Letërsi

Anton Pashku, fenomeni letrar

Vizioni largpamës i veprës së Pashkut, realizohet përmes strukturimit të nëntekstit ironik të rrëfimit. Kjo gjë e nxitë dhe e motivon pareshtur lexuesin, që ta kërkojë atë që nuk thuhet, atë që duke heshtur, e bënë lexuesin të jetë zëri kryesor.

Është shënuar 80 vjetori i lindjes së shkrimtarit të shquar, Anton Pashku. Me këtë rast në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u mbajt një konferencë shkencore në të cilën u paraqiten kumtesa të ndryshme dedikuar jetës dhe veprës së mjeshtrit të penës. Përveç kësaj konference, e cila ishte organizuar në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, të ftuarit patën rastin të shohin edhe disa nga veprat e shkrimtarit, analiza të realizuara për veprën e tij, shkrimet e Pashkut përgjatë viteve të publikuara në Rilindje dhe Fjala, në një ekspozitë e hapur  në hollin  e bibliotekës “Pjetër Bogdani”, në nderim të veprës dhe jetës së shkrimtarit në këtë 80 vjetor të lindjes së tij. Anton Pashku lindi në vitin 1937 në Grazhdanik të Prizrenit. Kishte përfunduar  Gjimnazin në Prishtinë dhe gjithë kohën punoi në Rilindje, në cilësinë e gazetarit e më vonë  si redaktor i rubrikës së kulturës në njëzet vjetët e fundit.

18553683_10210892043594978_840301548_o

Tregimet pashkiane shquhen me tri qarqe themelore tematike; ai i temës së dashurisë, i vetmisë, të kërkuar dhe të kushtëzuar nga një totalitarizëm; dhe qarku tematik për dhunën mbi individin. Tregimet e tij antologjike janë: “Nën qarr po rrinte vasha”, “Floçka”, “Kulla”, “Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë” etj. Me vlerat e veta të pakontestueshme artistike, romani “Oh” ka shkaktuar një ndikim të ngadalshëm, por të thellë në prozën shqipe, që nga koha e shfaqjes së tij. Dramat e Pashkut “Sinkopa” e “Gof” janë luajtur në Teatrin e Kosovës, në Teatrin ITD të Zagrebit, në Teatrin e Shkupit dhe në teatro të tjera të shqiptarëve. Vepra e tij letrare, është bërë vlerë kulturore kombëtare dhe tashmë është materie, që mësohet në të gjitha nivelet e shkollave shqipe, ku ligjërohet letërsia bashkëkohore shqipe.

Por për çfarë shkruante dhe si shkruante Anton Pashku, kur ende nuk i kishte mbushur të njëzetat? Ai solli një frymë krejtësisht moderne në traditën e prozës shqiptare. Çështja bosht në rrëfimin romanor të Anton Pashkut është veçanërisht vetëdija e autorit për pozitën e tij dhe perspektiva e synimit të këtij rrëfimi. Shtresimin ironik gjatë gjithë rrëfimit, rrëfimtari do ta derdhë e ta përhapë tërthorazi, e jo si deklarim të qëllimshëm dhe moralizues. Reflekset ironike dhe aludive përjetohen drejtpërsëdrejti nga lexuesi dhe janë më mbresëlënëse se një fotografi e gjallë e një realiteti absurd. Rrëfimtari e nis udhëtimin nga një kohë e pacaktuar që gjatë ecjes fiton peshën e një vatre të gjallë dhe jehona e reflekseve të së kaluarës shfaqet si përsërítje e pafund e dramës sonë kombëtare. Ky vizion i fuqishëm dhe largpamës i veprës së Pashkut që përbën tharmin krijues të tij, realizohet përmes strukturimit të nëntekstit ironik të rrëfimit. Kjo gjë e nxit dhe e motivon pareshtur lexuesin, që ta kërkojë atë që nuk thuhet, atë që duke heshtur, e bën lexuesin të jetë zëri kryesor

 

 

admin

Artikujt e tjetrë