Gruaja

Vendimmarrja nuk është për ata që hezitojnë

Arjeta Spahiu foto2

E guximshme, e përkushtuar, me përgjegjësi maksimale në detyrën e saj, Arjeta Spahiu ka sfiduar paragjykimet e kohës e mentalitetin. Ajo nuk mendon se të qenët grua ndikon në udhëheqjen dhe kahen e karrierës së një individi, por të qenët udhëheqës i denjë dhe profesionist në profesionin që ushtrojmë.

Arjeta ka përfunduar studimet Master në Universitetin e Sheffield, për Administrim Biznesi dhe ka një eksperiencë të madhe në organizatat ndërkombëtare në Kosovë e Maqedoni, me një fushë të gjerë ekspertize në të Drejtën Penale si aktiviste e të Drejtave të Njeriut (Juriste e Diplomuar në UP). Duke mos u ndalur këtu, ajo përfundon hulumtimin e disertacionit të MBA-së me temën:“Coaching-u Ekzekutiv si metodë për rritjen e Inteligjencës Emocionale në Ekzekutivët e Sektorit Privat në Kosovë”. Aktualisht është trajnere e akredituar lidershipi nga The Ken Blanchard Companies me bazë në SHBA dhe përfaqësuese e së njëjtës në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, si dhe e vetmja femër, anëtare e bordit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Si mendoni për çështjen e grave në udhëheqje në kontekstin e karrierës tuaj?

Nuk e mendoj se të qenët grua ndërron apo influencon udhëheqjen dhe kahjen e karrierës së një individi. Të qenët udhëheqës i denjë si dhe profesionist në profesionin që ushtrojmë, influencohet nga kontrolli i emocioneve dhe paragjykimeve personale, indiferenca ndaj paragjykimeve shoqërore, si dhe shtytja dhe motivimi i brendshëm që mbështet në konfidencë për arritjen e qëllimeve profesionale që i caktojmë vetes. Thënë më shkurt: një person me inteligjencë emocionale të zhvilluar, shkathtësi sociale, njohuri teknike të profesionit dhe i aftë të motivoj veten në arritjen e caqeve, është formulë suksesi për cilindo, qoftë burrë apo grua.

Cilët janë disa nga shembujt, që ju keni vënë re gjatë viteve në lidhje me gratë në vendimmarrje dhe gjërat, që ato mund t’i bëjnë më mirë për ta çuar përpara karrierën e tyre?

Premisat që i bëjnë gratë e suksesshme nuk kanë dallim prej asaj se çka i bën burrat të suksesshëm. Fakti se kam gjininë femërore nuk ka luajtur rol në profesionalizmin tim gjatë eksperiencës sime. Vendimmarrja nuk është për ata që hezitojnë e sidomos nuk është aftësi që mund t’ju dhuroi dikush. Vendimmarrja është e lidhur ngushtë me afinitetin e udhëheqësit dhe dëshirës që të jesh në shërbim të të tjerëve. Askush nuk mund të ta dhurojë epitetin udhëheqësit. Udhëheqësia gabimisht ndonjëherë kuptohet si pozitë; në fakt, udhëheqësia është veprim i një individi që është në shërbim të të tjerëve. Ajo nuk dhurohet, por fitohet, sikurse edhe respekti. Tek ne flitet aq shumë për gratë në biznes, gratë në politikë, gratë në udhëheqësi, “gratë aty” apo “gratë këtu”, gjë që të bën të kuptosh se nëse gratë janë në veprim udhëheqës atëherë është diçka jashtë norme dhe “fenomen i rrallë”!!! Në profesionalizmin e personit gjinia nuk luan rol, pasi që profesionalizmi i një individi varet nga karakteri që është determinuar që nga miksi gjenetik, rrethi social, ushqimi i afiniteteve të lindura, e shumë premisa sociale e familjare që e krijojnë identitetin e një individi. NJË PROFESIONIST ËSHTË PA GJINI.

Keni disa vite që jeni pjesë e pozitave të rëndësishme dhe e vetmja grua në një bord po ashtu të rëndësishëm. Keni vëzhguar diçka në lidhej me sfidat me të cilat përballen gratë specifikisht në pozita të tilla vendimmarrëse?

