Kulturë

Igli Zarka përtej Alan Strangut

unnamed (1)

“Equus” ishte shfaqja, e cila nxori në pah, bujshëm, talentin dhe përkushtimin e aktorit të ri, Igli Zarka.  Një vepër e rrallë e autorit Petter Shaffer, e vënë në skenën e Tiranës nga regjisori i shquar boshnjak Dino Mustafiç. E tërë shfaqja është cilësuar si një realizim inteligjent, që të merr mendjen dhe të rizgjon që në hapje të saj. Një sfidë kjo për të gjithë kastën e aktorëve. Igli tregon sesi erdhi deri tek interpretimi i rolit të Alan Strang, pacientin e zgjuar, i cili tenton të jetojë “i lirë” e jashtë rregullave.

“Kur më njoftuan se do të isha Alan Strang, unë e ndjeva peshën e barrës së rëndë, që më besuan në supe. Ndërsa koha kalonte, unë numëroja ditët derisa të vinte Dino Mustafiç e të fillonim punën. Ende nuk e besoja, se pa dalë nga bankat e shkollës, do isha pjesë e një produksioni të tillë.”

Me një rol kaq të vështirë për tu luajtur e sjellë në skenë, ai na la të gjithëve pa fjalë me interpretimin e mrekullueshëm dhe ende të gjithë vazhdojmë ta kemi kryefjalë në media e në çarqet e artistëve. Alan Strang mbi të gjitha është një personazh shumë kompleks, që të mban mbërthyer pas lëvizjeve e lojës së tij. Igli e pranon se ishte një sfidë, një sprovë dhe një rol që duhej përqafuar deri në detaje të kompleksitetit të tij, ashtu siç ndodh edhe me të gjitha rolet që i besohen atij.

“Sfida më e madhe me çdo rol është ta mishërosh atë në trupin tënd. Të jesh i vërtetë deri në qelizë; pa hile dhe gënjeshtra. Të përjetosh me sinqeritet, të mendosh dhe të sillesh si karakteri pa e deformuar atë në grimasa dhe ulërima.”

Igli vetëm sa e ka nisur karrierën e tij, e që padyshim që do të ketë një rrugëtim të ndritur e me plot triumfe të tjera. Para katër vitesh ai ui bë pjesë e Akademisë së Arteve në Tiranë për Aktrim, për të interpretuar në filmat shqiptarë “Kostumi” dhe “Ana”. Bashkëpunimi me regjisorin Mustafiç ishte një tjetër dimension i rritjes artistike, që i hap dyert drejt roleve të tjera e bashkëpunimeve të rëndësishme.

Megjithatë si është raporti me regjisorët dhe a varet gjithçka nga ajo çfarë ata le të themi i tregojnë aktorëve të bëjë në skenë apo gjithmonë ka vend edhe për improvizime? Në lidhje me këtë Igli thotë se aktori ka gjithmonë nevojë për një sy të jashtëm.

“Regjisori është një nga faktorët kyç që procesi të zhvillohet e të arrijë nivelin e duhur . Aktori gjithmonë ka nevojë për një sy të jashtëm për ta drejtuar në rrugën e drejtë. Ka edhe regjisorë diktatorë, të cilët e refuzojnë bashkëpunimin me aktorët, pasi na shohin si kukulla në skenë . E kundërta ndodhi me Dinon.”

Dhe në rrugën e tij të sapo nisur drejt sfidave e sukseseve, Igli Zarkën e presin shumë punë e role të veçanta, të cilat nuk dyshojmë që do të përfliten e mbahen në mend po aq sa Alan Strangu i Shafferi-t. Emrat e personalitetet, që e frymëzojnë vazhdimisht në punën e tij, janë aktorët, që na frymëzojnë të gjithëve ne, qoftë në një mënyrë apo tjetër, siç është Bekim Fehmiu që na bënë përherë të ndihemi krenarë, Marlon Brando e Daniel Day Lewis, emra të cilët kanë sjellë role të pavdekshme në ekranin e madh dhe mbeten ikonat e kinematografisë botërore. Iglin përtej rolit tyë djaloshit të trazuar shpirtërisht, e presin shumë projekte e punë të tjera, të cilat nuk preferon që t’i zbulojë, megjithatë në të ardhmen shpresojmë që sërish të jemi pjesë e publikut të një shfaqjeje të realizuar me mjeshtëri dhe me aktorë kaq të veçantë e profesional.

 

admin

Artikujt e tjetrë