Gruaja

Gratë e guximshme dhe të këndshme të Flatrës

Njihuni me shtatë gra të mrekullueshme, të cilat jo vetëm që janë të suksesshme dhe shumë korrekte në profesionet e tyre, por gjithashtu përfaqësojnë ato lloj atributesh që ne i admirojmë.

 

 Nga Brunilda Merko/ Foto: Beni Cufi

  Në imazhin që kemi ne ndaj femrave të forta, të suksesshme, modele për jetën dhe suksesin, janë pikërisht ato që nuk druhen dhe nuk kanë frikë.  Kjo do të thotë që të mos frikësohesh të provosh diçka dhe të dështosh. Gratë e forta janë fleksibile. Veçanërisht femrat sipërmarrëse, pasi lloji i punës që bëjnë,  i bënë të hapura ndaj çdo lloj kritike dhe të gatshme të përballojnë çdo pengesë. Por të jesh e fortë dhe e pavarur nuk do të thotë që të prisni gjithçka vetëm nga vetvetja. Shoqëria me njerëz me vlera lehtëson punën e tyre. Sepse ato së pari, kanë vetëbesim të palëkundur. Së dyti nuk zmbrapsen nga sfidat, kanë thyer tabu, duke marrë iniciativa të mençura dhe të rëndësishme për veten dhe të tjerët. Ato janë frymëzim për të gjitha ne, sepse sipas tyre, nuk ka asnjë arsye që mos të jemi të përsosura.

 

Hana Qerimi

“Krahasimi me njerëz të suksesshëm është një gjë të cilën e bëj gjithmonë dhe mendoj se është një shtytje e mirë për të arritur sa më shumë në jetë.”

Kam kaluar shumë sfida ndër të tjera edhe pozita të punës. Për gati gjashtë vite kam qenë menaxhere e projekteve dhe programeve në një prej kompanive më të mëdha të eksportit të shërbimeve profesionale të telekomunikacionit në Kosovë. Aktualisht zotëroj pozitën e Menaxheres së Zyrës për Projekt Menaxhment, në kompaninë lidere të shërbimeve dhe produkteve të ICT në Kosovë, Cacttus. Gjithashtu jam në përfundim të studimeve Master, në Universitetin London School of Bussiness and Finances, në Londër, për Global MBA – Consulting Management përmes metodës së mësimit në distancë. Që në fëmijëri kam pasur fatin të jem e rrethuar nga femra të suksesshme dhe të forta. Nëna ime ka qenë një model i gruas së fortë, e cila ka arritur të menaxhojë punën dhe  të jetë shtyllë e familjes. Motra ime, e cila është njëra ndër specialistet më të suksesshme të financave në Bankën Botërore, ka qenë gjithmonë një shembull i një femre me ambicie të larta profesionale, e cila domosdo ka pasur ndikim të madh në formimin dhe karakterin tim. Në anën tjetër është dhe tezja ime, njëra prej gazetareve dhe femrave më të forta që kam njohur ndonjëherë, e cila së fundi menaxhon OJQ-në për ndihmë të grave me kancer të gjirit, për të cilat ajo është një frymëzim i guximit dhe forcës. Shembuj si këto më kanë mësuar të jem e fortë, ambicioze, person me mendime bamirëse dhe nesër shpresoj edhe një nënë e suksesshme. Gjithashtu kam mësuar se si në punë ashtu edhe në jetën e personale duhet të japësh maksimumin nga vetja dhe të bësh diferencën. Motiv i jetës sime është që të lë gjurmë për të mirë në secilën punë që ndërmarr, qoftë kjo edhe ne jetën personale. Kjo ambicie më ka kushtëzuar që gjatë gjithë kohës të jem pikë reference apo krahasuese me të tjerët. Krahasimi me persona të suksesshëm është një gjë, të cilën e bëj gjatë gjithë kohës dhe mendoj se është një shtytje e mirë për të arritur sa më shumë në jetë.

 

Bardha Sadrija

“Sfidën më të madhe të cilën e kam hasur, por për fat të keq  vazhdoj ta kem edhe sot është fakti se ne prodhuesit vendorë, ende nuk gëzojmë shumë përkrahje në shtetin tonë.”

