Intervista

Prapa “perdeve” të politikës

inter-1024x691

Në fund të këtij viti bëhen dhjetë vjet, që kur Abelard Tahiri vendosi të kyçej në politikë. Atëbotë gjithçka ishte e re dhe terren i panjohur për të. Sot ai është Shef i kabinetit dhe këshilltar politik i Presidentit të Republikës së Kosovës. Zakonisht njerëzit, që qëndrojnë prapa figurave të mëdha, nuk parapëlqejnë të duken dhe i tillë është edhe z. Tahiri. Megjithatë me këmbënguljen tonë të vazhdueshme, arritëm që ta bindim për ta realizuar këtë intervistë, për ta njohur më mirë një nga njerëzit më të afërt të Presidentit, ideatorin dhe përkrahësin e përhershëm të idealeve dhe sukseseve të Partisë Demokratike të Kosovës. Një angazhim dhe punë e palodhshme pranë këtij subjekti politik, Qeverisë dhe së fundi Presidencës.

 

Intervistoi: Besa Gjoni/ Foto: Agron Dragaj

 

Çfarë ju motivoi t’i futeni politikës?

Historia e dhimbshme e Kosovës ka bërë që askush të mos jetë indiferent ndaj zhvillimeve politike, të cilat na kanë prekur të gjithëve thellë në jetën tonë të përditshme. Në kujtesën time të fëmijërisë janë të ngulitura protestat, masat represive të okupatorëve apo përjetimi familjar për dëbimin nga puna të prindërve. Po ashtu të gjithë u tronditëm nga traumat e konfliktit  dhe vështirësitë e nisjes së jetës nga e para në Kosovë të shkatërruar prej luftës. Kjo përvojë e hershme imja më shtyu, që të angazhohesha në moshë shumë të re në strukturat e Rinisë Demokratike të Kosovës (Forumi rinor i PDK). Duke qenë pjesë e një organizate rinore politike kam pas mundësi, që të ballafaqohem me sfida ndryshme, të cilat veç sa ma përforconin idenë që të përcaktohem në shërbim të qytetarëve dhe vendit përmes politikës. Gjithashtu përcaktimi im gjatë shkollës së mesme për tu marr me shkencat sociale ka qenë një tjetër faktor nxitës. Ndërsa pas përfundimit të shkollës së mesme, kisha dilemë për të vazhduar Juridikun apo Shkenca Politike, ndaj edhe i regjistrova të dyja fakultetet dhe sapo përfundova vitin e parë, vendosa që të vazhdoj më tej vetëm me Shkencat Politike.

 Pse zgjodhët Partinë Demokratike të Kosovës?

Megjithëse shumë i vogël asokohe, jam ndjerë jashtëzakonisht i lumtur, krenar e besimplotë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli për herë të parë në publik, në 28 nëntor 1997. PDK-ja kishte një lidership mjaft të ri në moshë, energjik, u krijua prej ish-luftëtarëve dhe si formacion politik njiheshin edhe si krahu i luftës. Partia Demokratike e Kosovës gëzonte mbështetje masive në rajonet më të prekura nga lufta sikurse ishte Drenica. Unë kam lindur në Skenderaj, ku PDK kishte një përkrahje mbi 85% e ku shumica e familjareve dhe miqve të mi kanë qenë përkrahës të flaktë të PDK-së. Për mua angazhimi me PDK-në ka qenë një hap i natyrshëm dhe në njëfarë mënyre përbënte përmbushjen e borxhit tim personal ndaj Kosovës në kohë paqe, atë që nuk munda ta bëja më herët në kohë lufte. Atëbotë besoja se formacioni politik që kishte vizionin, kurajon dhe liderin e duhur për të sjellë lirinë do të ishte i vetmi, që mund të sillte edhe Pavarësinë dhe progresin në vendin tonë. Sot e them gojë plot e pa asnjë mëdyshje, që kisha të drejtë të besoja ashtu.

  Na flisni pak për rolin tuaj në fushatën e fundit të PDK-së?

