Kulturë

Një jetë në skenë

Ata ishin idhulli dhe frymëzimi i shumë artistëve, që do të shfaqeshin më pas në skenë, nga ana tjetër kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm edhe në zhvillimin e muzikës së mirëfilltë në vend. Agim Gërguri, nga grupi i famshëm Fisnikët, risjellë kujtimet, përkushtimin dhe dashurinë për muzikën e publikun.

Ta fillojmë me “Fisnikët”, grupi i njohur, i cili rriti dhe edukoi breza të tërë në Kosovë. Si e kujtoni atë periudhë të artë tuajën dhe në përgjithësi muzikën që bëhej atëherë?

Kanë qenë kohë të arta, të cilat kurrë më nuk do të përsëriten asnjëherë, do të jetë më ndryshe, ndoshta më mirë e ndoshta më keq, por ato kohë si kanë qenë nuk do të përsëriten më. Kemi qenë nën pushtim, kemi punuar shumë, me orë e orë të tëra pune, me vullnet shumë të madh, kemi punuar edhe natën edhe ditën, dhe rezultatet nuk kanë munguar, jemi kalitë më kohë, dhe kjo kalitje e fuqishme, po na mban akoma në këmbë si grup.

Edhe sot pas kaq vitesh kur Fisnikët ngjiten në skenë, publiku i di përmendësh këngët , çfarë ndjesie ju dhuron ky fakt?

Ky publik na mbanë gjallë, publiku i gjeneratës sonë, dhe i gjeneratave që po vjen, po i dëgjojnë këngët tona të cilat janë regjistruar nëpër studio me vite të tëra. Shumë këngë kur ne i kemi inçizu janë më të vjetra se gjeneratat aktuale, të cilat vijnë të në dëgjojnë nëpër mbrëmje, dhe ndihem krenar për këtë, sepse mundi nuk na ka shku huq.

Çfarë keni ndryshuar ju personalisht që nga ajo kohë, qoftë në shijet muzikore, stilin, perceptimin për gjërat në përgjithësi?

Kam ndryshu në shumë gjëra, së pari jam përmirësuar në këndim, duke e korrigju vehten non stop, falë dëgjimit të inçizimeve që i kam ba nëpër mbrëmje të ndryshme duke e dëgju vehten pastaj dhe duke u mundu që në mbrëmjen tjetër mos ti përsëris gabimet e bëra në këndim, stili i Fisnikëve nuk ka ndryshuar por vetëm metoda e punës, dhe inkuadrimi në botën dixhitale, edhe në këngët tona të më vonshme shihet ndikimi i ri i muzikës së re, por pa e ndryshu stilin. Duhet punë dhe përkushtim i madh për me u kyçë në rrymat e reja, por pa u ndryshu në thelb.

Një vend të veçantë zë dhe piktura, si është raporti mes këngës dhe pikturës?

Piktura dhe kënga janë kusherina të afërme. Dyjat zhvillohen me kalimin e kohës janë si dy fëmijë, psh. Njëra bionde kurse tjetra zeshkane dhe i kanë preferencat e veta për jetën, por rriten bashkë dhe komunikojnë bashkë. Kur lodhem duke pikturuar e marr kitarën dhe këndoj ose luaj me kitarë, dhe më çlodhë shumë, dhe kur mërzitem me kitarë filloj me vizatu e pikturu dhe çlodhem, shumë terapi e mirë, me besoni.

Çfarë mendoni për muzikën që bëhet sot dhe si e shihni të ardhmen e saj?

Muzika që bëhet sot i ngjanë të sotmes që po jetojmë, njeriu përmes artit gjithmonë e ka paraqitë jetën e vet, si në muzikë, ashtu edhe në pikturë apo në dramë poashtu romane, poezi etj. Nëse jetojmë në një kaos botëror, me shumë lufta në vende të ndryshme dhe interneti po na mundëson me qenë afër kësaj të keqe që po na ndodhe, ajo reflekton në shpirtin e artistit, dhe medoemos që ndikon në këtë rast, në muzikë ku edhe kemi shfaqje të sharave , fyerjeve në tekstet e këngëve. Si sillet bota apo situata ashtu do jete edhe arti. Harmonia që ishte dikur në botë psh. para 30-40 viteve ashtu e kemi pasë edhe muzikën, sot ka shumë pak harmoni mes popujve në botë , ashtu do ta kemi edhe muzikën dhe artin në përgjithësi.

Nëse mund të na zbuloni ndonjë projekt që planifikoni ta realizoni?

Me Hekuranin po e përfundojmë edhe këngën e re që titullohet “ Kënga Ime” dhe mendoj që do të del kah mesi i muajit Maj, është një tekst dashurie, melodia e kapshme, dhe besoj që do të jetë e pëlqyer tek publiku. Klipin e këngës do ta realizojmë në Ulqin në fillim të muajit Maj.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

admin

Artikujt e tjetrë