Kulturë

Xhudistet, përfaqësim i denjë i Kosovës

Xhudistet Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova, janë nderuar nga Ministria e Kulturës për rezultatet e arritura në Kampionatin Evropian të Xhudos, i cili është mbajtur në muajin prill të këtij viti, në Poloni.

Në bazë të rregullores për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët, që arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare, ministri Kujtim Shala, i ndau shpërblimin prej 20 mijë euro xhudistes Majlinda Kelmendi, e cila fitoi medaljen e artë në këtë kampionat në kategorinë deri në 52 kg. Xhudistes Nora Gjakova i takoi shpërblimi në vlerë prej tetë mijë euro, për fitoren e medaljes së bronztë në kategorinë deri në 57 kg. Ndërkaq, trajneri Driton Kuka, mori shpërblimin dhjetë mijë euro, si trajner i Majlinda Kelmendit dhe katër mijë euro si trajner i xhudistes Gjakova.

Ministri Shala është shprehur se shpërblimet që ndan MKRS-ja për sportistët, të cilët arrijnë rezultate,  përveç se një lloj mirënjohje për ta, kanë për qëllim stimulimin e të rinjve të merren edhe më shumë me sport dhe të korrin rezultate sa më të larta, duke përfaqësuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ndërkaq, xhudistja Kelmendi, e falënderoi MKRS-në për shpërblimin dhe tha se do të angazhohet që Kosovës t’i sjellë edhe medalje të tjera. Ndërsa xhudistja Gjakova, tregoi se ndjehet e gëzuar që ka arritur të kthehet me medalje nga Kampionati Evropian pas lëndimit që ka pasur. Trajneri Kuka e falënderoi ministrin Shala dhe punën që po bën MKRS-ja në fushën e sportit. Ai përmendi mënyrën e financimit përmes memorandumeve si shumë pozitive dhe lehtësuese për punën e federatave, si dhe në përmirësimin e infrastrukturës ligjore që rregullon sportin.

admin

Artikujt e tjetrë