Letërsi

Skanderbeg Books shtëpia e nobelistëve

18557045_171649040031483_8828975646720430076_n

Edicioni i 19-të i Panairit të Librit në Prishtinë, edhe sivjet na njofton më autorë e nobelistë të shquar botërorë. Në mesin e shumë titujve tashmë të njohur botërisht, por edhe për lexuesin shqiptarë hasim nobelistët dhe romanet e tyre të fundit, të shqipëruara dhe të prezantuara në këtë panair nga Shtëpia Botuese, “Skanderbeg Books”.

Doris Lessing me “Sërish dashuri”, është një nga titujt që duhet lexuar patjetër për të njohur më mirë dashurinë e pamoshë. “Nobelistja angleze e vitit 2007 është një nga zërat femërorë më të fuqishëm të të gjitha kohërave, gruaja e betejave të mëdha të gjinisë së saj, modeli i miliona grave e burrave në të gjithë botën dhe shkrimtarja e të vërtetave të mëdha të kësaj bote plot me njolla të errëta nëpër parakalimin e saj civilizues,”-është shprehur shkrimtarja jonë e njohur Flutura Açka, botuese e “Skanderbeg Books. ”

Sipas Açkes, lexuesi e ka takuar edhe më herët këtë shkrimtare me librin “Fëmija i pestë”, një analizë e jashtëzakonshme mbi diktaturën dhe trendin populist, që ka pushtuar botën sot. Një largpamëse dhe ndjesi profetike, ajo solli në letërsinë botërore personazhin Ben, njëlloj siç mund të kishte thënë “Le Pen” (dhe të ngjashmit e saj) që zgjon ndershmërinë e turmave me ndjesitë e tij populiste. “Fëmija i pestë” dhe dy leximet e tij, një herë si histori e rëndomtë familjare dhe tjetër herë si traktat mbi diktaturat dhe rikthimet e frikshme të tyre, e bën këtë libër një nga ikonat e letërsisë botërore. Ndaj është ngjarje çdo libër i saj në shqip.

Disa fjalë mbi “Sërish dashuri”, të përkthyer nga Greta Përgjegji:

Sara Durham, një shkrimtare gjashtëdhjetepesëvjeçare që jeton në Londër, tashmë prej vitesh një grua e ve dhe nënë fëmijësh të rritur, është duke përgatitur me ekipin e saj të teatrit një dramë të re, të bazuar në ditarët dhe jetën e Xhuli Varion – një artisteje franceze e fillimit të shekullit, e cila ka jetuar në Martinike, muzika, pikturat dhe jeta e së cilës, kanë mahnitur shumë njerëz. Por ajo ka qenë një grua e pafat në dashuri, ndaj pasioni dhe pafatësia e saj do të hedhë pahun e vet edhe mbi këtë grup të joshur nga historia e saj dekada më pas. E rrëmbyer nga magjia e dramës që po shkruan dhe që po vihet në skenë në Angli dhe Francë, Sara e gjen një ditë veten ‘të helmuar’ nga dashuria ndaj Billit, një aktori të ri njëzetetetëvjeçar, dhe më vonë ndaj regjisorit të shfaqjes, Henrit, ndjesi që ndikojnë shumë në jetën e saj dhe gjithë atmosferën e dramës.

admin

Artikujt e tjetrë