Letërsi

“Pa heronj dhe pa bujë” në Panairin e Librit

Një roman përpirës, përkujtues, i trishtë dhe zemërdhënës njëkohësisht, një histori njerëzore që përcjell absurditetin dhe tëhuajzimin në qytetet e mëdha, dhembjen për vendlindjen e largët dhe të përvuajtur, kompleksitetin e luftës së Kosovës parë nga sytë e një fëmije. Është ky romani i parë i autorit Ndriçim Ademaj, që e sjellë Botimet Pegi në Panairin e Librit në Prishtinë.  “Mendoj se është një libër qe i ka munguar letërsisë sonë, që zakonisht kërkon të bëjë letërsi përmes idhujve. Në këtë libër, nuk ka idhuj, ka njerëz të mundur, të tradhtuar, herë-herë të harruar, që s’dinë të rrahin gjoksin, por rreken të mbijetojnë. Shkurt është një roman që fare mirë mund të ishte shkruar nga cilido autor që ka provuar mbi kurriz luftën dhe jo vetëm atë të vërtetën, por luftën e përditshme për të mbetur individ i pacenuar dhe i qetë mendërisht e shpirtërisht.”- shkruan redaktorja e librit, Aida Baro. Një histori që përshkon dy kohë, dy vende, dy përjetime të ndryshme në dukje të huaja për njëra-tjetrën. Heroi ynë lëkundet mes një dashurie të pavetëdijshme për Sarën dhe kujtimeve gjysmë të trishta – gjysmë gazmore të fëmijërisë së tij në Kosovë. Xhim-Nimi i gjendur në një shtrat spitali, në një të tashme që ai e vetë e quan “koha zero” (në kuptimin material dhe mendor të saj) rindërton me flashbeck-ë të vazhdueshëm, jetën e tij të deritashme. Ka shumë për të kujtuar nga e shkuara e afërt, e kaluar rrugëve të panjohura të Gjenevës, ku endet si një refugjat nga njëri bar në tjetrin, në kërkim të diçkaje që as ai vetë s’e di ç’është; por s’mbetet pas as rrëmimi në fëmijëri, marrëdhënia e vështirë dhe e dhunshme me të atin, dashuria ligështuese e së ëmës, nëpërkëmbja prej djemve të lagjes, flirtet e para të ëmbla me shoqet e klasës, për t’u përqendruar më tej te lufta e ashpër e serbëve kundër Kosovës, një luftë që parë nga sytë e fëmijëve herë tingëllon jo fort e egër, (fëmijët lumturohen kur mbyllet shkolla), herë shfaqet me gjithë makabritetin e saj. Autori nuk gjykon, ai thjesht rrëfen me një gjuhë të qartë, dhe herë pas here lë të nënkuptojë më shumë se ç’ka tregon. “Pa heronj dhe pa bujë”, do të promovohet ditën e enjte, në datën 8 qershor, ora 19:00, në Dit’ e Nat.

admin

Artikujt e tjetrë