Kulturë

#KtheKryte nga e shkuara

 Një udhëtim te e shkuara përmes objekteve që shpesh janë lënë në harresë, fushata #KtheKryte, e ndërmarrë nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij, një apel vetëdijesimi për të gjithë ne.

Foto: Astrit Ibrahimi

Trashëgimia kulturore është pasqyrë e identitetit tonë, është pjesë e asaj që kemi qenë, ajo  përbëhet nga shumë elemente, të cilat mund t’i shohim në ndërtesa të ndryshme, vende të ndryshme, artefakte të kohëve të lashta. #KtheKryte  është  një fushatë ndërgjegjsuese, për objektet e dikurshme, të lëna në harresë, por që janë pjesë e kujtesës sonë kolektive. #KtheKryte është një iniciativë e  Trashëgimisë Kulturore pa Kufij, CHwB, që ka të bëjë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duke e bërë këtë në një formë më interaktive dhe në këtë mënyrë të gjithë qytetarët të kenë qasje në këtë fushatë. Një projekt që ka për qëllim rifunksionalizimin e objekteve apo pjesëve të harruara të Kosovës. Orgesa Arifi nga CHwB  tregon se nëpërmjet kësaj nisme po tentohet të përçohet një mesazh te shoqëria për të qenë sa më e vëmendshme dhe e kujdesshme sa i takon kësaj pjese të rëndësishme të një vendi, trashëgiminë kulturore. “Tash kemi filluar që t’i monitorojmë lëvizjet në rrjetet sociale dhe jemi në fazën që po i inkurajojmë shoqërinë që të marrë pjesë në këtë fushatë, fakt i cili po na gëzon kur po shohim që përmes hashtagut #KtheKryte po shohim profile, mosha të ndryshme. Ndërsa sa i përket funksionalizimit është një hap, i cili do të ndërmerret me anë të përkrahjes së qytetarëve.”- shprehet Orgesa Arifi.  #KtheKryte jo vetëm do të promovoi vlerat kulturore, por nga ana tjetër do të sensibilizoi shoqërinë tonë për atë që na ka rrethuar dhe endet sot si një “fantazmë” pa vëmendjen e duhur. “Ne po përpiqemi që t’i japin rendësi një fushe, e cila është e harruar totalisht dhe ekziston vetëm në kujtimet e njerëzve që kanë përjetuar një objekt kur ka pasur funksionalizimin e asaj kohe. Tash shohim shumë aktivitete ku përmes asaj çka na dhuron komuna nuk na realizohen shumica, dhe pse mos ti ndihmojnë njeri- tjetrit përmes fushatës. Gjithashtu do të punojmë intensivisht për gjetjen e fondeve për një fushatë të tillë, natyrisht se kemi disa kontakte mirëpo pa pjesëmarrjen e qytetarëve kjo nuk do të kishte kuptim.”- tregon ajo. Nostalgjia për objektet që dikur kanë qenë pjesë e fëmijërisë, shkollës, jetës së përditshme, por i kthejnë qytetarët në origjinë. Një foto që u rikthen atyre kujtimet e dikurshme. “Qytetarët ndjejnë mall për diçka që ka kuptim më të thellë se sa një lokal me katër mure, ose një objekt që kane kryer një shërbim të rëndomtë. Më së shumti kemi pa që fotografohen objektet e stilit austro-hungarez, objekte që e zbukuronin qytetin, apo disa objekte që vërejmë nga komentet askush nuk i ka vënë re. Gjithashtu, qytetarët kanë mall për hapësira që kanë interaksion më shumë me njëri -tjetrin apo aktivitete të ndryshme.”- thotë Orgesa. Të kujdesesh për trashëgiminë kulturore do të thotë të mbash gjallë të shkuarën, të kujdesesh për të dhe tu lësh gjeneratave që vijnë një vend me histori. “Vetëdijesimi i shoqërisë varion nga lokacioni shumë, mirëpo ne si CHwB me restaurimet që i kemi bërë përgjatë këtyre viteve kemi parë se ka një ngritje të mjaftueshme në vetëdijesimit e shoqërisë për trashëgiminë kulturore. Nuk mund të themi se mjafton, duhet ende të punojmë në këtë çështje mirëpo asnjëherë nuk do të kemi shume sukses nëse institucionet nuk japin përkrahje për një çështje të  tillë, sepse është shumë e ndjeshme dhe kërkon shumë përkushtim nga dy palët.”- përfundon Orgesa Arifi.

admin

Artikujt e tjetrë