Unë jam e angazhuar në menaxhimin dhe udhëheqjen e një biznesi privat, i cili përmban prodhime të ndryshme vendore. Është një biznes familjar, të cilin e kam të trashëguar nga nëna ime, pasionin dhe përkushtimin e saj. Një punë e cila kërkon angazhim dhe përkushtim maksimal, që të funksionojë dhe të ruajë vazhdimësinë e saj. Janë kryesisht prodhime që i përkasin tekstilit. Ndërsa sa i përket vështirësive dhe sfidave mendoj që janë të pashmangshme, madje në secilin angazhim apo punë me të cilën merresh. Sfidën më të madhe të cilën e kam hasur, por për fat të keq ende vazhdoj ta kem edhe sot është fakti se ne prodhuesit vendorë, ende nuk gëzojmë shumë përkrahje në shtetin tonë. Megjithatë unë përpiqem çdo ditë me të gjitha forcat që të arrij qëllimet dhe të kërkoj më shumë edhe nga vetja, madje secila prej nesh duhet të këmbëngulim të përkushtohemi në maksimum dhe të mos hezitojmë të kërkojmë ndihmë atëherë kur na nevojitet. Dhe meqë më jepet rasti do të doja të falënderoja ata që më kanë mbështetur shumë në këtë iniciativë, që të mund të shprehë vetveten. Një ndihmesë, si biznes vendor që jam më ka ardhur veçanërisht nga Elkos dhe ETC.

Yllka Metaj

“Mendoj që jo domosdoshmërisht duhet të ekzistojë një status quo,  brenda kompanisë të cilin duhet ndjekur, por duhet sfiduar qëllimet e kompanisë, praktikat apo politikat.”

Kam përfunduar The London School of Economics and Political Science (LSE), MSc, Social and Public Communication, American University in Kosovo (AUK), Rochester Institute of Technology, Bachelor’s of Applied Arts and Sciences, Major: Management and Public Policy; Minor: Legal Studies. Gjatë studimeve kam qenë pjesë e disa universiteteve verore, ku kam ndjekur lëndë të ndryshme, të cilat kanë ndikuar pozitivisht në edukimin dhe eksperiencën time përgjatë studimeve. Duke qenë në tregun e punës, që nga mosha 16 vjeçare, kam pasur luhatje të ndryshme nga sektori publik dhe me pas tek ai privat, kam kaluar nëpër tituj të ndryshëm përgjatë zhvillimit profesional por sidoqoftë, po  përmend 3 të fundit: Aztech Technologies (marketing menager), R&M Communications (Executive director) dhe Zero Pozitive Publicis (account manager). Unë gjej kënaqësi dhe lumturi në atë që bëj dhe besoj se kjo është shumë e rëndësishme. Në punën që bëj ka prioritet pasioni dhe jo ambicia.  Sipërmarrësit ambicioz i shoh më tepër të motivuar/nxitur nga shpërblime të caktuara, jothelbësore ndoshta si dëshirë për të bërë shumë të holla ose për të krijuar një reputacion apo për të arritur një status të caktuar në shoqëri, sesa të jenë të motivuar/nxitur nga dëshira për të sfiduar veten, për të arritur më shumë nga potenciali i tyre dhe në këtë mënyrë të rriten në drejtime të reja.  E njëjta vlen edhe për  punonjësit në kompani të caktuara. Andaj, mendoj që jo domosdoshmërish duhet të ekzistojë një status quo,  brenda kompanisë të cilin duhet ndjekur, por duhet sfiduar qëllimet e kompanisë, praktikat apo politikat. Në këtë mënyrë besoj se ka më shumë mundësi për të identifikuar alternativa të reja për mënyrën sesi gjërat mund të bëhen më mirë. Nëse qëllimi ynë është të kemi një shoqëri të shëndoshë, ushtrim në mënyrë transparente i bizneseve, mendoj që duhet një ndryshim themelor në besimin dhe sjelljen e politikave, bizneseve dhe njerëzve. Përkushtimi dhe këmbëngulja në arritjen e objektivave të caktuar është pjesë e pasionit, që kam për punën dhe jo domosdoshmërisht ambicie për një shpërblim të caktuar qoftë në vlerën monetare apo shoqërore. Në anën tjetër edhe refuzimi e kritika janë pjesë e suksesit, madje kritikat i dëgjoj me shumë kujdes dhe mundohem të përmirësohem, (ku ka racionalitet rreth asaj që thuhet). Ka raste kur e kritikoj edhe veten dhe nëse kthehem në retrospektivë, shoh që kritika ka ndikuar që puna të ime të jetë e suksesshme.

Albina Dyla

“Kur i kushtojmë vëmendje gjërave të rafinuara, tek ne zhvillohet një vetëdije për mirësi të ndershme dhe disiplinë. Të vishesh me elegancë do të thotë të kesh  finesë dhe thjeshtësi.”

