Kulturë

Zëri, barometri i shpirtit

Kultura është një e mirë e përbashkët… në këtë aspekt burimet artistike që e fuqizojnë atë janë të shumta, por në këtë numër po ju sjellim tenorin Liridon Sadriu, një talent të madh të operës shqiptare.

 Nga Erdi Bërxulli

 Tashmë ai po vlerësohet nga kritika për bukurinë vokale, stilin dhe ekspertizën teknike, një talent i theksuar për moshën e tij të re. Liridon Sadriu e filloi udhëtimin si një ëndërr drejt artit, në veçanti operës, ndërsa sot është një pjesë e rëndësishme e tyre. Në kurrikulumin e tij artistik meriton të gjithë respektin, ka nisur qysh fëmijë për të arritur në skena të mëdha të operës. Një nga profesionistët më të kërkuar të muzikës lirike në skenën tonë, por cilat ishin fillimet e rrugës së tij drejt suksesit? “Zanafilla ime për rrugën drejt suksesit ka qenë që nga fëmijëria meqenëse kam të kryer shkollën fillore dhe të mesme të muzikës, gjithashtu edhe fakultetin, zëri sa vjen dhe merr pjekurinë e duhur për interpretimin sa më të dinjitetshëm të muzikës lirike.” – shprehet Liridon Sadriu. Sigurisht që opera mbetet një nga zhanret më të mrekullueshme, magjike dhe hyjnore të muzikës ndërsa zëri është një instrument i pabesueshëm i intimitetit, një “barometër i shpirtit.” Megjithatë duket se ndikimi i muzikës që na shoqëron që në fëmijërinë tonë  si dhe kultivimi për shijen muzikore ndonjëherë mund të jenë edhe vendimtare. “Meqenëse që nga fëmijëria më ka shoqëruar talenti për muzikën me kohë jam orientuar dhe kanalizuar në profilin e muzikës operistike.” Nëse në fëmijëri opera për të ishte pasioni i tij më i madh sot është një profesion, të cilit ai i kushton kohën më të  madhe, për të qenë pikërisht një tenor i suksesshëm. “Një tenor të suksesshëm, mendoj, se e bënë puna e pa ndërprerë dhe përkushtimi i madh ndaj profesionit.” E në hapat që Liridon Sadriu ka zgjedhur me kujdes të hedh në këtë fushë sa dinjitoze, po aq edhe të vështirë, ka pasur shembujt dhe mitet e veta, të cilat e kanë frymëzuar gjithmonë, por kush ka qenë më i rëndësishmi?!  “Një shembull apo tenor, ndër më të mirët në skenën botërore të operës, që më ka influencuar, që unë të merrem me këtë lloj të muzikës operistike ka qenë tenori, Luciano Pavarotti.”

Kur arti kthehet në forcë

Për tenorin Liridon Sadriun nuk ka pasur asnjë moment të vetëm “kaq ishte, nuk mund të vazhdoj më…”, jo se arti në Kosovë është një fushë, që nuk njeh krizën, por sepse sfida personale e tij ka qenë shumë e madhe. “Të them të drejtën deri sot asnjëherë nuk i kam thënë vehtes mjaft kaq ishte. Përkundrazi pas çdo koncerti që kam përfunduar i kam thënë vehtes duhesh të vazhdosh të punosh edhe më shumë.” Një artist që mbi të gjitha lë pas të gjitha sakrificat dhe vështirësitë që janë pafund sot në Kosovë dhe përpiqet të ecë përpara, të triumfojë, që zëri i tij të dëgjohet deri “në kupë të qiellit”. “Arti në Kosovë mendoj se ka goxha shpërfillje, veçanërisht, në këto vitet e pas luftës e deri më sot… lus Zotin që kjo gjendje të ndryshojë në drejtimin e duhur për kulturën kosovare.” Në fakt, në karrierën e tij personale ka pasur ndryshime të mëdha, kthesa të rëndësishme dhe kjo falë vullnetit dhe talentit të tij, momente të paharrueshme për atë. “Prej momenteve më të rëndësishme deri më sot në karrierën time ishte ftesa që mu bë nga organizatori i koncertit 3 Tenorët, z.Edmond Tullumani, koncert ky që u mbajt në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Ku pata fatin të këndoj së bashku me dy miqtë e mi, njëherësh tenorë të mrekullueshëm, Ramë Lahaj dhe Faik Hondozi, të dy këta nga Kosova, që shfrytëzoj t’i përshëndes që të dy po ashtu në këtë koncert pata fatin të takoj dhe dëgjoj artistin tonë të madh, violinistin e mrekullueshëm, Shkëlzen Doli.”

admin

Artikujt e tjetrë