Gruaja

Stoli me rrahje zemre

Të shtrenjta, të veçanta, me ngjyra, dizajne, klasike apo komplekse. Stolia është një dhuratë për atë që e bën dhe një investim për atë që e merr.  Shpesh, shërben edhe për të komunikuar diçka që mund të jetë një premtim, një ndjenjë apo rrahje zemre. Saba Berisha Ismajli, krijuesja e mijërave stolive, kryesisht të bakrit, në Flatra rrëfen pasionin dhe punën e saj.

Për njerëz të veçantë duhen gjëra unike. Një dilemë, të cilën mund ta hiqni menjëherë nëse doni të bëni një dhuratë të tillë apo doni që nëpërmjet stolive të ndryshme të flisni edhe për personalitetin tuaj…Terra, dyqani ku gërshetohet stolitë me artin, dhe piktorja Saba Berisha Ismajli është krijuesja e tyre. “Duke u rritur në një atelie, me një baba piktor, krijues, shkrimtar, gjithmonë kam pasur rastin të krijoj diçka. Si e vogël kam eksperimentuar me stolitë duke i rimodeluar, krahas pikturës që jam marr, por kjo do të mbetej një hobi sepse u regjistrova në Fakultetin e Arteve, dega pikturë. Më vonë do tu rikthehesha stolive të bakrit, ku gjatë kohës së luftës do ta merrja si përvojë në Turqi. Më vonë do të hapja dyqanin tim Terra, ku prej disa vitesh tashmë i jam përkushtuar krijimit të stolive nga bakri. Në të dyja punoj me dashuri, por ndërsa pikturën e mbaj për vete, dizajnimi i stolive është bërë mbi të gjitha një prioritet për mua, meqenëse unë çdo punë e bëj me rrahjet e zemrës. Sigurisht që duke punuar tashmë prej disa vitesh, krijimi i çdo stolie bën që unë ta vendos veten në anën e klientit, duke ngritur pikëpyetjet që ai bën, për të arritur te një punim, i cili do të reflektojë sa klientin, po aq edhe personalitetin tim.”- shprehet Saba Berisha Ismajli.

DSC01681DSC01707[1]

Në të gjen pak nga personaliteti i babait të saj, piktorit të madh, Budim Berishës, pak nga përvojat dhe pasionet që i kultivoi ndër vite dhe  pak nga pafajësia e fëmijëve, të cilët i kanë ndryshuar jetën. Një artiste që i shpalos të gjitha këto në art, në stoli, në copëza tregimesh, të cilat i mbartim ne, në veshjet apo trupin tonë.

“Të gjitha ngjyrat, format, gurët natyral si korale, amazonit, turkaz, ametist,  pak me qelq, çelik, bakër, pra gjithçka na rrethojnë në përditshmërinë tonë, janë pjesë e punës sime. Por më shumë veten e kam gjetur në bakër, dhe me të krijohet një stil më unik. Më frymëzon natyra, mendoj se bota e gjallë ka mjaft motivim për të gjetur diçka që të frymëzon, duke nisur nga gjallesat, bletët, fluturat, zogjtë të cilat “ i rrëmbejë” dhe i vendos në stolitë e mia. E gjitha jeta, udhëtimet, muzika, çastet e ndryshme përmblidhen të gjitha në këtë atelienë time të vogël.” – thotë Saba.

Të cilën e ka quajtur thjeshtë Terra… një fjalë, një premtim i mbajtur që nga koha e luftës kur iu desh të linte Kosovën, një premtim dhe mall për vendin e saj, ku do të kthehej një ditë dhe do të fillonte të ngrinte ngadalë ëndrrën. “Dashuria për tu kthyer këtu, në tokën time, dëshira për të pasur një atelie në Kosovë më ka ngërthyer fort dhe e quajta pikërisht Terra.”

E pamundur është të mos të ndalen këmbët para dyqanit të saj, kur kalon atypari, dizajnuar me aq kujdes dhe shije, Terra është një dyqan, i cili të joshë me gjithë atë krijimtari unike.

admin

Artikujt e tjetrë