Gruaja

Vullnetarizmi si vlerë e shoqërisë

Vajzat si Albesa Aliu përfaqësojnë atë çka është e shkëlqyer, frymëzojnë të tjerë dhe kanë përkushtim me pasion ndaj sjelljes së ndryshimit brenda komuniteteve ku shërbejnë. Vajza si ajo që zbulojnë shtigje të reja dhe kapërcejnë pengesa, ndërkohë që rendin drejt përparimit dhe begatisë për brezat që do të vijnë.

Na flisni pak për veten tuaj?

Po përfundoj studimet në Psikologjisë në Hellenic American University në Athinë, i cili u përshtat më së miri me interesin dhe kuriozitetin tim që të kuptoj më mirë sjelljet e njerëzve. Qëllimi im është që të jem në një pozitë, nga e cila mund të mësoj më shumë rreth përfshirjes civile dhe se si mundet shoqëria civile t’i formosoj vendet demokratike, sidomos vendet në tranzicion si Kosova. Në 2012 isha bashkë-themeluese e “Change”, një OJQ e vendosur në Gjilan, misioni i së cilës ishte që të inkurajonim dhe të fuqizojmë të rinjtë për proceset vendim-marrëse; thjeshtë duke ofruar mjete dhe projekte për t’i lejuar që të bëhen qytetarë më aktiv. Change ka qenë një hap i rëndësishëm për të kuptuar se ku qëndron pasioni im, nëpërmjet saj e kam kuptuar se do të doja të vazhdoj kontributin tim në sektorin e shoqërisë civile, dhe thirrjes sime për t’ju shërbyer komuniteteve dhe  të fuqizoj angazhimin qytetarë.  Duke jetuar e duke u rritur këto 4 vitet e fundit në një shoqëri diverse si ajo e Athinës, pa dyshim se kam pasur mundësi të punoj, të kuptoj dhe të njoh karakteristikat kulturore të vendit. Llojshmëri e nevojave që komunitetet kanë dhe se si mund të zgjedhen këto çështje nëpërmjet forcave të bashkuara.

Në fokus të aktivizmit tuaj është promovimi i vullnetarizmit dhe qytetarisë aktive, pse pikërisht kjo fushë?

Pse vullnetarizmi? Po e filloj me këtë thënie, “Vullnetarët nuk paguhen jo sepse nuk kanë vlerë, por sepse nuk ka çmim që paguan për kontributin e tyre.” Kjo është një shprehje e thënë nga Sherry Anderson, e njohur si autore që promovon vlerat e vullnetarizmit, definim ky për një strategji të rëndësishme për të nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve në ndryshimin dhe zhvillimin shoqëror.  Edhe pse aktivitetet vullnetare kanë qenë të pranishme ndër vite në shoqërinë tonë, akoma mungon një definim i qartë dhe organizim sistematik rreth vullnetarizmit në Kosovë. Vullnetarizmi kuptohet më shumë si bamirësi (ndihma materiale) e më pak si aktivitet shoqëror.   Në anën tjetër, ekziston mungesën e infrastrukturës ligjore rreth vullnetarizmit. Puna vullnetare është e përfshirë në “Ligjin për përfshirjen e rinisë”, megjithatë, kjo nuk vlen për moshat e tjera. Andaj, edhe pse ekzistojnë organizata që promovojnë vullnetarizmin nëpërmjet programeve të tyre, ende vazhdon mungesa e programeve gjithëpërfshirëse dhe institucionale.
Nga përvoja personale, kam parë se si një organizim i mirë i aktiviteteve vullnetare mund të mbështesë komunitetet të ndryshme të shoqërisë. Pra, ta shndërroj shoqërinë aktive duke marrë rol proaktiv ndaj problemeve e jo duke u ankuar në mënyrë pasive. E sidomos, për të rinjtë adoleshent që janë në fazën e krizës së identitetit, organizimi i aktiviteteve të tilla do t’ju ofroj mundësi që të kuptojnë se çfarë dëshirojnë, të kuptojnë rolin e tyre në shoqëri duke e përmbushur nevojën bazike të çdo individi për të qenë pjesë e një grupi shoqëror. Gjatë këtyre viteve kam pasur mundësi të udhëtoj në vende të ndryshme të botës dhe të mësoj nga praktika të ndryshme.

