Intervista

Një jetë mes nxënësve

DSC_5085

Çdo profesion dhe çdo kontribut që njeriu jep për shoqërinë është i veçantë, por profesioni i mësuesit është një prej atyre që me delikatesë dhe mirënjohje dallohet nga të tjerët. Puna dhe ndikimi i tyre është tejet i rëndësishëm për secilin fëmijë që ulet në bankat shkollore, roli që ata kanë pasur përgjatë historisë në rritjen e vetëdijes dhe cilësisë së arsimimit, por edhe në ruajtjen e vlerave kombëtare e njerëzore mbetet i pazëvendësueshëm. Këtë numër ju sjellim profilin e mësueses Nezaqete Konjuhi, e cila ka tre dekada që jep kontributin e saj në gjeneratat e reja.

Foto: Shenoll Zehri

Mund të na tregoni pak më shumë për karrierën tuaj si mësuese, kur keni filluar dhe si i kujtoni ato fillime?

Në marsin e vitit 1990, pak muaj para diplomimit tim në degën e pedagogjisë pranë Universitetit të Prishtinës, pata fatin të takoj një koleg në autobus, i cili më njoftoi për konkursin e mësuesve në shkollën fillore “Zejnel Salihu” në Bellaqefc tash Bardhi i Madh. E entuziazmuar të nesërmen aplikova dhe pas pak kohe marr lajmin e mirë të pranimit. Ende pa diplomuar nisa punën si mësuese e klasës së parë. Emocioni i parë i takimit me ditarin dhe nxënësit më përcjellë edhe tani çdo fillim vit. Në atë periudhë, edhe gjatë ngrënies flisja për mësimdhënie, madje çdo mbrëmje mësimet e radhës i prezantoja para anëtarëve të familjes, prej të cilëve kërkoja kritika me qëllim të përgatitjes sime sa më të mirë për ditën e nesërme.  Shpesh edhe në ëndërr më paraqiteshin fytyrat e fëmijëve të cilët gjithë vëmendjen e tyre ma kushtonin mua.   Ndonëse në këtë shkollë dhashë mësim  vetëm dy vite ende i kam të freskëta kujtimet e hapave të parë të mi. Vazhdimi im ishte në shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë  dhe që nga paslufta unë jam mësuese e shkollës “Ismail Qemali”në kryeqytet.

DSC_5147

Çfarë ju ka frymëzuar të bëheni mësuese apo çfarë ka ndikuar që ju të merrni një vendim të tillë?

Unë vij nga Lugina e Preshevës, qytet në Kosovën Lindore. Që në fëmijëri dëshira ime ishte të kontribuoja për fëmijët qoftë si mjeke apo mësimdhënëse. Gjatë shkollimit të mëtutjeshëm ndava mendjen ti përkushtohem arsimimit të fëmijëve. Meqë studimet që nga shkolla e mesme më lidhën më tepër me Prishtinën, kontributi im shkoi tek fëmijët e këtij qyteti.

Çfarë ju pëlqen më shumë në profesionin tuaj?

Lidhshmëria që ky profesion të jep me fëmijët është gjëja më e bukur. Ata nisin një rrugëtim të rëndësishëm të jetës së tyre pranë mësueses, arsimimin. Besimi që fëmijët krijojnë në mua më jep shtysë të madhe që të ju përkushtohem atyre maksimalisht. Dinamika e punës që ky profesion të jep çdo ditë, më mban freskët dhe aktive.

DSC_5208

Të flasim në retrospektivë, çfarë dini sot që do të kishit dashur ta dinit në fillimet tuaja si mësuese?

Ndonëse atëbotë nisa mësimdhënien ende nën freskinë e studimeve, ngritja profesionale që më dhanë vitet në këtë punë bashkë me trajnimet e shumta do të ishin të mirëseardhura edhe atëherë. Metodat e raja të mësimdhënies tani, vënë në qendër mësimin logjik për dallim prej asaj kohe kur dominonte më tepër ai mekanik. Aftësimi profesional i mëtutjeshëm dhe zhvillimi i teknologjisë tani më japin mundësinë që orën t’a zhvillojë në mënyrë edhe më atraktive për nxënësit.

 Cilat janë disa nga aspektet më sfiduese të punës suaj?

Sfida më e madhe ishte periudha e viteve 90-99 kur profesioni ynë na bënte të ndiheshim të rrezikuar. Edhe pse punonim pa pagë me çka duhej të mbanim familjet tona, neve mësimdhënësve na mbante vullneti që të çojmë përpara të mësuarit shqip nën presionin e okupatorit serb.  Kur i krahasojmë ditët e sotme me atë periudhë, çdo vështirësi kalohet shumë më lehtë. Sfidë tjetër është rritja e fëmijëve të mi krahas përkushtimit që profesioni kërkon. Të jesh mësuese nënkupton përkushtim edhe para dhe pas orarit mësimor.

Mendoni që një mësues/e duhet të jetë i pasionuar me fëmijët dhe me punën e tij, që në këtë mënyrë të jetë edhe i suksesshëm në profesion?

Pasioni për fëmijë është shtylla kryesore e të qenit i suksesshëm në këtë punë. Cdokush që mendon t’i rreket këtij rrugëtimi të bukur, duhet të ndjejë dashuri për këtë profesion dhe të jetë në gjendje të kuptojë botën e fëmijëve. Ata janë qenia më e brishtë dhe më e bukur të cilët kanë nevojë për shumë dashuri dhe shumë përkushtim.

Çfarë mendoni për sistemin e arsimit që po zhvillohet sot në Kosovë dhe çfarë duhet të bëhet më shumë?

Konsideroj që duhet të punohet me sistem që i përputhet kushteve tona dhe jo të merren ato evropiane pa u marrë parasysh fillimisht hapësirat e kufizuara që objektet shkollore kanë në Kosovë . Klasat e stërmbushura pamundësojnë përshtatjen e tyre duke rrezikuar kështu arritjen e objektivave në procesin mësimor. Edhe tekstet mësimore duhet rishikuar rrënjësisht, meqë ato jo rrallëherë rezultojnë të jenë të ngarkuara për moshën e fëmijëve. Janë provuar aq shumë pilot projekte të cilat kanë krijuar një mjegull në arsimin kosovar, për çka shpresoj të qartësohet sa më shpejt.

 

 

admin

Artikujt e tjetrë