Kulturë

Baleti, gjuha e shpirtit

Një vajzë me një pasion të madh dhe ëndërr për baletin, Romina Kaso na tregon që sakrifica, puna e paepur, këmbëngulja dhe disiplina, kanë qenë aleatët e saj më të mëdhenj për të arritur aty ku është sot, një nga balerinat dhe koreografet e mirënjohura të skenës shqiptare.

Kur keni filluar të studionit balet klasik dhe pse pikërisht në këtë disiplinë?

Dëshira për baletin ka filluar që në fëmijërinë e hershme kur dëgjoja muzikë nga televizioni dhe filloja të kërceja bashkë me grupet që shfaqeshin në ekran. Me kalimin e viteve kur nisa shkollën fillore deri në klasën e katërt vazhdoja të ushqeja në vetvete dëshirën për të dal në një skenë të vërtetë. Duke parë këtë pasion timin prindërit e mi e vlerësuan seriozisht idenë dhe më mbështetën fillimisht duke më aktivizuar në kurset e baletit që dikur zhvilloheshin pranë Pallatit të Pionierit, ku me kalimin e kohës u spikat dëshira dhe talenti im për kërcimin. Në këto rrethana vendosën që të konkurroja në shkollën e baletit ku fitova duke përmbushur në këtë mënyrë dëshirën time të kahershme për të avancuar më tej në balet dhe botën e artit. Për 8 vitet në vazhdim, studiova baletin klasik deri në vitin e katërt të shkollës së mesme. Statusi im si balerinë profesioniste, u tejkalua kur konkurrova në Akademinë e Arteve në degën koreografi për të zgjeruar gamën, jo vetëm, të aftësive te mia për të kërcyer në skenë, por edhe duke shpalosur krijimtarinë në performancat koreografike.

Si ka qenë një ditë e zakonshme për ju gjatë këtyre viteve?

Në shkollën e baletit dita ime fillonte në orën 8 të mëngjesit duke u ushtruar deri në orët e vona të pasdites, me pushime të shkurtra duke mos lenë pas dore lëndët e përgjithshme, të cilat zhvilloheshin dhe në shkolla jo të profilizuara. Me fillim e Akademisë së Arteve gjatë kryerjes së studimeve për tu bërë një koreografe përpjekjet dhe lodhja ishin më të mëdha pasi këtu duhet të shfaqnim jo vetëm aftësitë si balerinë, por edhe kreativitetin. Tashmë duhej të sillnim në jetë dhe të hidhnim hapat e parë si krijuese në skena jo vetëm brenda Akademisë dhe salla të tjera prestigjioze. Pas mbarimit të Akademisë kisha rastin që të ushtroja aftësitë e mia si balerinë profesioniste në televizionin Klan në spektakle të ndryshme dhe kryesisht në emisionin “E diela Shqiptare”. Ende sot vazhdoj të ushtrohem me nxënësit e mi në studion e kërcimit “3 Hapat” të cilën e kam krijuar para tre vitesh, me dëshirën e mirë për të ushtruar aftësinë time në koreografi dhe për të transmetuar njohuritë e mia.

774384_589420671084701_477202667_o (3)

Cilat janë momentet kyçe që përbëjnë edhe rrugëtimin tuaj drejt botës së baletit?

Tre kanë qenë momentet kyçe në boten time drejt artit. Së pari, ka qenë regjistrimi dhe fillimi i shkollës së baletit, ishte një emocion i veçantë sepse dëshira ime për të qenë një balerinë po realizohej. Moment i dytë, tepër i rëndësishëm, ka qenë fillimi i studimit në Fakultetin e Artit skenik. Moment i tretë, ka qenë fillimi i punës si balerinë në trupën profesionte të baletit në televizionin Klan. Ishte privilegj të isha pjesë e një trupe prestigjioze të afirmuar më parë me shfaqje të suksesshme.

Si një artiste, cili repertor jeni më të prirur për të vallëzuar ose që ju përshtatet?

Çdo student i shkollës së baletit merr në këtë shkollë aftësitë për të qene një balerine klasik. Baleti klasik përmban në vetvete elemente baze pothuajse për të gjithë llojet e kërcimeve të tjera. Ajo që unë kërcej më me shumë dëshirë dhe pasion është kërcimi kontemporan ose modern, por në televizion më është dashur të performoj të gjitha zhanret e kërcimit. Kështu që tek çdo motiv i baletit, i çfarëdo lloji qoftë, përfshihem me pasion dhe shpirt për të dhënë maksimumin tim.

Cila ka qenë puna juaj e parë si koreografe?

Përveç punëve të shumta krijuese që kryenim gjatë shkollës, puna e parë si koreografe profesioniste ka qenë në emision “E diela shqiptare -Beteja koreografike” e cila më pas ka vazhduar me një sërë shfaqjesh të tjera në disa skena dhe teatro të ndryshme.

Tashmë jeni një koreografe dhe mësimdhënëse në një studio kërcimi, a mund të na flasësh diçka për këtë përvojë?

Aktualisht ushtroj profesionin tim si koreografe në studion e kërcimit “3 Hapat” prej tre vitesh është një sipërmarrje e imja për të vënë në jetë aftësitë e fituara gjatë studimeve dhe eksperiencës së fituar me kalimin e kohës. Kjo studio përfshin në gamën e vet kurse kërcimi klasik me fëmijë që variojne nga mosha 4 vjeç deri në moshën 14 vjeçare, të cilët aspirojnë të bëhen balerinë të ardhshëm. Gjithashtu ushtrohen disa grupe të tjera fëmijësh me kërcime të ndryshme që përfshijnë të gjitha zhanret e kërcimit si dhe kurse për të rritur në kërcimet aerobike, zumba & pilates, kangoo jumping etj.

admin

Artikujt e tjetrë