Intervista

Të ikësh nga vetvetja!

files

Me shkrimtarin dhe publicistin Kim Mehmeti për shqiptarët në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri, për ne që “ishim dhe mbetëm popull të cilin ose të huajt e dëbojnë nga trojet e veta etnike, ose ai ikë nga vetvetja!”

 

 Çfarë e bënë një shkrimtar të madh sot?

Edhe sot, si edhe gjithmonë, shkrimtarin e bënë të madh magjia letrare e veprës së tij. E thelbi i kësaj magjie është gjetja artistike që lexuesit i ofron “përrallën” e nevojshme për ta përballuar më lehtë këtë jetë – ‘përrallën’ për jetën e vdekjen si dhe për vlerën e çastit në jetë.  Dhe kanë qenë e do jenë të mëdhenj ata shkrimtarë që do dinë ta gërshetojnë mjeshtërinë e të rrëfyerit ashtu që e rrëfyera të mos i takoj vetëm një hapësire e një kohe.

Cilin personazh të letërsisë do ta kishit ngjallur?

Nuk ka personazhe që do kisha dashur të ringjallen, por kisha dashur të riktheheshin kohët kur është jetuar më “ngadalë” se sot. Thjeshtë më pengon kjo ngutje e sotme që na ka rrëmbyer të gjithëve, më trishtojnë këto javë që më bëhen se kanë vetëm një ditë, me nga një çast të vetëm në to. Dhe nisur nga kjo, shpesh ia përsërisë vetvetes se nuk është fajtore  as koha në të cilën  jetoj, as lumi i ngutshëm jetësorë që më ka rrëmbyer, por mbase bëhet fjalë për ndjenjën që nuk ka mundur t’i ikë asnjeri; atë se kemi lindur në kohë dhe hapësirë të gabuar! Pra ndjenjën se do isha më i plotë e më i lumtur nëse do jetoja atje dhe dikur. Andaj e them se kurrë nuk e kam dëshiruar ngjalljen e ndonjë personazhi të letërsisë, por shpesh jam përmallur për t’i rikthyer kohërat e personazheve të Prustit.

Pasqyra, nuk është simbol vetëm i narcizmit, pse duhet t’i shërbejë ajo shoqërisë shqiptare?

Pasqyra nuk tregon vetëm fytyrën e atij që qëndron përball saj, por edhe  guximin e tij për tu përballur me vetveten. Dhe i bukuri gjithmonë me kënaqësi qëndron përpara saj, ndërsa i shëmuari i ikë përballjes me të. Por ka diçka që është edhe më keq se të jesh i shëmtuar: të jetosh i maskuar dhe një ditë as vetë të mos mund ta dallosh se cila është maska, e cila është fytyra jote e vërtetë. Here-herë më bëhet se shoqëritë shqiptare le që nuk duan ta shohin veten në pasqyrë, por edhe ju pëlqen të mos e dinë se cila është maska, e cila fytyra e vërtetë. Andaj ne duhet sa më shpesh ta përdorim pasqyrën, ngaqë ajo na mundëson të mos e harrojmë dukjen tonë të natyrshme.

15 vjet nga Marrëveshja  Ohrit, cili është realiteti i shqiptarëve në Maqedoni sot?

Realiteti i sotëm i shqiptarëve të Maqedonisë është ai i popullit që e kanë mposhtur ata të cilëve ai u ka besuar: disa “çlirimtarë” të 2001, të cilët e themeluan BDI-në thuajse vetëm sa të vinin në pushtet, e që pastaj, të mblidhnin nga shqiptarët e këtushëm haraçin e lirisë. Pra shqiptarët e Maqedonisë, sot me shumëçka janë thuajse aty ku ishin në kohën e Rankoviqit, kur nuk dihej se vallë të vret maqedonasi me dorën e shqiptarit, apo e kundërta. Dhe ndodhi kështu ngaqë shqiptarët e këtushëm vonë e hetuan se drejtuesit e BDI-së ishin aq tinëzarë, sa ia dolën ta shpallni pronë të veten dhe të BDI-së edhe luftën e 2001 edhe Marrëveshjen e Ohrit. Pra ia dolën që vetveten dhe BDI-në ta ngrenë në rrafshin e “entit” të vetëm që i punëson shqiptarët, në “senatin” e vetëm që zgjedhë ligjërues dhe drejtuesit e institucioneve arsimore, në  “institutin” e vetëm  historik që i përcakton datat e lavdishme nga e kaluara shqiptare, në  “verifikuesin” e vetëm të vlerave kulturore edhe pse vlerësuesit nuk kishin lexuar asgjë më shumë se abetaren dhe ndonjë fjalim të Enver Hoxhës…., pra ia dolën që interesat e veta personale t’i barazojnë me ato të popullit të këtushëm shqiptar si dhe, popullin ta poshtërojnë në mënyrën më perfide – duke i shpallur përfaqësues të shqiptarëve edhe ata që s’mund të ishin as përfaqësues të denjë të familjeve të tyre. Thënë edhe më qartë: edhe 15 vjet nga Marrëveshja e Ohrit, shqiptarët e Maqedonisë mbrojtës dhe përfaqësues të vetëm i kanë ndërkombëtarë dhe ambasadat perëndimore në Shkup, ngaqë pushtetarët e BDI-së nuk e përfaqësojnë dhe nuk e mbrojnë popullin që i votoi, por sunduesin maqedonas e mbrojnë nga populli shqiptar.

