijët, u pëlqejnë fëmijëve, por ju pëlqejnë dhe i lexojnë edhe te rriturit. Librat që  i lexohen vetëm fëmijët, nuk janë libra mjaft të mirë. Lexuesit nuk duhet paragjykuar duke i ndarë në “të vegjël’ dhe të ‘mëdhenj’. Fëmijët janë njerëz duke u rritur, ata duhet faktorizuar prandaj është edhe përgjegjësi e madhe se çfarë do të shkruajmë në ato faqe.

 Së fundi, sipas jush, sa po nxitet vëmendja e fëmijëve ndaj librit, qoftë nga pridënrit ashtu edhe nga shkolla?  

Edhe njëra edhe pala tjetër kanë rol te jashtëzakonshëm ne formimin e shprehisë se të lexuarit tek fëmijët. Kanë ndikim ne formimin e kulturës se leximit ne përgjithësi. Ky segment është i zbehtë fare ne shoqërinë tonë, madje po zbehet akoma më shume nga ndikimi i teknologjisë dhe faktorëve të tjerë. Janë bërë disa përpjekje që libri tu afrohet nxënësve, nga shoqata dhe grupe letrare si “Karvani i shkrimtareve për fëmijë” ato po sjellin rezultate por të ngadalshme, sepse edhe rrugëtimi i karvanit po ecën ngadalë se nuk po mbështetet sa duhet. Pavarësisht të gjitha rrethanave, prindërit duhet tu lexojnë fëmijëve, të lexojnë me ta. Edhe kur ata nuk duan, kur refuzojnë, përsëri tu lexojnë se fëmijët, pa hutueshëm dëgjojnë dhe kuptojnë gjithçka.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

admin

Artikujt e tjetrë