Ish Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, në fushatën e fundit na kishte besuar një rol të madh, organizimin e fushatës zgjedhore, që në të shkuarën nuk e kemi pasur ne. Ky ishte një privilegj, po njëherazi edhe përgjegjësi e jashtëzakonshme. Ka qenë një nga fushatat më të gjata që kam punuar ndonjë herë mbi 6 muaj angazhim intensiv të përditshëm. Duke qene edhe në pozitën e shefit të kabinetit të Kryeministrit Thaçi, i cili ishte edhe kryetar i PDK-së, unë kisha për detyrë organizimin dhe koordinimin e grupeve që merreshin me fushatën dhe agjendën e tij. Konsolidimi i organizimit tonë, shpeshtimi i veprimtarive mediatike, si dhe avancimi ynë në rrjetet sociale në krahasim me rivalet tanë, na ka shtuar energjitë duke na bërë që të besojmë në fitore. Por më duhet gjithashtu të them, që roli i ekipit të fushatës që unë kam drejtuar mbetet dytësor. Për arsye se nuk është shumë e vështirë t’i bësh fushatën Hashim Thaçit, i cili ka një talent, përvojë dhe instinkt të jashtëzakonshëm në politikë. Unë, fushatën zgjedhore e krahasoj me punën e një rrobaqepësi, them që për një rrobaqepës nuk është e vështirë t’i presë një palë rroba të mira, kur ka një trup të mirë përpara, prandaj them me shume sinqeritet, se nuk është shumë e vështirë të bësh një fushatë të mirë për z.Thaçi. Mjafton të kesh energji, vullnet, disiplinë dhe kreativitet.

Sigurisht keni shumë histori interesante nga kjo fushatë. Cilën do ta kishit veçuar si më të preferuarën?

E vërtetë që ka pasur shumë histori interesante, por një që më vjen në mendje është ajo e fotos së parë “selfie” të presidentit Thaçi në fillim të vitit 2014. Ju kujtohet? Fillimisht kishte hezitim për bërjen e një fotografie vetes me telefon të mençur, por mandej rezultoi një sukses aq i madh sa në një farë mënyre u bë markë personale e tij. Në këtë rast sigurisht na ndihmoi i biri i tij, Endriti, që ta bindim për ta bërë selfien. Falë karizmës së tij në çdo aktivitet gjatë fushatës vinin pafund të rinj, që donin ta kishin një selfie me të. Që atëherë ende sot fjala selfie asociohet me Hashim Thaçin.

Nganjëherë njerëzit harrojnë se sa angazhim kërkohet për të bërë një fushatë të tillë politike? Cila ka qenë strategjia apo taktikat më sfiduese që ka ndihmuar në arritjen e fitores, duke filluar nga zgjedhjet e fundit në Kosovë, e deri tek zgjedhja e Presidentit Thaçi?

Kur flitet për fushatat besoj se njerëzit i mbivlerësojnë deri diku mediat dhe nënvlerësojnë rëndësinë e kontaktit individual. Duhet vënë në dukje se presidenti ka një personalitet magnetik dhe di të ndërtojë shpejtë një raport ndërpersonal me njerëzit. Për të çdo dorë e shtrënguar është një votë e fituar dhe ai nuk është fshehur pas kamerave, por nuk ka hezituar asnjëherë që t’i takojë personalisht njerëzit duke i rënë Kosovës kryq e tërthor. Në mes të fushatës ndodhte shpesh që brenda të njëjtës ditë, të kishte njëmbëdhjetë takime në vendndodhje të ndryshme të Kosovës, e ndërkaq të kishte mjaftueshëm energji edhe për të bërë ndonjë intervistë televizive.

Abelard

 Çfarë është diçka për të cilën krenoheni kur i riktheheni të kaluarës tuaj në politikë?

Duke pasur nderin dhe fatin që të punoj pranë Hashim Thaçit, kam qenë dëshmitar i disa prej zhvillimeve dhe ngjarjeve më të rëndësishme historike të vendit tonë, sikurse ishte shpallja e Pavarësisë. Në fund të këtij viti më bëhen dhjetë vjet angazhim intensiv në PDK,  Qeveri si dhe tash së fundi në Presidencë. Pa dyshim që fushata e fundit ka qenë një ndër projektet më domethënëse në këto vite për mua personalisht. Nuk ishte aspak e lehtë që pas dy mandate qeverisje të dilnim sërish fitues.