Ajo që më ka lënë përshtypje është ndërlidhje adekuate të organizatave studentore dhe aktiviteteve të shoqërisë civile, ku pata rastin t’i shohë gjatë vizitës time studimore në Amerikë, ku një pjesë e rëndësishme e kurrikulumës dhe buxhetit fokusohet në kyçjen aktive të studentëve në aktivitetet e shoqërisë civile.  E njëjta vlen për Estoninë ku qasja ambientaliste zhvillohet shumë herët në programet vullnetare dhe reflektohet në vend – ku pata rastin të shohë dhe kuptoj se Tallini është një ndër qytetet më të gjelbërta në botë. Në anën tjetër, gjatë vizitës në Lituani mësova rreth mënyrave kreative për të ngritur vetëdije tek nxënësit, duke përdorur lojërat online për të aktualizuar çështje të ndërlidhura më komunitetin, shkollën apo vullnetarizmin.

Në Holandë, bashkë me kolegë  krijuam një video rreth ksenofobisë dhe imigrimit, tema të cilat mund të trajtohen nga të rinjtë nëpërmjet mediave digjitale, pra në këtë mënyrë të fuqizojmë rizgjedhjen e problemeve  me pikëpamje të ngjashme.  Për tu kthyer me realitetin në Kosovë dhe për të mos e harruar historinë, në kohë të vështira për Kosovën ishin studentët ata që organizoheshin dhe prezantonin kërkesat e popullit tonë. Ndoshta, për një student të mjekësisë, vullnetarizmi mund të tingëllojë jo relevant për karrierën e tij, mirëpo, nëse shpresat janë të vogla për punësim pas përfundimit të studimeve dhe nëse ai nuk kontribuon në asnjë formë për të shprehur pakënaqësinë, studenti do të jetë vetë përgjegjës për këtë situate, pra, për qasjen e tij pasive. Imagjinojeni, kur ky shembull vlen për një numër të madh studentësh që problemeve shoqërore u qasen si spektatorë, e jo si forcë ndryshuese. Duhet të mësojmë nga praktikat e mira në botë dhe të reagojmë në rrethet tona të ndikimit për të parandaluar problemet qysh herët e jo duke soditur dhe larguar përgjegjësinë individuale.

Cili është mendimi juaj për lëvizjet feministe në Kosovë?

Unë e shohë feminizmin si një përgjigje të nevojshme ndaj konstrukteve shoqërore që ngërthejnë pabarazi në vete, e që për një numër të konsiderueshëm të grave në Kosovë këto mund të jenë edhe të pa identifikuara. Në Psikologji e analizojmë se si  shpesh herë individi mund të mësohet me një rol apo normë shoqërore e që për të është e vështirë ta identifikoi se është bllokuar në një mentalitet që është i dëmshëm. Besoj se e njëjta vlen për shumë nga gratë tona që janë mësuar me patriarkalitetin historik. Gjithsesi, qasja patriarkale është sfidë globale, mirëpo në Kosovë flasim për tema bazike sikurse “e drejta në trashëgimi pronësore” “pjesëmarrja e pabarabartë në treg të punës”, “standardet e dyfishta rreth marrëdhënieve seksuale” e shumë pika të tjera të cilat janë të ndërlidhura dhe që mbajnë gratë në një rreth vicioz. Megjithatë, besoj se duhet të kemi kujdes në mënyrën se si adresojmë mesazhet vetëdijësuese.

Unë shpesh herë kam parë se meshkujt ndjehen të sulmuar nga këto mesazhe, dhe besoj se kjo duhet të jetë një shenjë që të përfshihen dhe ata në këto fushata, pasi që qëllimi është të jemi miq në këto kauzë të drejtë e jo të krijojmë ndasi sikurse “gratë janë më të mira në komunikim” “burrat janë më jo tolerant”.  E vërej se  kategorizimi “bardh e zi” është shumë i pranishëm në shumicën e debateve në shoqërinë tonë. Kjo qasje nuk na ndihmon ta shohim realitetin apo t’i komunikojmë qartas brengat e njerëzve që i përfaqësojmë e që punojmë me ta. Nëse i drejtohemi bashkëfolësit “je i prapambetur” ose “je abuzues”, kjo nënkupton se çfarë thua nuk ka rëndësi, jam këtu t’i vlerëso vetëm mendimet personale. Uroj të shoh më shumë debate konstruktive, e njerëz që komunikojnë për të mësuar diçka të re.  Pra, qëllimi të jetë një qasje e pranueshme dhe që nxit të menduar e ndryshim e jo sulme kundërvënëse.

