Letërsi

“Qëllo, tashmë jam i vdekur” vjen në Panairin e Librit

Julia Navarro vjen në shqip me librin më të fundit “Qëllo, tashmë jam i vdekur” në Panairin e Librit që po mbahet në Pallatin e Rinisë, falë shtëpisë botuese “Dituria”. “Qëllo, tashmë jam i vdekur”, një roman i mrekullueshëm, i këndshëm në lexim, intrigues dhe sidomos që të përfshin. Julia Navarro tregon dy këndvështrime të së njëjtës histori në mënyrë të ekuilibruar dhe të drejtë. Arsyeja lëkundet nga njëra anë në tjetrën; ndonjëherë ti ndalon për të menduar “po, kanë të drejtë ata”, por pas disa faqeve të futet dyshimi ” Në fakt edhe të tjerët kanë arsyet e tyre”… Nuk ka një anë të drejtë dhe një të gabuar, të gjithë kanë arsyet e tyre dhe të gjithë gabimet e tyre.

Julia Navarro në Spanjë, por tani edhe në botë, është gjithmonë në krye të klasifikimeve letrare. Gazetar dhe eseiste, ajo konsiderohet sot edhe si një shkrimtar e madhe. Librat e saj janë përkthyer në më shumë se tridhjetë gjuhë, me tre milionë kopje të shitura. Lexuesi shqiptar e njeh Navarron për dy veprat e saj, “Vëllazëria e pëlhurës së shenjtë” dhe “Më thuaj kush jam”. Vepra  e fundit e Navarros e përkthyer në shqip, “Qëllo, tashmë jam i vdekur”, është një roman i madh historik, që i kushtohet bashkëjetesës së vështirë mes izraelitëve dhe palestinezëve, e parë kjo përmes historive, dashurive dhe miqësisë së dy familjeve.

“Qëllo, tashmë jam i vdekur” është me të vërtetë një roman i mirë, të cilin të gjithë duhet ta lexojnë, qoftë si në rrëfim për ngjarjet e ndryshme historike që kanë ndodhur nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë në ditët e sotme, qoftë për vlerat morale që janë të theksuara në këtë roman. Vlera që shpesh harrohen apo lihen mënjanë, por që mendoj se duhet të jenë baza e bashkëjetesës civile midis popujve.”- shprehet përkthyesja Flavia Kaba.

Historia zë fill në rrëfimin që do të dëgjojë Mariana, e ngarkuar nga një organizatë joqeveritare që të hartojë një raport për vendbanimet e hebrenjve në territoret palestineze, nga Aron Zukeri, një nga liderët shoqërorë të Izraelit.

Zukeri i tregon Marianës historinë e familjes, duke filluar nga fundi i shekullit XIX, kur, gjatë periudhës cariste, familja Zuker u dëbua nga Rusia. Në një kontekst historik të ndërlikuar, në një udhëtim që na çon nga Shën Petërburgu në Jerusalem, duke kaluar nëpër Varshavë e Paris, Julia Navarro përfshin aventurën epike të dy familjeve të destinuara për t’u përballur përmes tradhtive, vuajtjeve, dashurive të pamundura dhe ëndrrave të prera në mes, duke na dhënë historinë intensive dhe prekëse të dy burrave kurajozë, që ditën të kapërcenin dallimet politike e fetare falë miqësisë së tyre të pashembullt.

Libri do të promovohet ditën e shtunë.

qello

admin

Artikujt e tjetrë