Kulturë

“Home sweet home” një apel shoqërisë

“Home Sweet Home”, drama e pasluftës e regjisorit Faton Bajraktari, është vlerësuar nga shumë juri dhe festivale të rëndësishme të filmit ndërkombëtar. E sjellim në Flatra me prapaskenat dhe peripecitë dhe triumfin e shumëpritur.

 

 Ishte viti 1996 kur shkroi skenarin e parë për film të metrazhit të gjatë. Ndërsa ambiciet vetëm sa kishin filluar të jenë më intensive duke vazhduar kështu me xhirimet e filmit, por për shkak të rrethanave të asaj kohe, atij iu desh të emigronte dhe skenari mbeti vetëm një plan i realizuar në letër. Sot regjisori Faton Bajraktari duket se ka rinisur ëndrrën e tij të kamotshme me shumë suksese. Filmi i tij “Home Sweet Home”, është shfaqur në ekranin e Festivalit Ndërkombëtare të Filmit në Karlovy Vari, dhe është përzgjedhur si kandidat për të garuar në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj” në edicionin e 89-të të Akademisë së Filmit / Oscars.

Megjithatë të gjithëve na intereson të kuptojmë më shumë sesi lindi ideja për të bërë një vepër të tillë artistike, sesi çdo gjë është konkretizuar në një format kaq profesional dhe serioze, gjë që i ka munguar shumë kinematografisë në Kosovë. “Ideja ka qenë e profesor Zymber Kelmendit dhe në diskutim e sipër me mua. Në fakt si ide lindi si pasojë e situatës së krijuar pas luftës me keqpërdorimet që vetëm filluan të marrin përmasa tjera, megjithatë kjo ishte ide e Zymberit dhe e falënderoj shumë që ka qenë përkrah meje dhe e ka zhvilluar si skenar.”

Si çdo realizim tjetër artistik edhe në kinematografi mesazhet e realizuesve të filmit janë të ndryshme dhe vijnë tek publiku po ashtu në forma të ndryshme. Sipas Bajraktarit, si krijues ai tenton të përçojë mesazhe nëpërmjet ngritjes së një kauze të caktuar, për një ë çështje konkrete, e në veçanti kur bëhet fjalë për avancimin social në vendin tonë. “Jam munduar që me anë të kreativitetit regjisorial të trajtoj një temë shumë të ndjeshme, ku mesazhi kryesor është që mos të keqpërdorim në emër të dëshmorëve të luftës dhe t’i trajtojmë kategoritë e luftës sa më mirë që është e mundur. Njëkohësisht të rregullojmë jetën sociale dhe ekonomike, e cila ndikon pastaj në shumë probleme të tjera.”- shprehet regjisori.  Padyshim që sfidat janë të pranishme tek secili artist dhe në këtë rast filmbërësit, duke pasur parasysh kushtet në të cilat punojmë në Kosovë, por një arritje e tillë siç është përzgjedhja për të qenë pjesë e garës në një nga kategoritë e Oscars është një lajm gati-gati i pabesueshëm edhe për vet regjisorin. “Nganjëherë është e pabesueshme, nganjëherë më duket normale, nganjëherë them se ne duhet ta kemi qëllim punën, pastaj rezultatet vijnë vetë. Nuk ka ndjenjë më të mirë për një filmbërës se sa t’i jepet mundësia të jetë pjesë e një gare kaq të madhe, edhe pse ende është herët të flasim për këtë konkurrencë apo pritje. Ne jemi duke e bërë punën e marketingut në Los Angelos, në mënyrë që të jemi prezentë sa më shumë, në mendjen e anëtarëve të Akademisë dhe të mbledhim sa më shumë vota për të siguruar një nominim në rrethin e ngushtë prej 9 filmave.”

Filmi “Home Sweet Home”, ka qenë pjesë e garës zyrtare në Karlovi Vary, në seksionin East West, gjatë muajit nëntor dhe dhjetor do të jetë pjesë e shumë festivaleve të tjera të rëndësishme si Festivali i Selanikut, i Kajros, India Cottbusi etj. Një rrugëtim sa i gjatë aq i rëndësishëm dhe me plotë emocione për të gjithë ne duke shpresuar që të takohemi sërish në edicionin 89 të akademisë më prestigjioze në botë të filmit.

admin

Artikujt e tjetrë