Është marrëdhënia juaj me Presidentin më e rëndësishme se e çdo këshilltari tjetër në kabinet?

Marrëdhëniet në mes  këshilltarëve dhe Presidentit janë pothuajse të njëjta, nuk ka dallime të mëdha. Ne i kemi detyra të ndara dhe secili këshilltar mbulon sektorë apo fusha të ndryshme. Mirëpo unë duke qenë në rolin e shefit të stafit kam një angazhim dhe përgjegjësi disi më të madhe. Pjesa më e madhe e kabinetit të Presidentit përbëhet nga kolegë, të cilët kanë qenë të angazhuar në fushatën parlamentare dhe në gjithë këtë periudhë kemi krijuar një frymë të mirë ekipi.

 Si një ndër njerëzit më të afërt te Presidentit, cila është pika më fortë dhe më e dobët e tij?

Qetësia me të cilën vepron Hashim Thaçi është një ndër virtytet e tij, që e çmoj më së shumti. Ai vepron gjithmonë pasi ka reflektuar me maturi, i bluan situatat me kthjelltësi dhe nuk i lejon kurrë emocionet që t’ia errësojnë gjykimin. Sado që përpiqem të mësoj prej tij, edhe pse po mbushet një dekadë që punoj pranë tij, ende nuk ia kam dalë që ta “huazoj” si duhet këtë virtyt. Pika më e “dobët” nëse mund ta quajmë kështu e Hashim Thaçit besoj se është gjumi, është njeri që fle shumë pak. Shumë shpesh na bie që të mbesim deri në orët e vona të mbrëmjes dhe sërish të nesërmen prapë në ora 8 e ke në zyrë, sigurisht ne stafi i tij pastaj nuk kemi se si të vonohemi.

Duke qenë se jeni shumë i angazhuar, çfarë roli luan familja në jetën tuaj?

Në përballjen me stresin dhe sfidat e përditshme të angazhimit tim politik, roli mbështetës i familjes sime mbetet i pazëvendësueshëm. Mund të them se është vendimtar, pa përkrahjen e familjes sime nuk do të kisha ngelur gjatë në punën që bëj. Mirëpo fatkeqësisht duke pas parasysh kohën që më merr puna, roli im në familje është minimal. Barra e madhe në organizimin e punëve të shtëpisë e familjes i bie gruas time, Yllkës, të cilës i jam pafund mirënjohës. Ne na ka bekuar Zoti, kemi dy fëmijë, Jonila 4 vjeçe dhe Pirro 2 vjeç… Për të qenë i sinqertë shumë shpesh më vret ndërgjegjja që nuk arrij të gjej aq kohë sa dua për ta kaluar me ta. Po ashtu jam fatlum që kam Yllkën, e cila është bujare me mirëkuptimin, që tregon ndaj punës të cilën e bëj. Nganjëherë edhe bëhet nervoze për mungesën time në shtëpi dhe kur na bie të fjalosemi, unë i them që kam kryer shkollën për këtë punë dhe tashmë kam 10 vjet përvojë pune dhe nuk mund t’ia nisë nga e para një profesioni tjetër … mjek vështirë se mund të bëhem dot më. Megjithatë edhe pse nuk jam i pranishëm sa duhet me ta, ata janë përherë të pranishëm në mendjen time, në punën time. Bëj çmos që mos të më kap rutina e punës sepse jam i vetëdijshëm se puna që bej ndikon deri diku edhe tek familja ime, tek e ardhmja e fëmijëve të mi. Kjo gjë më ngarkon me përgjegjësi dhe me jep më shumë energji e entuziazëm për të ecur përpara.

Cilat janë ambiciet tuaja në politikë? Keni menduar të “shfaqeni”?

Në këtë kohë unë jam i angazhuar në zyrën e Presidentit dhe mbetem i bindur se duke punuar për presidentin Thaçi vazhdoj të kontribuoj më së miri për Kosovën. Jam krenar që punoj për kryetarin e Republikës së Kosovës dhe po ashtu e konsideroj Partinë Demokratike të Kosovës si shtëpinë time politike, ku besoj se do të vazhdoj të ndërtoj karrierën politike në të ardhmen.

admin

Artikujt e tjetrë