Gruaja

Frymëzimi im në jetë mbetet im atë

Jehona Shyti përballë një sfide të re politike, në garë për deputete të Kuvendit të Kosovës, parimet dhe personat që e frymëzojnë në jetë. Një profil i saj në revistën Flatra, për ta njohur më mirë vajzën nga Mitrovica.

 

 Së pari mund të na flisni pak për veten tuaj, arsimimin dhe përvojën në punë?

Kam përfunduar studimet  dhe masterin në Universitetin e Prishtinës  në drejtimin penal- juridik ndërsa tashmë  prej disa vitesh jam pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës.  Kam nisur si këshilltare e Politike dhe shefe e Kabinetit të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shefe e Protokollit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe në pozitën e fundit këshilltare e Lartë Politike dhe shefe e Kabinetit të Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Në këtë rrugëtim timin institucional më duhet të theksojë se kam pasur privilegjin të punoj krah një prej personaliteteve të jetës politike dhe institucionale të Kosovës, z.Memli Krasniqin si dhe ta falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme që më ka dhënë gjatë këtyre viteve. Nga ana tjetër  kam pasur edhe angazhim politik që në moshë fare të re në Partinë Demokratike të Kosovës, aktualisht jam anëtare e Këshillit Drejtues të PDK-së dhe nënkryetare e PDK-së në Mitrovicë, 2007-2009 Këshilltare Komunale në Asamblenë Komunale të Mitrovicës, 2007-2012 Anëtare e Komisionit Statutar të Komunës së Mitrovicës nga radhët e PDK-së, 2006-2012 Anëtare e Kryesisë së Rinisë Demokratike të Kosovës/ PDK, 2010-2012 Koordinatore e Grupit për Politika të Rinisë në PDK.

Pse vendosët të garoni për deputete në Kuvendin e Kosovës, më 11 Qershor?

Të jem e sinqertë të jesh pjesë e institucioneve dhe politikës është në të vërtetë një përgjegjësi e madhe, të paktën unë kështu e ndjej. Nuk e shoh si një garë apo sfidë, për të parë në fund fituesin, jo përkundrazi, për mua personalisht, është një përgjegjësi e madhe, për të cilën kam biseduar së pari me familjarët e mi, miqtë, që më mbështesin pafund. Pastaj nuk duhet të harrojmë se Kosova është shteti me popullsinë më të re në Evropë, kam vlerësuar se gara për deputete në Kuvendin e Kosovës është një nga hapat e rëndësishëm për fuqizimin e rinisë, sepse kjo në vetvete do të thotë përgatitja e një klase të re politike, dhe nga ana tjetër sjellë përfaqësimin e të rinjve në institucionin më të lartë përfaqësues në vend. Sigurisht që një nga motivet kryesore është edhe hapësira që Partia Demokratike e Kosovës në vazhdimësi ia ka dhënë rinisë.

Cilat janë prioritetet apo çështjet për të cilat do të ngrini zërin nëse do të zgjidhni si deputete?

Një vend, i cili është gjithmonë në zhvillim e sipër, një shtet që aspiron të jetë sa më pranë familjes evropiane, por edhe një shoqëri që ka dalë nga lufta ka gjithmonë një mijë e një çështje për tu ngritur në Kuvend. Janë tri shtylla kryesore, të cilat do të më udhëheqin në Kuvend nëse qytetarët më japin besimin e tyre. Së pari, do të jetë zhvillimi ekonomik, një shoqëri e cila është e pavarur ekonomikisht, ka një stabilitet ekonomik është një shoqëri që di të ecë, mendojë dhe të zhvillohet më tej. Së dyti, ashtu edhe si e ka theksuar në fushatën elektorale kryetari i PDK-së, z.Kadri Veseli, do të jetë fuqizimi i gruas, një vlerësim më i madh i grave në të gjithë sektorët e shoqërisë. Kontributi i tyre në fakt, është përgjithësisht i kufizuar në nivele të larta vendimmarrëse, edhe në nivel lokal roli i grave nuk është shfrytëzuar plotësisht. Së treti, arti dhe kultura, vij nga një qytet, i cili i ka dhënë shumë kulturës shqiptare, Mitrovica përherë i ka kushtuar një vëmendje shumë të madhe pikërisht artit dhe kulturës, si një nga motorët kryesor të një vendi, imazhi më i bukur i një shteti. Do të përpiqem që sërish Mitrovica të bëhet adresa e artit dhe kulturës.

Cilat janë parimet apo personat që ju frymëzojnë dhe ju udhëheqin në jetën tuaj?

Jam rritur dhe edukuar në një familje e cila është udhëhequr gjithmonë nga parimet e drejtësisë, barazisë. Parime, të cilat e fisnikërojnë njeriun dhe e shtyjnë përpara në jetë pa frikë, pa droje, por me pasion. Kam qenë rrethuar dhe jam nga njerëz të cilët më frymëzojnë dhe më mbështesin çdo ditë në karrierën time. Megjithatë inspirimi im, lajtmotivi, guximi, puna e mirë dhe ndershme në jetë, në Kosovë mbetet im atë, Mustafë Shyti,  i cili mësimin më të mirë në jetë nuk ma ka dhënë vetëm me fjalë, në varg…. por edhe me vepra, duke u flijuar për lirinë e Kosovës.

admin

Artikujt e tjetrë