Opinion

Ndjesitë që na ka “vjedhur” teknologjia

Një bisedë mes miqsh nuk është më si dikur…Në një moment të caktuar kuptojmë, që secili prej nesh jemi “zhytur” në telefon dhe secili po hulumtojmë të gjejmë vetveten…apo dikë tjetër.

 

Në “shekullin e internetit“, edhe gjërat më personale nuk janë më aq personale, sepse pa e kuptuar mirë gjithçka tashmë duhet ta ndajmë me të tjerët, si një formë tjetër e komunikimit dhe ruajtjes së raporteve qoftë ato miqësore, familjare apo edhe profesionale. Natyrisht se kjo mënyrë e komunikimit shpesh herë na e lehtëson faktin, që të gjitha informacionet t’i marrim shumë shpejtë dhe të njoftohemi me më të rejat nga vendi dhe globi, por të qenët “online” nuk është vetëm kaq. Varësia nga telefoni, rrjetet sociale, aktivizimi online, janë temë diksutimi madje edhe shqetësuese duke pasur parasysh numrin gjithnjë në rritje të përdoruesve. Megjithatë cilat janë disa nga ndjesitë apo shprehitë më të mira që po i “vjedhë” çdo ditë e më shumë teknologjia?

Lexojmë libra…online

Për ata që kanë mbërritur të ambientohen me leximin online s’ka më zhgënjime se libri nuk është në bibliotekën që po e kërkojnë, se dikush nuk ta ka kthyer atë libër apo se dikush e ka marrë para teje. Libri gjithmonë është aty, jo në formën klasike që e ka shkruar autori, jo në dorën tënde ku t’i mund t’i prekësh aqet e tij, ta rrotullosh nëpër duar, ta shënosh emrin tënd në faqen e parë apo ta vendosësh në raft, është në një ekran përball teje, por libër është, ende quhet i tillë.

Bëjmë blerje…online

Përmes avansimit të teknologjisë  na mjafton të kyçemi online dhe të gjejmë faqet ku gjinden gjërat që dëshirojmë t’i blejmë t’i zgjedhim ato, t’i porosisim dhe të rrimë duke pritur në shtëpi për pakon e porositur. Ky trend i shitjeve dhe blerjeve online na ka lehtësuar punën dukshëm dhe ka ndryshuar goxha shumë formën klasike të blerjeve, megjithatë mungon ai entuziazmi dhe kënaqësia, që gjatë blerjeve të jeni e/i shoqëruar nga miqtë, të komentoni dhe të argëtoheni bashkë.

Mesazhe në vend të telefonatës

Të gjithë sot e kemi më të lehtë të shkruajmë një sms sesa të përdorim çdo formë tjetër të komunikimit. Por a është kjo gjithmonë mënyra e duhur? Sa arrijmë të tregojmë atë që duam dhe sa të ngrohta janë urimet për festat e ditëlindjeve, që ne i shprehim përmes sms-ve? Ndoshta mënyra më e lehtë nuk është gjithmonë mënyra e duhur…

Kinemaja nuk është opsion

Në ditët e sotme premierat botërore më nuk i presim në radhë për të blerë biletën. Tashmë të gjitha realizimet e fundit kinematografike i shohim në shtëpi, pa u munduar që të përjetojmë atë kënaqësinë dhe magjinë që na e dhuron vetëm ekrani i madh i kinemasë.

Luajmë online

Jo doemos kemi nevojë për një mik që të na ulet përballë në tavolinë për të luajtur një lojë me letra, shah apo domino, këtë e kemi zëvendësuar me aplikacionet online… Kur humbim apo triumfojmë s’mund të debatojmë dhe dallimi mes lojërave kompjuterike dhe klasike është shumë i madh.

 FLATRA @copyright  

admin

Artikujt e tjetrë