Realisht çfarë roli kanë gratë në politikë apo jetën publike në vend?

Gratë në politikë kanë rolin e përshkruar varësisht nga pozita politike që mbajnë.  E them me ironi “uroj të mos dëgjoj këtë pyetje përsëri”, pasi që nuk ndodh të pyesim “Çfarë roli kanë burrat në politikë?”. Gjithsesi, pa ofendim ndaj pyetjes, të gjitha pyetjet janë mundësi informimi; më duhet të adresoj opinionin tim. Besoj se përgjegjësia e një politikani do të duhej adresoj nevojat e të gjithë qytetarëve pa dallim gjinie, duke konsideruar potencialin e njëjtë që mund të posedojnë. Mendoj se jemi në një kohë që nuk duhet të merremi me pyetje sikurse a kanë gratë potencial të përfaqësojnë, pasi që kjo do duhej të jetë logjikë e thjeshtë.  Ndoshta mund të pyesim se sa përfaqësohen edhe individët që i përkasin komuniteteve si “LGBT” apo “Queer”, pra të mos kemi standarde të dyfishta kur flasim për pranimin dhe përfaqësimin e gjitha grupeve të shoqërisë. Unë besoj se gratë në politikë duhet të jenë mbështetëse ndaj njëra tjetrës. Për shkak të mundësisë që kanë t’i adresohen qytetarëve që i votuan, besoj se përfaqësuesit tanë  duhet të shfrytëzojnë këto fuqi që të nxisin mendimin kritik në masë e të ketë më pak retorika populliste gjatë debateve me qytetarë.

Çfarë duhet të bëhet që të kemi më shumë gra të angazhuara në proceset politike në vend?

Duke pasur parasysh rrethet e mia të ndikimit, kam kuptuar që nxitja e mendimit kritik na ndihmon që të fuqizojmë individ që përfaqësojnë interesat tona politike dhe ndihmojnë që të formësojnë kohezionin shoqëror.  Kjo bëhet nëpërmjet programeve pragmatike e jo fushatave sipërfaqësore që jemi mësuar t’i shohim.  Duhet te mësojmë nga praktikat e rajonit por dhe botës.  Duke u dhënë mundësi të avancohen ekspertët në fushat përkatëse, e jo të kemi  stomatolog që përfaqësojnë poste diplomatike, duke konsideruar kapacitet e ekspertëve në vendin tonë. Dhe më duhet të ndaj me ju:  isha në Kosovë në një event të organizuar për gratë në politikë, ku shumica e grave dhe burrave prezent ishin përfaqësuese të ndonjë subjekti politik.

Gjatë sesioneve ishte e lehtë të observosh se mendimi kritik, qasja analitike ndaj problemeve shoqërore mungonin. Pjesëmarrësit ose lënin fajin plotësisht ndaj qeverisë duke akuzuar, ose nuk dilnin përtej qëndrimeve të partive të tyre.  Një shembull që më kujtohej, në një sesionin ku bisedonim për dëmet e nepotizmit e në sesion ishin ata që ishin të akuzuar për nepotizëm, një përfaqësuese politike u ngrit dhe bëri pyetjen ndaj ministrit “ Zotri ministër a ka ndonjë punë për mua..” duke sqaruar rastin e saj të dhimbshëm social. Pra jam kundër nepotizmit, por të lutem ministër gjeje një punë për mua. E që rastet e tilla janë të dhimbshme në aspekt social, mirëpo janë disa principe dhe rregulla politike që duhet të kuptohen mirë nga të gjithë ata që duan të përfaqësojnë interesat e popullit, e jo të shohin politikën vetëm si mundësi për avancim e prestigj individual.

 

 

 

admin

Artikujt e tjetrë