Lifestyle

Kur moda i kthehet natyrës

Mimi Memiaj prej dhjetë vitesh udhëheqë studion e dizajnit të modës “Memiaj Studio”. Një kompani mjaft e suksesshme në fushën e saj. Pas diplomimit në Milano Fashion Campus për Dizajn Mode dhe Arte të Bukura, ajo vendosi që t’i përkushtohet në maksimum ëndrrës së saj dhe të krijojë një brend autentik në veshje, aksesorë dhe dekorim interieri. Pas sukseseve të shumta, këtë vit Mimi do të përfaqësojë Shqipërinë në Sarajevo Fashion TV. Në këtë intervistë ajo shpalos projektet e kompanisë që drejton, pasionin dhe përkushtimin për punën që bënë. Një ndërthurje e modës dhe natyrës, që në mënyrë të mrekullueshme i sjellë  dizajnerja jonë.

Një  fashion producente e disa prej formateve televizive, për fëmijë dhe të rritur, çfarë ju ka dhuruar kjo përvojë?

Po kam krijuar disa formate televizive artistike dhe fashion-evente kulturore sociale.  Roli im si fashion producente është e lidhur me krijimin e shoqatës “Moda në Fokus”, në vitin 2008, menjëherë pas ardhjes time në Tiranë  pas studimeve në Milano. Disa nga eventet që vazhdojnë të jenë aktive dhe sot janë Albania Fashion Kids, Fashion-show “Junior Steps” për adoleshentë, Haute Couture Fashion Night” Gala Evening, ekspozita kombëtare e punimeve pamore për fëmijë dhe adoleshentë “Duart e Arta”, Videoclip Kid’s Awards Albania “Tingulli Im”, Festivali Kombëtar Folklorik për fëmijë, Panairi  Vjetor i artizanateve shqiptare.

unnamed (6)

Qendra e stilistëve që ju drejtoni “Moda në fokus” ka ndërmarrë disa projekte të rëndësishme, veçanërisht ato me karakter social, cila kanë qenë disa nga arritjet, nëse mund ta themi kështu?

Jemi një grup i konsiderueshëm anëtarësh si stilistët dhe artistët e tekstilit, studentët e dizajnit, krijues artizane, që i bashkohemi një nismë të përbashkët: promovimin e artit, modës, artizanateve ,suvenireve shqiptare në nivel bashkëkohor ndërkombëtar. Mbledhjen e resurseve dhe ringritjen e zejeve tradicionale në Shqipëri, promovimin e modës për fëmijë dhe të rritur si dhe krijimin e eventeve kulturore artistike fashion si traditë të qendrës tonë.

Çfarë mendoni për zhvillimin e modës në përgjithësi dhe trendeve?

Me modën jam e lidhur që në fëmijëri pasi ndryshe nga bashkëmoshataret e mia, të cilat kishin dëshirë të shkonin në kurse baleti, piano, gjuhë të huaja, unë kam qenë aktive në kurset e vizatimit ku spikasnin skicat dhe atë të qëndisjes. Çdo veshje të cilat në ato kohë ishin “copypaste” e shndërroja në unike duke i ndryshuar pamjen totale dhe e përbashkët me veshjet ne dyqan ishte vetëm tekstili. Modën në atë kohë e pranoja unike, diçka që vjen nga shpirti, diçka që do të përfaqësojë një trup të bukur, një ngjyrë tunduese, një model klasik, pranverën, gëzimin, me pak fjalë  e fantazoja ndjesi shpirtërore dhe pikërisht ashtu e pranoj dhe sot, por me pjekuri profesionale. Moda është perceptimi i gjendjes shpirtërore të secilit dhe nëse dikush e kalon atë duke u tjetërsuar apo bërë kopje të një individi tjetër ka gabuar. Moda është aq e pakufizuar, jo më kot qendra që unë kam krijuar quhet “Moda në Fokus”. Kudo në jetë që ti do të fokusohesh ka një pikë ku të bashkon me modernen, me kontemporanen, tendencat, krijimin, përmirësimin, nevojën, bashkimin, lindjen, ngjyrat, lëvizjen, brezat etj… Motoja ime për modën është “Ndihu i veçantë, vishu etik , bëjë diçka të veçantë pozitive për komunitetin, krijo një emër profesional dhe në fund do të shohësh, që ti je personi, që shumë njerëz, do të ëndërronin stilin tënd të jetesës dhe paraqitjes etike.“

mimka

Ajo çfarë ju veçon nga stilistet e tjera, është pikërisht materiali, që përdorni për të na sjellë krijime të bukura, veçanërisht sa i përket dizajnit të kapeleve, mund të na tregoni pse kjo zgjedhje?