Derisa hidhja hapat e parë të dizajnimit të modeleve të ndryshme të veshjeve, të cilat i realizoja në  studion e nënës që nga shkolla e mesme, për çudinë time zgjodha Agrobiznesin për të studiuar. Ndoshta edhe për shkak të mundësive të limituara për studim të dizajnit të modës para 8 vitesh. Mirëpo pasioni im për dizajnin vazhdonte edhe më tej, dhe përfundimisht vendosa t’i zhvendos studimet aty ku pasioni im përputhej me profesionin. Tani kam përfunduar studimet për Dizajn të Modës në Design Factory dhe nëse kthehem në të kaluarën dhe mendja më shkon për vitet ’20-ta dhe ’30-ta, që njihen si periudha e artë e elegancës, nuk do të mendoja që moda dhe eleganca mund të arrijë kulminacion më të madh sesa ishte atëherë. Çfarë na bën sot të pasigurt, është ndikimi në sensin e modës dhe presionit social. Disi, ne priremi të emërtojmë diçka tjetër jashtë modës apo njerëzve si elegantë, më tepër si një virtyt që fokusohet në atë që është e mirë. Kur i kushtojmë vëmendje gjërave të rafinuara, tek ne zhvillohet një vetëdije për mirësi të ndershme dhe disiplinë. Është kjo e vërtetë e thjeshtë, që eleganca është e afërt për secilin prej nesh. Të vishesh me elegancë do të thotë të kesh  finesë dhe thjeshtësi. Megjithatë si shumë profesione, edhe  dizajni kërkon shumë mund dhe kohë, e sidomos kohë. Inspirimi për dizajn nuk ka orar të caktuar dhe mua më duhet ta kem prioritet karrierën në këtë periudhë, meqë synimet e mia janë shumë më shumë se sa kjo që jam tash. Natyrisht familja është tejet e rëndësishme dhe megjithë faktin, që në periudha të caktuara koha ime është tejet e limituar, familja mbetet prioritet.

 Flatra 070

Ardita Ramosaj Polloshka

Ndryshimi fillon nga ne, andaj ne fillimisht duhet ta bindim veten, familjen, shoqërinë për vlerat tona dhe të vazhdojmë të  investojmë vazhdimisht në vete, në shkollim dhe karrierë.

Kam përfunduar MBA Executive në IEDC–Bled School of Management, studime postdiplomike 2 vjeçare, ndërsa shkollimin universitar në AUK, në partneritet me Institutin Rochester me seli në SHBA, në fushën e Shkencës Aplikative dhe Teknologjike me fokus primar në  Studime Menaxheriale & Media Grafik Dizajn si dhe fokus sekondar në Studime Ekonomike. Aktualisht jam menaxhere e Zhvillimit të Biznesit në IPKO Telecommunications L.L.C si dhe pronare e “Remember Me”. Kur flasim shpesh për vetëbesim të palëkundur et gratë duhet që fillimisht të besoj në veten e saj, me një dhunti të veçantë potenciali, që  në të njëjtën kohë mund të kujdeset për familjen e saj, të ndërtojë biznes, të rrisë fëmijë dhe po ashtu të jetë model inspirimi për ta. Secila grua duhet të besojë që pavarësisht rrethanave, me vullnet të mirë mund të ndryshojë edhe botën. Rëndësi të madhe ka edhe përkrahja e të tjerëve, posaçërisht e më të dashurve tanë mirëpo edhe këtu luan shumë rol se sa jemi këmbëngulëse në idetë dhe vendimet tona. Sepse femra ka rol jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe me përgjegjësi të madhe në shoqëri. Përpos pjesës ku femra duhet të jetë model për fëmijët e saj, ajo duhet të kontribuojë shumë në fuqizimin dhe vetëdijesimin e femrave tjera sidomos në Kosovë ku ka mangësi të madhe në vlerësim të femrës. Është shumë me rëndësi vetëdijesimi i femrës, që të ndalojë së besuari se ajo është viktimë pasi që të tillë edhe e she rrethi. Po përkundrazi ta vlerësojë veten e posaçërisht ta përkrahim njëra- tjetrën dhe të fillojmë ta shohim femrën si person të rëndësishëm dhe me influencë të madhe në shoqëri. Ndryshimi fillon nga ne, andaj ne fillimisht duhet ta bindim veten, familjen, shoqërinë për vlerat tona dhe të vazhdojmë të  investojmë vazhdimisht në vete, në shkollim dhe karrierë.

