Letërsi

“Epika e yjeve të mëngjesit” kujtesa e humbur

15443267_1530444130305652_7804695981417089880_o

Shkrimtari Rudi Erebara është fituesi i Çmimit Europian të Letërsisë për romanin e tij të fundit “Epika e yjeve të mëngjesit”, një roman për të vërtetën, një roman-kujtesë për kalvarin e mundimshëm dhe të pashembullt  të shqiptarëve në diktaturë.  

 Sapo fituat një çmim të rëndësishëm ndërkombëtar, si ndjeheni?

Ndihem dy herë i gëzuar. E para se ky çmim është një fitore kundër diktaturës komuniste dhe nostalgjikëve dhe e dyta sepse europiani do të njohë më mirë Shqipërinë dhe do të gjejë të përbashkëta më shumë me shqiptarët. Është një fitore e përbashkët. Do të gëzohesha njëlloj nëse do të fitonte kushdo tjetër me një libër me të njëjtën temë.

“Epika e yjeve të mëngjesit”, një roman, cili ka në qendër diktaturën, çfarë ju shtyu ta bëni temë të shkrimtarisë suaj?

Është romani i dytë i botuar që trajton luftën që u bëri diktatura komuniste shqiptarëve. Kam edhe dy romane të tjerë në këtë temë. Mua më intereson e vërteta dhe shkruaj për të vërtetën. Mungesa e kujtesës kombëtare na ka çuar në hall gjithmonë në historinë tonë. Unë shkruaj për qindra mijëra shqiptarët e dënuar nga komunizmi sllav. Shkruaj milionat e shpronësuar të varfëruar që morën rrugën e botës sikur t’i ndiqte djalli i mallkuar nga pas. Ikën nga Shqipëria 1/3 e popullsisë nga 1991-1998 aty rrotull. Kaq mirë e kishte bërë punën diktatura. Të shpopullonte vendin me varfërim.

 Personazhe komplekse, periudhë historike komplekse, që të japin një panoramë psikologjike të asaj kohe, çfarë kishit ju të rëndësishme për të theksuar apo nxjerrë në  pah në këtë roman?

Ngjarja është e vërtetë. Njoh njerëz të cilët kanë gjetur veten nëpër personazhe. Gjuha politike është ashtu siç ka qenë. Urrejtja e komunistëve ndaj shqiptarëve është e vërtetë. Unë e kam jetuar atë kohë. Thjesht e kam përshkruar me vërtetësi dhe durim.

Cili është mendimi juaj për letërsinë që po zhvillohet sot në Shqipëri?

Ka autorë shumë të mirë. Letërsia e çdo art, bëhen nga njerëzit dhe zhvillohen nga njerëzit si çdo gjë tjetër në jetë. Krijuesi nuk ka domosdoshmërisht nevojë për mirëqenie e luks por për qetësi dhe siguri. Krijuesit në Shqipëri janë me rroga punëtorësh krahu dhe shumë janë krejt pa punë. Kjo ndodh sepse kandari i vlerave është i mbushur me llomin historisë së diktaturës. Në tekstet e shkollave janë po ata autorë që janë mësuar si lëndë përpara 40 a 50 vitesh më parë. Veprat e autorëve antikomunistë, viktima të diktaturës zënë një hapësirë aq të vogël sa një autor më pak se mediokër i vlerësuar lart nga sistemi komunist i vlerave të realizmit socialist. Shumica e krijuesve janë përkthyer profesionistë, e them këtë në kuptimin që përpiqen të nxjerrin jetën duke përkthyer. Tregu i librit është i zbehtë, i pafuqishëm, i përmbytur nga vepra të trashëguara dhe të tjera mediokre. Botuesit më të mirë konkurrohen padrejtësisht nga makineria e korrupsionit. Është vështirë, por sigurisht që ky vend ka parë shumë me keq. Siç thotë populli, sëmundja komuniste hyri me ton dhe po del me gramë.

Si mundet një autor të  luftojë për të ruajtur pozicionin e tij në tërë këtë vrull krijimesh të arteve të ndryshme dhe komercialitetit në epokën e Facebook-ut?

Jam përpjekur gjithë jetën të shkoj drejt. Ika ne SHBA piktor, hapa 4 ekspozita, punova në ndërtim, u bëra mjeshtër hidraulik, erdha u ktheva pas 7 vjetësh në Tiranë, bëra po punë ndërtimi, përkthim, gazetari, prapë përkthim, ndërtim ndonjëherë. Njeriu në jetë duhet të shkojë drejt. Komercialiteti etj, është si puna e karameleve. Sado qejf t’i ketë njeriu, nuk ha dot më shumë karamele se bukë.

admin

Artikujt e tjetrë