Gjatë rrugëtimit tim profesional nuk kam hasë në sfidë që do t’ia atribuoja gjinisë. Ndoshta për arsye se kam qenë fëmijë i vetëm dhe anën time femërore dhe atë mashkullore e kam balancuar pasi që kam punuar detyra të shtëpisë prej prerjes së druve e deri te larja e enëve. Ndoshta edhe kjo më ka influencuar që të mos e shoh gjininë si diçka të rëndësishme në zhvillimin e karakterit personal dhe profesional.  Secili individ ka një “detektor” që percepton nëse një individ tjetër vepron me integritet d.m.th kur ana e brendshme reflekton anën e jashtme të individit. Kur individët e detektojnë që je konsistent në atë që thua dhe atë që bën, respekti dhe akceptimi është i paevitueshëm, qoftë mes grash qoftë mes burrash. Bazuar në atë më lartë, pozitat vendimmarrëse me janë imponuar në mënyrë shumë natyrale për arsye se bashkë-punonjësit e kanë çmuar mundin dhe determinimin tim të filloj një proces dhe ta shtyj deri në fund. Fundi është poashtu i rëndësishëm sa edhe fillimi i diçkaje, se individët në fillim janë të entuziazmuar për diçka të re mirëpo kah mesi dhe fundi bie entuziazmi, pasiqë planet asnjëherë nuk realizohen 100% dhe nevojiten modifikime gjatë rrugëtimit. Gjithashtu për shkak të asaj që marr vendime duke bartë edhe pasojat e vendimmarrjes, është një atribut që është vlerësuar tek bashkë-punonjësit.   

Një tjetër përvojë që ju ndani me tjerët është puna juaj si trajnere dhe coach, por cila është konkretisht e çfarë do të thotë për ju personalisht dhe për ata që kanë mundësi të jenë pjesë e trajnimeve ose coaching?

Trajnimet dallojnë rrënjësisht nga coaching. Trajnimet konsistojnë në ligjërim dhe interaksion aktiv të pjesëmarrësve, ku ata mësojnë diçka të re dhe e praktikojnë atë që është mësuar. Coaching-u është totalisht diçka tjetër që ngjason më shumë në terapi apo sesion psikologjik me dallim se klienti në coaching është person pa probleme psikologjike e emocionale, plotësisht funksional dhe profesionist, por coach i mundëson përmes metodave të coaching-ut zgjerim të vizioneve dhe qasje objektive në çfarëdo sfidë profesionale që ka klienti, për arsye se duke u marrë me punë të përditshme kufizohemi në punë të vogla dhe harrojmë vizionin. Në terapi dhe sesione psikologjike, kemi të bëjmë me klient që kanë sfida psikologjike e emocionale, e që nuk është domeni apo fushe-veprimi im. Coaching-u dhe trajnimet i mundësojnë participuesve respektivisht klientëve, hapjen e një shtegu të ri të të menduarit, sepse çdo gjë fillon nga mendimet e brendshme të individit, që reflektohen me sjelljen e po atij individi. Sukses nuk mund të ketë as në trajnim e as në coaching, nëse individi nuk dëshiron ndryshim. Nëse paraqesim në mënyrë metaforike, individi është si një alpinist që do të pushtoi një majë mali, por nuk është i sigurt nëse e di rrugën. Derisa trajneri ia jep itinerarin e rrugës dhe alpinisti e përcjell me përpikëri guidën, coach i tregon majën e malit klientit dhe sugjeron se kah cilat shtigje duhet fokusuar (pa treguar rrugën) duke e nxitur në eksplorim më detajues. Të dytë arrijnë në majë, edhe pjesëmarrësi i trajnimit edhe klienti i coaching, por derisa pjesëmarrësi i trajnimit ndjen se e ka përcjellë guidën e trajnimit që ka arritë në maje, klienti i coaching ndjen se ia ka dalë vet ta gjej rrugën deri atje.

Njerëzit shpesh pyesin veten në lidhje me dallimet në mes të asaj se si udhëheqin burrat e si gratë. Ju çfarë mendoni në lidhje me këtë?