 

 

Mimoza Bajraktari Zeqiri

“ Mendoj se një grua, të cilës i jepet mundësia ta tregojë veten, gjithherë do ia arrijë që të ketë sukses. Kemi shumë gra në Kosovë të cilave kurdoherë ju është dhënë mundësia, gjithmonë janë treguar të suksesshme, dukë u sjellë si profesioniste në punë dhe duke treguar suksese të mëdha.”

Jam menaxhere e projekteve, kurse e kam të kryer Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”  dhe tani jam duke përfunduar një MBA (Masters of Business Administration) në Staffordshire University, e cila do më ndihmojë edhe më shumë në avancimin e mëtejmë. Si zakonisht, në mentalitetin tonë është gjithnjë sfiduese për gratë, që kanë punë me përgjegjësi, pasi që ende nuk shihet si e zakonshme, që një grua të jetë e suksesshme në punët jashtë shtëpisë së saj dhe rrallëherë i jepet mundësia që të tregohet, mirëpo sapo t’i jepet kjo mundësi, gjithherë janë të suksesshme. Unë prej disa kohësh punoj me të huajt dhe sipas kësaj përvoje, bashkëpunimi me këto organizata, të cilat ndihmojnë në zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës, ka qenë gjithnjë i mirë. Përparësi, e cila besoj se duhet të jetë në të gjitha organizatat, vendore dhe ndërkombëtare, është se gjithmonë më kanë mbështetur në avancime dhe angazhime edhe të mëtejme, përveç detyrave që i kam pas përgjegjësi. Dhe mendoj se një grua, të cilës i jepet mundësia ta tregojë veten, gjithherë do ia arrijë që të ketë sukses. Siç e dimë të gjithë, kemi shumë femra në Kosovë të cilave kurdoherë ju është dhënë mundësia, gjithmonë janë treguar të suksesshme, dukë u sjellë si profesioniste në punë dhe duke treguar suksese të mëdha. Pa e lënë anash familjen, miqtë dhe të afërmit.

Flatra 247

 

Kosovare Krasniqi

“Mos lejoni të dorëzoheni. Gjithçka është e mundshme, po qe se punon drejtë dhe me qëllim të mirë!”

Jam arsimuar në Norvegji, Bachelor of Computer Science dhe Master of Media Technology! Punën e parë në Kosovë e kam pasur në profesionin për të cilin jam shkolluar. Mbas studimeve jam kthyer në Kosovë, me këtë e kam realizuar ëndrrën që të kthehem në vendlindje për të kontribuar. Isha menaxhere e TIK (ICT) me një institucion të Gazetarisë për 5 vite. Kurse nga viti 2011 punoj me një kompani norvegjeze Boost Global Innovation, ku dhe jam drejtoreshë ekzekutive për degën në Kosovë.

Për mua një grua e suksesshme është ajo që me mundësitë e veta arrin ti sigurojë vetes të hyra dhe të jetojë një jetë të pavarur financiarisht. Nuk do të thotë , që të ketë një pozitë të veçantë por edhe ajo grua, që nga shtëpia duke u kujdesur për familjen arrin të bëjë diçka për të gjeneruar të hyra, qoftq me produkte pune dorë, qoftë me prodhime të bulmetit. Po ashtu e suksesshme për mua konsiderohet ajo që lufton dhe punon për të realizuar ëndrrat dhe planet e saj, pavarësisht sfidave që do t’i ketë në një vend si Kosova. “Mos lejoni të dorëzoheni. Gjithçka është e mundshme, po qe se punon drejtë dhe me qëllim të mirë!” Asgjë nuk ‘është e sigurt në jetë, andaj edhe dështimet janë normale, ashtu siç thotë populli “ai/ajo që punon, edhe gabon”! Kur thelbi i punes/qëllimeve është i drejtë dhe pa hile edhe në qoftë se nuk realizohet diçka sipas dëshirës dhe planeve, do të gjesh sërish një mënyrë për të arritur aty ku ke planifikuar ose do kuptosh qe duhet modifikime. “Kur mbyllet një derë hapet një tjetër”. Çdo dështim apo sfidë në punë apo karrierë apo edhe në jetë, përgjithësisht duhet përballuar në një mënyrë profesionale, duhet analizuar në mënyrë racionale dhe pastaj të vazhdosh të përmirësohesh dhe të korrigjosh gabimin . Edhe pas dështimeve, në jetë duhet të vazhdosh të kërkosh rrugë të tjera më të sigurta.

admin

Artikujt e tjetrë