Felt Fiber Art, është teknika që unë përdor shumë në veshjet e koleksioneve të mia,  kryesisht të dimrit, duke alternuar produktin e leshit të deleve të racës shqiptare Ruda, mëndafshin e zejtarëve shkodranë dhe lëkurave origjinale të lëkurëpunuesve korçarë. Mesazhi përcjellës i artit që unë krijoj është: Mbrojtja dhe perceptimi i natyrës, do të na sjellë më afër, origjinalin, me të gjitha ngjyrat që ajo zotëron në të vërtetë. Krijimet e mia duke shfrytëzuar resurset tona si gjedhet me  nënproduktet e tyre si leshin e deleve apo lëkurat, shprehin paradoksin e organizmave të gjallë: forcën dhe brishtësinë, këmbëngulje dhe nënshtrim, lirinë dhe kontrollin, si një metaforë për viktimizimin tonë te mjedisit, si pasojë e kulturës konsumatore destruktive.  Sot, ky art në Shqipëri mbetet si një teknikë e panjohur në artet pamore duke e promovuar një numër i paktë artistësh të tekstilit. Sot, Fiber Art  hynë në kategorinë e Eko Fashion dhe është një teknikë, e cila ka marrë një drejtim modern në fushën e dizanjit  dhe përmbledh gjithçka: dekor shtëpie, veshje muri, aksesorë, veshje fashion, lodra eko për fëmijët, piktura murale , skulptura në 3D, vepra arti abstrakte, kinetic art etj, duke sjellë një produkt Bio, të butë, të ngrohtë dhe të gjallë. Për sa ju përket kapelave kam studiuar një kurs tre mujor në Hatacademy në Dublin, për millinery (stilist kapelash). Është një trend i ri në Shqipëri dhe kjo më ka krijuar një klientelë zonjash, të cilat e frekuentojnë këtë stil. Koleksionet e kapelave kryesisht i shes në tregun ndërkombëtar, si Gjermani,Turqi, Maltë, Finlandë,  Arabi dhe Kanada, ku punoj për butiqe të ndryshme në këto vende.

Çfarë presim nga ju në të ardhmen?

Janë tri projekte për të cilat jam në punë intensive çdo ditë deri në orët e vona në studion time. E para në muajin qershor, që është dhe muaji i fëmijëve  do të realizohet Java e Modës për Fëmijë “Albania Fashion Kids”, verë 2017. Promovimi i disa stilistëve shumë të talentuar shqiptarë dhe të huaj, do të jenë pjesëmarrës në këtë event ku do të paraqesin koleksione për fëmijë. Është një nga projektet ku unë me shumë dashuri jam dhe vetë një krijuese për veshje fëmijësh.  E dyta është në muajin tetor, 2017 në muajin e javëve të modës, ku do të promovojmë një koleksion me peliçe, pallto felt dhe aksesorë, si çanta, kapele dhe për herë të parë edhe këpucë felt, e cila do të prezantohet në një pasarelë shumë artistike dhe luks. Projekti i tretë është një ndër punët më madhështore, që kam ndërmarr këtë vit. Një ekspozitë “Warm Lights”, i cili është projektuar për muajin dhjetor përpara festave të fundvitit. Kjo ekspozitë do të mundësohet edhe për artdashësit kosovar pasi menjëherë pas Tiranës, është projektuar të mbahet disa ditë edhe në Kosovë (Prishtinë) me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës në muajin shkurt 2018.  Po punohet me grupe pune artizanesh dhe arkitektë të rinj, për të sjellë një gamë abazhuresh të veçanta, eco, të ngrohta për t’i prezantuar pas ekspozitës, më pas në panaire të ndryshme, që do të jemi pjesëmarrës. Punimet do të futen në kategorinë  Home Décor, e cila do të jetë mjaft e veçantë sepse do të prezantohen veçanërisht  abazhurë  ndriçues me felt  për dekore ambientesh të ndryshme.

 

admin

Artikujt e tjetrë