Kulturë

Puthje e ngrohtësi në Termokiss

Nikki Murseli sjellë në Flatra rrëfimin për hapësirën më të këndshme në kryeqytet, Termokiss, tashmë një qendër shoqërore e kulturore, në të cilën mund të gjejmë gjithçka, që na ka munguar deri më sot.

 Si  erdhi ideja për të riaktualizuar një objekt si Termokosi?

Ideja erdhi pas kontaktimit të rinjëve në Prishtinë nga dy OJQ ndërkombëtare Toestand(Belgjikë) dhe InfoQuarter Mache(Zvicërr) për të realizuar projektin Toestand Mache Prishtina. Këto dy OJQ në vendet përkatëse zhvillojnë projekte për rivitalizimin e hapësirave të braktisura, involvimin dhe mirëqenien e komuniteteve. Pas shumë projekteve të suksesshme brenda dhe jashtë vendit, vendosën të organizonin një të tillë në Prishtinë. Objekti i intervenimit nuk është vendosur rastësisht, përkundrazi mund të listojmë shumë probleme që sillte ajo hapësirë në lagjet përkatëse. Dy prej më kryesoreve ishin jo siguria, që transmetonte dhe konsumimi i lëndëve narkotike, që bëhej në baza ditore  e që nuk u kalua dhe nuk do të kalonte pa pasoja afatgjate në jetët e njerëzve që jetojnë aty pranë.

Në anën tjetër duke qenë një objekt karakteristik dhe i kamotshëm, kishte arritur që të bëhej pjesë e përkatësisë dhe e kujtesës sonë. Pasi që asnjëherë nuk kishte pasur një dedikim funksional, në mendjen e secilit qytetar ai objekt kishte stimuluar imagjinatën dhe ngritur pikëpyetje si “çfarë mund të kishte qenë?” apo “çfarë mund të bëhej?”. Këto pyetje kanë ekzistuar edhe në kokat tona, prandaj intervenimi në një “kujtim” të tillë i dha një përgjigje dhe kahe realitetit tonë e që po ashtu forcoi ndjenjën që qyteti i përket qytetarëve të cilët jetojnë në të. Qëllimi i projektit, i cili mblodhi mbi 70 vullnetarë nga Zvicra, Belgjika dhe Kosova, ishte rivitalizimi i kësaj hapësire të braktisur dhe problematike në një hapësirë të re të shfrytëzueshme që do të ndihmonte në zhvillimin e komunitetit. Ky projekt zgjati 10 ditë pune të palodhshme të vullnetarëve, duke ripërdorur materiale të gjetura në rrugët e qytetit. Arritëm që në një kohë të shkurtër t’a kthejmë hapësirën në gjendje më funksionale dhe me një potencial për të bërë edhe më shumë në të ardhmen. Toestand Mache Prishtina në vazhdimësi, me nevojën që kryeqyteti kishte për një(shumë!) hapësirë të tillë dhe me kërkesë të të rinjve, u transformua në qendrën e parë shoqërore dhe kulturore në Prishtine të quajtur Termokiss.

12 te dieleve Termodiell

Tashmë Termokiss, cili është qëllimi dhe për cilin zhanër të artit është i hapur, të themi kështu?

Emri “Termokiss” i referohet edhe komunitetit që është krijuar në këtë hapësirë. Nuk është një komunitet i cili i përket një zhanri të artit apo tjetrit, faktikisht nuk është vetëm i koncentruar në aspektin artistik apo kulturor – mirëpo edhe në atë shoqëror. Komunitet do të thotë një grup i njerëzve të cilët kanë të paktën një gjë të përbashkët, e ne rastin tonë përveç tjerash kemi objektin ku shumicën e kohës i zhvillojmë aktivitetet tona. Jemi një komunitet i bazuar ne punë vullnetare dhe i vetë-organizuar, i përbërë nga individ me prapavijë të ndryshme(ekonomist, jurist, arkitekt, inxhinier të fushave të ndryshme, muzikant, dizajner, artist etj;) apo edhe më të rinj që ende nuk janë të përcaktuar profesionalisht. Një nder qëllimet tona është që të mund të krijojmë një alternativë pa ndikime politike apo komerciale krahas ambienteve qe tashme ekzistojnë (private apo institucionale), ku njerëzit do të jenë te lire të marrin iniciativa dhe te shtyjnë përpara njëri-tjetrin nëpërmjet komunikimit, bashkëpunimit dhe edukimit jo formal. Në Prishtinë dikur ishte Pallati i Rinisë dhe Sportit, objekt publik i cili mund të shfrytëzohej nga qytetarët, mirëpo sot ai nuk ekziston më si i tillë. Në këtë lloj realiteti, të përballur me mungesë të vendeve publike ku do të mund të bashkoheshim, lind kjo nevojë shumë e natyrshme e shoqërisë. Ne jemi mbledhur që me punë vullnetare të nxisim kultivimin dhe respektimin e vullnetit të mirë, atë individual dhe shoqëror. Në fakt mbi vullnet të mirë janë ndërtuar qytete të mëdha e nisur iniciativa të cilat sot kanë ndryshuar tërë botën, prandaj është urgjencë e gjeneratave të reja që të kthehemi andej nga është nisur Bota.

10 #kaardhkoha ne Termokiss

Çfarë ofron Termokiss, veçanërisht të rinjve artistë, të cilët shpesh nuk e gjejnë veten në hapësirat institucionale?