Nëse do të duhej ta përshkruanit Kosovën me një ngjarje dhe një personalitet, cilët do të ishin?

Sa herë që e ndërmendi Kosovën, më rikujtohen tri ngjarje dhe tre personalitete, që do mund të qëndronin në ballinat e trinisë së kalendarit tim jetësor: fëmijërisë, rinisë dhe pjekurisë që jam duke e jetuar. Dhe në epiqendër të këtyre tri ngjarjeve, që për mua kanë domethënien e historishkrimit të Kosovës së shekullit të kaluar, qëndrojnë sytë e trishtuar të tre fëmijëve me bukuri engjëllore, por që kurrë nuk do i shënojë objektivi i historisë sonë kombëtare, edhe pse shikimi i tyre bartte fletshskrimin e pagabueshëm të tmerrit që përjetoi Kosova e shekullit të njëzetë.

Në fëmijërinë time të hershme, te ne erdhi një familje kosovare. Mes shumë vetave që mbushën shtëpinë tonë të varfër, ishte edhe një vogëlush sykaltër, më një bukuri engjëllore. Dhe nuk qëndruan gjatë, ngaqë disa ditë më vonë, dolëm t’i përcillnim te stacioni hekurudhorë i Shkupit nga do niseshin drejtë Turqisë. Dhe nga ajo lotëderdhje e atyre që shkonin dhe atyre që i përcillnin shtegtarët që përgjithmonë e braktisnin vendlindjen, unë mbajë mend vetëm sytë e bukur të vocërrakut kosovarë, ato sy që shikonte mizërinë e njerëzve ku qëndroja edhe unë, fëmija i atëhershëm, i cili asokohe nuk e dinte ku ndodhej Kosova, por ia doli ta kuptonte ku banonte dhembja e një fëmije sykaltër kosovar.

Në vitet e rinisë sime ndodhi eksodi biblik i shqiptarëve nga Kosova, që i dëboi regjimi i Millosheviqit. Dhe gjatë bombardimeve të NATO-s, gropa e Bllacës pranë vendkalimit kufitar Maqedoni-Kosovë, u mbush me dhembjen e atyre që prisnin të takohen me dhembjen tonë që i prisnim nga kjo anë e kufirit. Për çdo ditë dilja aty dhe bëja atë që bënin të gjithë shqiptarët nga ana jonë e kufirit: e jetoja dhembjen e atij që përballet me pamundësinë t’i shpëtoj gjithë ata që vuanin në atë gropë përplot baltë. Dhe një ditë, mes turmës së fatkeqëve, pashë një palë sy të kaltër fëmije, që ma kujtuan shikim e sykaltrit të fëmijërisë sime që u shpërngul në Turqi. Dhe  bëra çmos  që t’i afrohesha dhe së bashku me nënën e tij ti merrja me vete. Por as ky nuk mbeti shumë gjatë me ne: pas disa ditëve, dolëm te aeroporti i Shkupit nga e përcollëm për ne Gjermani, ku i piste daja i vogëlushit.

Shumi vite më vonë, kur kisha filluar të besoja se Kosova nuk kishte më sykaltroshë për t’ua dhënë vendeve të huaja, ndodhi e pabesueshmja: në vitin 2015, rastësish u gjeta te stacioni i autobusëve në Prishtinë. U ndjeva i tmerruar nga rrëmuja e njerëzve që shtynin njëri tjetrin për tu ngjitur nëpër autobusët që do i çonin drejt vendeve Perëndimore. Dhe përnjëherë shikimi m’u përballë me atë të një fëmije sykaltër, të cilin e shtrëngonte në kraharor nëna e tij e përlotur. Bëra çmos që t’u afrohem, e t’i lusja të mos shkonin atje ku ishin nisur, por mëkot: dera e autobusit  u mbyll dhe pash vetëm sytë e trishtuar të kaltër, që shikonin turmën që mbeti te stacioni i autobusëve në Prishtinë. Pastaj u nisa për në Shkup dhe që nga ajo natë, sa herë që dikush kërkon nga unë që shkurtimisht ta përshkruaj Kosovën, mua më faniten këto tri ngjarje me tre kryepsonazhët sykaltroshë në to. E në sytë e tyre e lexova të vetmen porosi që ma përcollën ato: ishim dhe mbetëm popull të cilin ose të huajt e dëbojnë nga trojet e veta etnike, ose ai ikë nga vetvetja!

Nëse të them Shqipëri çfarë të vjen në mendje?

Më vjen në mend ëndrra ime rinore që njëherë të vetme të vija në Tiranë e të shëtisja lirshëm rrugëve të kryeqendrës së Shqipërisë. Edhe sot e kësaj dite, sa herë që vijë në Shqipëri, më rikujtohet ëndrra rinore si dhe ardhjet e mia në Strugë, nga shikoja bregun përtej duke ua pasur zili shqiptarëve të lumtur që jetonin në bregun përballë, atje ku bukës i thuhet bukë e ujit i thuhet ujë. Dhe vazhdojë ta dua atë ëndërr si një nga më të bukurat të rinisë sime, një nga të paktat ëndrra që kurrë nuk i tradhtova dhe që ia dola t’i jetoj.

admin

Artikujt e tjetrë