Gruaja

Ndikimi i teknologjisë në jetën e përditshme

Prania e grave në pozita të larta të teknologjisë apo informatikës është ende e ulët, por gjërat po ndryshojnë shpejt dhe gra si Arta Shehu Zaimi, përbën një shembull në këtë aspekt. Gratë dhe teknologjia sot përbën një binom të rëndësishëm të suksesit, sipërmarrjeve dhe nga ana tjetër po përgatisin një brez të ri inovativ.

Arta Shehu Zaimi është bashkëthemeluese e Akademisë jCoders, akademi kjo që ka për qëllim edukimin e gjeneratave te reja duke nxitur  inovacion dhe kreativitet teknologjik, që nga mosha 8 vjeçare.  Një fokus i veçantë në sferën e teknologjisë informative, që ofron plan-program në programim, elektronikë dhe robotikë, gjithashtu edhe në programim të platformës mobile.  Arta bashkë me kolegen e saj Fionën, duke qenë se ishin të pasionuara pas profesionit të programimit, vendosën që të themelonin këtë akademi, në vitin 2015, duke ofruar për të interesuarit një sistem konkurrent me plan-programet shkollore, më anë të të cilave do të ndikonin në ngritjen e nivelit të edukimit në lëmi më të specializuara.

Arta tregon se jCoders i kushton rëndësi të veçantë punës praktike, pasi sipas saj çdo gjë mësohet duke provuar, si dhe mësimi nga gabimet është pjesë e kulturës së nxënësve të akademisë.

“Teknologjia informative është duke u bërë shtyllë në të gjitha profesionet. Njohuritë, kompetencat dhe shkathtësitë në fushën e IT-s, i pozicionon gjeneratat e reja në pozitën e vozitësit, si dhe i hap katalogun e profesioneve në shumë fusha. Unë jam programere dhe për ata që nuk e dinë saktë çfarë bënë një programer, atëherë do ta sqaroj duke treguar se ne përdorim gjuhë të ndryshme programuese për të ndërtuar sisteme kompjuterike, të cilat shërbejnë në sektorë të ndryshëm. Programerët në fushën e teknologjisë informative kanë rolin e’ krijuesve software-ik. Nxitja e gjeneratave të reja, në një profesion inovativ, i mëson ata të mendojnë ndryshe, të kenë perspektivë tjetër si përdorues të teknologjisë, si dhe u zhvillon mënyrën e të të menduarit.”

Arta gjithashtu vë në pah faktin se ky profesion kërkon një përkushtim e vullnet më të madh, në mënyrë që të realizohet me sukses. Ajo thotë se në jCoders ka shumë elemente, të cilat e bëjnë inspiruese punën e tyre .

“Aty kemi ndeshë profesionin teknik me edukimin dhe jemi duke ndërtuar një sistem, i cili mundëson krijimin për më të vegjlit tanë. Ofrimi i mundësisë që njohuri të tilla të fitohen në moshë të re, për ne nxit shpresë dhe kureshtje për të ardhmen. Presim me padurim tës shohim kreacionet teknologjike të nxënësve tonë, si dhe jehonën e këtyre kreacioneve. Dëshira që gjithmonë të ofrojmë më të mirën dhe të gjejmë mënyra praktike, zbavitëse për t’i afruar fëmijët me shkencën është punë ditore e jona.”

 Ndërkaq kur e pyesim se cilat janë tri gjërat, që i do më shumë në punën e saj, ajo thotë se është fuqia e krijimit, e cila mundësohet nga njohuri në fushën e teknologjisë, pastaj është ndërtimi i gjeneratave të reja, ku shohim dashurinë e mbjellë tek ta për të ndjekur profesione teknike në të ardhmen dhe puna ekipore e stafit në jCoders, që punon me shumë vullnet për të ofruar më të mirën për nxënësit tanë.

Ana tjetër e medaljes vlen edhe për profesionin e programerit. Arta thotë se ekzistojnë stereotipa të ndryshme, e një nga ta është ai gjinor, që është më i zakonshmi.

“Unë kam pasur fatin të punoj me kolegë, të cilët kanë vlerësuar punën. Mendoj që duhet të punohet shumë në edukim të fëmijëve, që mos të kategorizojnë profesionet sipas gjinisë dhe të konsiderohen profesionet në bazë të preferencave dhe aftësive. Mendoj se sektori i IT ka nevojë për persona të aftësuar, që do të thotë gra e burra të aftë për profesione të tilla. Duhet tu japim mundësinë vajzave që të provojnë një profesion të tillë. Kodi dhe teknologjia nuk njeh gjini, prandaj mendoj që duhet dhënë mundësi të barabarta të gjithë atyre që e duan këtë profesion dhe dëshirojnë të avancohen. Mendoj që vajzat duhet të inkurajohen të provojnë dhe mos ta diskualifikojnë veten, vetëm se mund ta shohin fushën e teknologjisë informative si  profesion mashkullor. Suksesi ne pune, dhe arritjet duhet të varen nga aftësitë për profesionin e teknologjisë informative.”

Pavarësisht sfidave, të cilat mund të hasen gjatë këtij profesioni, Arta i këshillon vajzat dhe djemtë që janë të interesuar të edukohen në këtë drejtim, të provojnë dhe të sfidohen duke dhe mos te frikësohen nga gabimet.

“Fusha e teknologjisë informative është fushë, e cila përfshinë profesione të shumta dhe mendoj se duhet të shtyhemi që të provojmë, të sfidohemi dhe të mësojmë nga gabimet tona dhe të tjerëve. jCoders ofron mundësinë për të provuar veten ne krijimin teknologjik dhe besoj se shumë më shumë profesionistë do të jenë të përfshirë nëse e mundësojmë, që secili të provon krijimin në fushën e teknologjisë.”

 

admin

Artikujt e tjetrë