Duhet te potencoj se Termokiss nuk është vend, që ofron mundësi vetëm për të rinjtë artist. Termokiss është një ide, e cila po zhvillohet çdo ditë dhe që ka rregulla dinamike, të cilat formësohen nga nevojat dhe dinamika e shoqërisë në të cilën jetojmë sot. Ofron mundësinë e hulumtimit të rrethit e te vetvetes, resurseve, krijimin e kontakteve të reja, promovimin e punës dhe zhvillimin në aspekte të ndryshme jetësore e profesionale. Komuniteti është i vetë-organizuar dhe organik, nuk bazohet në sistemet e udhëheqjes hierarkike pra nuk ka një lider apo një bord, i cili përcakton agjendën dhe zhvillon proceset. Vendimet arrihen me diskutime dhe gjetje të bazave të përbashkëta për të zhvilluar procese dhe organizime. Aktivitetet tona nuk krijohen me ekzistimin dhe mbështetjen e resurseve monetare, të cilat ndikojnë si iniciativë për marrjen e iniciativave. Aktivitetet tona ndodhin sepse dikush posedon vullnetin e mirë dhe nevojën për të marrë iniciativa. Kur flasim për hapësirat institucionale ato nuk përfshijnë apo shpesh nuk e kanë parasysh mendimin e të rinjve në procese të vendim-marrjes, e kjo dukuri në periudha afatgjate ndikon në shfuqizimin e tyre. Ne besojmë në multi dimensionalitet e kuptimeve që ekzistojnë në shoqëri dhe duke marrë parasysh gjithçka, që është e rëndësishme mund të arrijmë në vendim-marrje të dobishme për të gjithë.

09 #kaardhkoha ne Termokiss

02 projekti Toestand Mache Pr - fillimi

Cilat janë disa nga projektet tuaja që keni realizuar dhe ato që keni në planet tuaja?

Deri tani kemi organizuar dhe vazhdojmë të organizojmë aktivitete të lloj-llojshme, jo vetëm në objektin e Termokiss-it. Në tetor të vitit 2016 kemi organizuar koncertin #Krejtkapak, i cili pati misionin, që të bashkojë skenën muzikore dhe qytetarët e Prishtinës, me qëllim që të njoftohen me Termokiss-in dhe të kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes së hapësirës. Përfitimi i komunitetit tonë në krijimin e eksperiencës dhe mbështetjen, që e kemi marrë gjatë procesit të organizimit dhe pas, ka qenë i jashtëzakonshëm. Ky sukses për ne ka qenë një dëshmi e madhe e asaj për të cilën qëndrojmë së bashku, me vullnet të mirë dhe përcaktim mund të arrijmë qëllime të mëdha. Një tjetër iniciativë e mirëpritur ka qenë #Kaardhekoha, e cila ka ndodhur në periudhën e fund vitit dhe fillimit të vitit të ri 2017. Qëllimi i #Kaardhekoha ishte nisja e një dialogu në mes të iniciativave të reja, që po lindin në Kosovë, bashkëpunimet që mund të ndodhin mes tyre dhe që do të ndodhin në të ardhmen në Termokiss. Programi ka përmbajtur aktivitete të ndryshme për njoftimin dhe prezantimin e ideve inovative të të rinjve nismëtar të Kosovës, shfaqje filmash, mbrëmje poezish, debate, punëtori animacioni etj.  Aktivitetet e vazhdueshme janë ato të cilat organizohen nga klubet e krijuara brenda komunitetit.

Klubet zhvillojnë aktivitete në baza javore apo mujore. Termokiss tashmë ka klubin e debatit, filmit, leximit, fotografisë, kopshtarisë dhe rugby-it, mirëpo kjo nuk do të thotë që në të ardhmen nuk do të ketë klube të tjera. Në këtë periudhë jemi duke punuar edhe në ngritjen e mëtutjeshme të fondeve për të krijuar kushte sa më të mira në hapësirë sepse ende nuk i kemi të përmbushura nevojat bazike si uji, banjat, mobilimi, energjia elektrike, izolim dhe ngrohja për dimer etj. Me përmbushjen e këtyre nevojave hapësira do të bëhet krejtësisht funksionale dhe e shfrytëzueshme nga të gjithë – gjatë gjithë vitit. Për të ardhmen nuk mund të thuhet diçka konkrete, pasi që jemi një komunitet i cili vepron dhe zgjerohet organikisht. Hapësira e Termokiss-it mund të shfrytëzohet pa ndonjë kompensim, prandaj programi i aktiviteteve përveç atyre, që organizohen nga komuniteti kompletohet edhe nga këto organizime shtesë që mund të bëhen nga OJQ apo iniciativa tjera që nuk mund të parashikohen. Mirëpo deri tani kemi konfirmime të punëtorive të reja inovative, ligjërues për tema shumë interesante, ekspozita të lloj-llojshme, iniciativa të ndryshme bamirësie, koncerte etj. Jemi shumë entuziast për koncertin #Krejtkapak, që do të ndodh sërish këtë vit, jemi entuziastë për krijimin e klubeve të reja, për bashkëpunime dhe zgjerim të rrjetit shoqëror, e më së shumti jemi entuziastë për ngjarje të reja, që do të ndodhin të cilat i dimë apo nuk i dimë ende!

admin

Artikujt e tjetrë