Kulturë

Në botën e artit, të përgjigjesh me Po ose Jo është e “rrezikshme”

Dukagjin Podrimaj është një nga aktorët që ka interpretuar role të ndryshme në film dhe teatër, të realizuara nga regjisorë të njohur. Ai është duke e ndërtuar karrierën e tij në mënyrë mjaft të suksesshme, duke u bërë pjesë e realizimeve të rëndësishme dhe duke qenë gjatë gjithë kohës aktiv në këtë industri.

Ndërsa thotë se do të kishte dashur shumë që para se të futej në botën e  artit, ta dinte që të relativizonte çdo gjë skajshmërisht dhe në këtë  fushë të përgjigjesh me Po ose Jo është shumë e “rrezikshme.”  Në këtë intervistë, Dukagjin Podrimaj sjellë rrëfimin e tij dhe gjithçka tjetër që e karakterizon jetën e një aktori si ai.

Jeni një prej aktorëve që identifikohet më shumë me teatrin, çfarë e bënë ndryshe interpretimin në skenën teatrale nga ajo në film?

Në ditën që unë vendosa të jem pjesë e fushës së artit, por edhe më parë, unë e kam dashtë dhe e kam veçuar filmin si mediumin ose mjetin më të kompletuar për tu shpreh. Mirëpo, përgjatë zhvillimit të karrierës sime, unë kam qenë i ndarë në pjesë pothuajse të barabarta sa në film ashtu edhe në teatër. Nëse je aktor aktiv në këtë industri, duhet të kalosh nëpër teatër, medoemos. E në mes të këtyre dy mediumeve shprehëse, ekziston një dallim i madh esencial, shpirtëror, dhe komercial. Përveç dallimeve bazike teknike, ekzistojnë me qindra teknika të ndryshme të interpretimit në skenë dhe të asaj para kamerës. Gjithçka dallon… Duke filluar nga ekspresiviteti, prezenca, zëri, plasimi i tekstit, pauzat, dëgjimi, partneriteti, e shumë dallime të tjera, prandaj janë dy shkolla të ndryshme.

Keni ndonjë ritual apo rregull që e aplikoni para se të ngjiteni në skenë?

E kam vënë re se para çdo interpretimi unë kam nevojë për shumë lëvizje. Ndjejë brenda vetes një hiperaktivitet dhe energji të jashtëzakonshme, gjysma e së cilës lufton tremën, e gjysma tjetër mobilizon koncentrimin tim. Nuk kam ndonjë ritual të caktuar, përderisa kam hapësirë për lëvizje dhe qetësi, jam në rregull.

Zonjusha_IMDB_9

Pandora_14

Cilin nga rolet që keni interpretuar deri tani, e konsideroni më me ndikim në karrierën tuaj artistike?

Rolet me të cilat kam qenë i kënaqur janë rolet të cilave i kam kushtuar shumë kohë dhe mund për ti përgaditur. Roli im i Mihalit në “Vernisazh” dhe i Bokserit në shfaqjen “Ferma e Kafshëve”, janë role të cilat unë i kam punuar me shumë dashuri dhe mund. Përkushtimi, koha dhe pasioni patjetër që përfundimisht rezultojnë me duartrokitje dhe kritika pozitive shumë satisfaksionale që të mbushin me shumë vullnet dhe shtytje për arritje të sukseseve gjithnjë më të mëdha.

Kush apo çka ju ka frymëzuar apo ka ndikuar në formësimin tuaj profesional?

Vonë e kam kuptuar se gjyshi im, përveç që njihej si historian dhe si njëri nga mësuesit e parë në Rrafshin e Dukagjinit, ai gjithashtu kishte performuar në disa drama teatrale. Prandaj ndoshta arti është pjesë përbërëse esenciale e qenies time qysh nga formësimi. Por për më tepër, unë jam inspiruar shumë, së fundmi, nga artistë evropian, që merren me krijimin e artit në hapësirë publike, të cilët i kam takuar përmes platformës evropiane për art në hapësirë publike, IN-SITU, falë kolegut, regjisorit dhe shokut tim të mirë Florent Mehmetit dhe Teatrit ODA.

Headshot. Dukagjin Podrimaj

Çfarë do të kishit dashur që dikush të ju kishte thënë para se të futeshit në botën e artit?

Teproje duke lexuar dhe relativizo çdo gjë, skajshmërisht. Sidomos, në botën e artit, të përgjigjesh me PO ose JO është shumë e “rrezikshme.”

 Cila është këshilla juaj për artistët që bëhen pjesë e audicioneve?

Këshilla ime primitive ndaj aktorëve/kolegëve të mi sa i përket audicioneve është: “Merruni ekstenzivisht me audicionin e juaj, si nga psikoanaliza paraprake e karakterit ashtu edhe nga kujdesi teknik gjatë dhe pas xhirimit. Pasi që ta keni dërguar materialin tek agjenti apo kasting drejtori, harroni gjithçka. E njëjta vlen edhe për audicione të drejtpërdrejta.”

 Në çfarë projekti jeni i angazhuar aktualisht?

Aktualisht, jemi duke e përgatitur projektin “X-Terr” në bashkëpunim me Florent Mehmetin, Ilir Bajrin dhe Leonora Mehmetin, i cili do të luhet në kuadër të festivalit HAPU në Korrik, 2017. Gjithashtu, jam duke punuar në një projekt timin personal intim, informatat rreth së cilit do të publikohen më vonë. Rreth muajit Maj- Qershor, 2017, do të jem pjesë e xhirimeve të një filmi të shkurtë nga Noar Sahiti, me muzikë nga Shpat Deda.  Në fund të vitit 2017 do të jem pjesë e një projekti shumë të madh teatror, informatat rreth të cilit jam kërkuar, specifikisht, që mos t’i publikoj. Për më shumë, ndoshta mund të kontraktoj edhe ndonjë punë nga audicionet e pandashme që i xhiroj pothuajse gjatë gjithë kohës.

admin

Artikujt e tjetrë