Lifestyle

Të pushtosh bjeshkët

15196085_10154584267906328_6427578221562429708_o

Ta duash natyrën dhe ta respektosh atë është një nga mënyrat më të mira, që mund të bëjmë ne si qytetarë për mbrojtjen e planetit.

Duke qenë se në Kosovë dhe në Shqipëri, natyra është atraksioni më i mirë, që na ofron mundësi pafund për të eksploruar dhe shijuar bukuritë e saj, në mënyrë të veçantë janë dashamirët e këtyre rekreacioneve, të cilët për vite me radhë iniciojnë dhe organizojnë ecje e aktivitete të tjera në natyrë, duke përfshirë këtu bjeshkatarinë dhe alpinizmin. Një mënyrë shumë e mirë për tu relaksuar dhe për të njohur pjesët më të mrekullueshme të vendit.  Mensur Gashi nga Shba ”Shkëmbi”, është një prej këtyre dashamirëve të natyrës, i cili njëkohësisht është pjesëtar i njësisë elite të Policisë së Kosovës tash e 17 vite. Në këtë intervistë në Flatra, ai shpalosë  rrugëtimet magjike nëpër bjeshkët e Kosovës e Shqipërisë, Kilimanxharo dhe për destinacionet e radhës, sfidat e aventurat e papërsëritshme të këtij aktiviteti.

Na flisni pak për grupin të cilin e udhëhiqni, si u formua  ekipi dhe a kishte ndonjë kriter bazë?

Ishte viti 2014 kur vendosëm ta themelojmë shoqatën tonë. Deri atëherë ne shkonim vet dhe dilnim me shoqata të tjera. Organizuam hapjen solemne pasi që m herët kishim projektuar edhe logon, vendin dhe gjithë ato. Ishim disa shokë/shoqe të profesioneve të ndryshme që me 13 tetor 2014, në Luginën e Valbonës  të nisim rrugëtimin tonë duke pushtuar majat, nga të gjitha malet apo thënë më mirë, Alpet Shqiptare që na rrethojnë, Bjeshkët e Nemuna dhe Vargmalet e Sharrit e deri në Kulmin Afrikan atë të Kilimanxharos me lartësi 5895m/lmd dhe duke vizituar cdo gjë që është kulturore-historike, siç janë kalatë, qytetet e vjetra, vendbanimet ilire etj., në të gjitha trojet tona që nga Plava e Gusia në veri, Butrinti, Berati e Voskopoja në Jug, Ohri e Struga në lindje si dhe në Shkodër, Shas, Tivar e Krajë në perëndim. Kriter bazë është që personi të ketë dëshirë të eksploroj, të ketë një përgatitje psikofizike bazë, po ashtu disa rekuizita varësisht nga vendi, që do shkojmë dhe mosha të jetë mbi  14 vjeçar.

????????????????????????????????????

Cilat janë sfidat, që hasni gjatë rrugës apo edhe vështirësitë që mund të lindin gjatë organizimit të një udhëtimi të caktuar?

Sfidat janë nga më të ndryshmet pasi që gjithçka duhet të jetë e lidhur ngushtë apo në varësi nga moti, koha krahas organizimit të transportit, i cili po ashtu është sfidues. Ne kemi një shtrirje në të gjithë shtetet e rajonit çka organizimet tona janë më shumë dy ditore dhe se duhet kaluar edhe kufij të caktuar deri në destinacion, çka edhe ka disa ndalesa, humbje në kohë etj. Mirëpo ne tanimë kemi anëtarët tonë të të gjitha profesioneve, që kanë fituar besimin në udhërrëfimin (guidën) tonë dhe se edhe çmimi është i ulët sepse qëllim i vetëm i yni është, që qytetarët tanë të shijojnë bukuritë natyrore, ushqimet, peizazhet, kanionet, adrenalinën nga lartësitë me një çmim simbolik apo thënë më mirë,  më lirë se një ditë e zakonshme në njërën nga kafiteritë e Prishtinës në tym duhani, pluhurit dhe të zhurmës urbanistike, ndërtimore etj. Vlen të theksohet se për nder të 9 Prillit, Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me katër anëtaret e shoqatës tonë, kemi pushtuar majën më të lartë në vend, atë të Gjeravicës 2656 m, duke përçuar mesazhin se edhe femrat mundin dhe ia dalin dhe se janë të barabarta në shoqëri.

Cilat janë vendet më interesante, që keni vizituar deri më tani dhe cili është destinacioni i radhës?

Personalisht nuk mund t’i ndaj në vende më interesante apo më pak sepse të gjitha janë të bukura dhe të gjitha vendet, që ne vizitojmë kanë veçantinë  e vet, kanë historinë, kanë pamjen, adrenalinën  dhe përjetimin, që anëtarët tonë shpalosin më pastaj edhe në rrjetet sociale e edhe ne punime shkencore te tyre, pasiqë në gjirin tonë kemi edhe gjeograf, biolog, mbrojtës të mjedisit, ekolog etj., që të gjithëve ju intereson nga ai vend ku ne i shpiem. Krahas Rugovës-Brezovicës apo Prevallës, që ne të gjithë i vizitojmë pavarësisht se a janë pjesa e Dragashit(Brodit), Ujëvarat e Mirushës, Kalaja e Prizrenit, Artanës  në Kosovë krahas Bjeshkëve janë edhe Lugina e Valbonës, Liqeni i Fierzes, Plava e Gusia, Rajoni i Krajës, Dajti, Bovilla e Erzeni, Berati, Osumi, Butrinti e Ksamili, Dardha, Voskopojë, Korça, Driloni e Pogradeci, Ohri, Struga e Shën Naumi,Kanioni i Matkës e shumë e shumë të tjera, malet  apo Alpet Shqiptare Korabi, Gjallica, Jezera, Gjeravica, Rudoka, Hajla etj., e padyshim Thethi një ndër vendet që patjetër duhet vizituar. Destinacioni i radhës pritet të jenë: Mosala  në Bullgari, Trigllavi në Slloveni, Kilimanxharo prapë me kërkesë të anëtarëve etj, e pse jo edhe Everesti i cili është ëndërr e çdo Bjeshkatari, Alpinisti.

DCIM101GOPROGOPR8575.JPG

Sa janë të interesuar qytetarët, që të jenë pjesë e këtyre grupeve dhe pse duhet të bëhemi pjesë e organizimeve të tilla?

Interesimi i qytetarëve tanë dita-ditës është në rritje, çka personalisht dhe si shoqatë ndihemi mirë, që ne kemi se çka të ju ofrojmë dhe besimin e krijuar ndaj qytetarit, në nuk kemi anuluar ndonjë aktivitet edhe pse ndoshta është dashur të paguajmë  vetëm e vetëm, që qytetari të ketë besimin tek në pasi që ne ju ofrojmë guidë profesionale, shërbim, mjekësor dhe siguri. Vlen të theksohet se në kanionin Matka kemi pasur 9 autobusë me gjithsej 490 vetë, ku jemi ndarë në grupe, një pjesë kanë bërë edhe përgjatë kantonit, ndërsa pjesa tjetër ngjitjen përgjatë kreshtave dhe të tjerët me barka. Përkujdesi dhe guida, që ju bëjmë qytetarëve, në bëjnë ne një shoqatë të besueshme, ne kemi mbi 100 anëtarë të rregullt dhe të tjerë, që tashmë janë pjesë e rrugëtimeve tona qoftë në bjeshkë qoftë në pjesët tjera.

admin

Artikujt e tjetrë