Për mua është jo-qenësore të bëhet një dallim i tillë, për arsye se jam idhtare e të menduarit se karakteri i udhëheqësit dhe krijimi i personalitetit të individit është proces i mendjes dhe gjinia nuk luan rol. Dallimi i vetëm në mes burrave edhe grave është tek procesi riprodhues ku Buda, Allahu, Krishti, Natyra edhe Totemet e kanë pasë fjalën e fundit dhe i kanë caktuar secilës gjini detyra të ndryshme. Pra secili individ që është i gatshëm t’ju shërbej të tjerëve, të mbaj barrën e udhëheqjes, të marr përsipër disfatat por t’ju atribuoj suksesin njerëzve që i udhëheq, është udhëheqës me plotëkuptim të fjalës. Të gjithë jemi udhëheqës pasiqë të gjithë ne e influencojmë dikë në mënyrë të vetëdijshme apo të pa vetëdijshme.

Cili është vendimi më i mirë dhe më i keq që keni ndërmarr ndonjëherë?

Vendimi më i mirë profesional që kam marrë ndonjëherë është të trajnohem dhe akreditohem si coach, për arsye se shkencat e sjelljes gjithmonë më kanë pëlqyer dhe me pasion kam lexuar Freud, Pavlov, Jung, Erikson, histori të Bonaparte’s dhe figurave të ndryshme historike, duke kërkuar të mësoj se pse individët sillen në mënyra të ndryshme dhe cilët janë shtytësit intern dhe faktorët e jashtëm që influencojnë sjelljen e tyre. Nuk kam marrë vendime të këqija gjer tani për arsye se para se të vendos për diçka, logjikisht vlerësoj opsionet e mundshme, por më së shumti mbështetem në intuitë që zhvillohet edhe më tepër nga eksperienca dhe e cila nuk më ka zhgënjyer gjer tani.

Cila do të jetë sfida më e madhe për gratë e së ardhmes?

Për gratë në Kosovë sfida më e madhe është që të dalin nga grupimet, tubimet e forumet e ndryshme të grave. Nëse do të jesh e barabartë atëherë vepro si e barabartë duke u bazuar në forcën tënde dhe duke marrë pjesë kudo, pavarësisht a ka burra apo gra. Tubimet e grave nuk i parapëlqej dhe nuk marr pjesë për arsye se nuk mendoj që gratë duhet të bëhen “tubë” që t’iu ndihet zëri. Ky është mendimi im personal, dhe besoj se nëse do me të vërtetë të jesh shtytëse e ndryshimeve, duhet pa-pardon të kërkosh atë që mendon se mund t’ja dalësh. Nëse do të jesh e barabartë me burrat, vepro si e tillë dhe mos prit diskriminimin pozitiv dhe favorizma e preferencializma vetëm e vetëm pse je grua. Është interesant se flitet shumë për betejën mes gjinive e nuk flitet për betejën e gjinisë së njëjtë pasiqë sfida më e madhe për gratë janë vetë gratë që në mënyrë direkte apo indirekte janë faktorë pengues. Është një thënie se “vajzat konkurrojnë me njëra-tjetrën ndërsa gratë fuqizojnë njëra-tjetrën”. Krejt çka mund të them është se në vend që të ndjeheni të bezdisur me suksesin e tjetrës/tjetrit, merreni si forcë pozitive e shtytëse, pa u munduar t’ia minimizoni suksesin.  Krejt në fund dua të them se suksesi i një individi varet ekskluzivisht nga forca e vullnetit të brendshëm, puna, qëndrueshmëria si dhe determinimi në caqet e caktuara. Nuk ka justifikime apo rrugë të lehtë! Edhe në qoftë se ndonjë individ arrin në mënyrë të lehtë e jo-meritore, siç ndodh kudo por më shumë është evidente tek ne, nuk është afatgjate dhe herët ose vonë rrethi detekton jo-konsistencën, mungesën e integritetit dhe kongruencës. Veprat e artit janë të bëra me pasion dhe ngadalë, andaj mundohuni të bëni art në çfarëdo profesioni që ndërmerrni. Eugene Ionesco dramaturg francez ka thënë: “Veprat e artit janë aventurë e mendjes” – mos ngurroni të bëni art në çfarëdo që bëni!

admin

Artikujt e tjetrë

  • Arta Ibishi- Çitaku

    Arijeta, t’lumt për shkrimin, i tëri më pëleu po ky paragraf me mbeti më i pëlqyeri se flet për një dukuri që mungon në shoqërinë tone, vetmotivimi dhe t’jetuarit e të sotmës.

    “Një person me inteligjencë emocionale të zhvilluar, shkathtësi sociale, njohuri teknike të profesionit dhe i aftë të motivoj veten në arritjen e caqeve, është formulë suksesi për cilindo, qoftë burrë apo grua”.