Intervista

Mrekullia më e madhe për Kosovën është liria e saj

FR

Fisnik Rexhepi, politolog, në Flatra për shoqërinë, multikulturalizmin, tolerancën, personalitetet më të rëndësishme, letërsinë, trashëgiminë dhe gjithçka tjetër në një këndvështrim ndryshe.

 Pasqyra, nuk është simbol vetëm i narcizmit, pse duhet t’i shërbejë ajo shoqërisë shqiptare?

Gjithsesi, pasqyra e cila shihet vetëm si simbol i narcizmit fabrikon narcizoid, që nuk i nevojiten shoqërisë shqiptare. Narcizmi dhe narcizoidët janë të pushtuar nga dëshira që të parapëlqehen dhe të duhen nga të gjithë, ndjejnë nevojë për t’u treguar të fuqishëm dhe me motivim autoritar, janë egocentrik e ndonjëherë edhe agresiv, konformist, depresiv dhe pa entuziazëm. Gjithmonë ndjejnë frikë për tu ballafaquar me ide të reja, mendime, koncepte kreative dhe projekte zhvillimore. Në shoqërinë shqiptare pasqyra duhet gjithsesi të jetë në funksion të vet-reflektimit të çdo njeriu për të marrë përgjegjësinë e duhur për të përmbushur vullnetin dhe dëshirën për arritje të rezultateve dhe sukseseve për të ndërtuar institucione dhe shtet modern. Pasqyra domosdoshmërisht duhet të jetë pasqyrim i vetëbesimit, vullnetit, energjisë, vendosmërisë, ambicies, përkushtimit të vazhdueshëm, shijes për punë me njerëz dhe invencion të lartë, për t’i marrë mbi supe detyrimet dhe përgjegjësitë për ndryshime zhvillimore të cilat i imponon koha.

 Cili personalitet përbënë epokë më vete dhe pse?

Lideri më i famshëm që ndryshoi historinë e njerëzimit dhe vulosi Epokën e Lirisë dhe përfundimit njëherë e përgjithmonë, të Epokës së Aparteidit dhe racizmit në Afrikën e Jugut, Nelson MANDELA, mbetet frymëzuesi i paepur që në gjysmën e dytë të shek.XX u bë ikonë e luftës për liri, demokraci dhe rezistencë paqësore edhe për komunitetet tjera. Vepra e tij mbetet promotor për punën, vullnetin, besimin dhe shpresën për pajtim mes popujve, duke promovuar paqen dhe trajtimin e barabartë të njeriut pa dallim përkatësie të ndryshme.

Multikulturalizmi dhe toleranca deri në çfarë mase mund të realizohen në shoqërinë tonë?

Multikulturalizmi dhe toleranca si vlera të komunitetit njerëzor, konsiderohen fryt i pazëvendësueshëm, atëherë kur janë në funksion të ndërtimit dhe kultivimit të bashkëjetesës dhe paqes. Vetëm atëherë dallimet kulturore dhe toleranca bëhen faktorë të integrimit shoqëror. Aty ku ka mostolerancë apo ekskluzivitet kombëtar apo etnik, kulturor dhe konfesional, në mënyrë të pashmangshme shfaqen stereotipe ekstreme dhe nacionaliste, që i prijnë qëndrimit për “pamundësitë për të jetuar së bashku me grupet dhe bashkësitë tjera nacionale”, gjë që ndikon në shfaqjen e konflikteve ndëretnike dhe dezintegrimit shoqëror. Multikulturalizmi dhe toleranca mund të realizohen në shoqërinë tonë, nëse kemi vullnet për integrim kulturor evropian, duke zvogëluar hullitë e dallimeve kulturore përmes begatimit shpirtëror dhe ndërtimit të urave të mirëkuptimit të ndërsjellë, emancipimit, tolerancës dhe mirëbesimit mes njerëzve të përkatësive të ndryshme etnike, religjioze, sociale dhe kulturore.

Cilin personazh/autor të letërsisë do të donit ta kishit ngjallur dhe pse?

Thellësisht kam bindjen se në historikun e letërsisë botërore, vulë më të dëshmuar të kohës në të cilën jeton i dha Leon Tolstoi me kryeveprën e tij “Ana Karenina”. Ana Karenina dje, sot dhe nesër do të mbetet heroinë e mrekullueshme dhe magjepsëse, që përjetoi dramë në dashurinë fatkeqe dhe martesën jo të lumtur dhe tragjike me Kontin Vronski. Ajo jetoi një jetë plot brenga, dhembje dhe moskuptim nga të tjerët. Tolstoi e ka skalitur me një mjeshtri të madhe personalitetin e Ana Kareninës, në mënyrë komplet reale duke gdhendur bukurinë, sharmin, elegancën, dukjen, ecjen dhe të folurit, ashtu që lexuesi fare lehtë mund ta parafytyrojë dhe adhurojë edhe botën e brendshme dhe shpirtërore të saj. Ana Karenina edhe sot na bën të eksplorojmë gjithnjë, për të hedhur dritë dhe për të dhënë përgjigje mbi pyetjen e madhe se si duhet jetuar në plotni jeta, me te gjitha të mirat dhe shëmtitë e saj!

Trashëgimia më e bukur shqiptare?

Padyshim “Parku Kombëtar i Butrintit”, i cili është listuar në regjistrin botëror të trashëgimisë kulturore dhe kombëtare në UNESCO (viti 1992). Parku Kombëtar i Butrintit si vlerë monumentale arkeologjike, arkitektonike dhe artistike paraqet përmbajtje të përkryer që ndërthur ndër vete bukuri natyrore me florë dhe faunë të veçantë, që me një pamje magjepsëse prezanton trashëgiminë më të bukur shqiptare.

Nëse të them “Kosovë” çfarë ju vjen në mendje?

Gjithsesi më vjen në mendje kuptimi, çmimi dhe vlera e fjalës më të madhe “Liri”. Mrekullia më e madhe për Kosovën është liria e saj. Liria e Kosovës më shumë se kurrë ka nevojë për qytetarë të pjekur, vullnetshëm, përgjegjshëm, kritikë dhe ndërtues të shtetit të tyre. Heroi i vërtetë është vetëm ai që e kupton shkallën e përgjegjësisë që buron nga liria e tij.  Ballafaqimi me të kaluarën duhet të arkivohet sa më parë që është e mundur, për të qenë të gatshëm për ndërtimin e të ardhmes, që përmbushë besimin dhe shpresën e gjithë atyre, që u flijuan për të shtrenjtën liri.

admin

Artikujt e tjetrë