Arte Pamore

Artistët, pasqyra shpirtërore e vendit

Roli i koleksionistëve të artit ka qenë gjithmonë jetik, sepse pa ta bota e artit nuk do të ishte në gjendje të funksiononte dhe artistët nuk do të mund të mbijetonin.

Edhe muzetë më të mëdhenj të artit në botë, nuk do të ishin kaq mbresëlënës, shumë sosh janë ndërtuar nga donacione individuale të koleksionistëve të artit. Në këtë intervistë me Genc Rodiqin, njërin prej koleksionistëve të rrallë të artit që hasim në Kosovë, zbulojmë më shumë sesi mendon një koleksionist, raportin që ata krijojnë me artistët si dhe për galerinë e tij, në të cilën gjejmë vepra të artistëve të ndryshëm, DADA Art Gallery.

Na flisni pak për galerinë DADA, si lindi ideja për një galeri të tillë private dhe çfarë e bënë atë kaq të veçantë?

Ideja për të hapur një galeri është rezultat i koleksionimit të përbashkët të veprave të artit me gruan time Marta Gazideda. Rol të rëndësishëm në këtë vendim kanë pasur edhe disa qëllime sikur: dëshira për ta pasuruar ofertën kulturore të Prishtinës me një “landmark”, ndihma në promovimin e artistëve të ri dhe nxitja e turizmit.  Themelimi i Dada Art Gallery  koinçidoi me 100 vjetorin e Dadaizmit ashtu që emrin e huazova prej kësaj lëvizjeje. Është fjalë që përdoret në shumë gjuhë botërore përfshirë edhe Kosovën andaj mu duk interesant. Të gjithë ne i kemi Dadat tona.  Emrin e huazuam, por jo edhe logon. Atë e dizajnoi Kastriot Dragaj, disenjator i ri nga Prishtina, punë për të cilën u shpërblye me çmim ndërkombëtar për dizajn në Paris.  Galeria është e veçantë për nga arkitektura sepse ka vetëm 18 metra katror hapësirë, është pjesë e shtëpisë private, është në një lokacion të mirë, dhe ka një rrethore të lartë 3 metra, të cilën e kemi shfrytëzuar për të vendosur 11 panele të jashtme. Këto panele do të përdoren për t’i ekspozuar veprat në print dhe në fotografi. Hapësira e Galerisë dhe rreth saj është e paramenduar, jo vetëm, për ekspozimin e veprave, por edhe për aktivitete tjera të ndërlidhura me artin dhe kulturën.

????????????????????????????????????

Të jesh koleksionues është ana tjetër e medaljes së të qenët artist.  Cili është mendimi juaj në lidhje me këtë?

Pajtohem me konstatimin tuaj. Artistët për mua janë pasqyrë shpirtërore e një vendi. Nga ana tjetër,  roli i koleksionistit është që vlerat e tyre t’i ruaj dhe t`i promovojë. Është e vështirë të merresh me këtë punë nëse nuk e ke pasion artin. Unë shpesh them ne jemi artistë, të cilëve u mungojnë shkathtësitë për t’i realizuar veprat, andaj kënaqemi me punën e të tjerëve. Mund të na quani edhe si nxënës të artit, mësojmë çdo ditë nga pak. Në anën tjetër, ne shpesh ndikojmë në punën e artistëve me apo pa vetëdije. Kjo ndodh sepse jemi shumë afër tyre. Edhe pse veprimtaria e një koleksionisti ndryshon prej asaj të artistit, në fund, një koleksionist, përsëri do të vlerësohet në bazë të koleksionit të tij, i cili është një vepër arti në vetvete.

Kur flasim për artin që shohim të ekspozuar në galerinë tuaj, a është ky një art që ju konfronton, sfidon apo ju bënë të ndjeheni komod dhe të qetë?

Arti që është i ekspozuar në galerinë time është një përzierje interesante e veprave ku ka elemente prej të tri klasifikimeve që i përmendet. Megjithatë, veprat e ekspozuara me shumë anojnë nga komoditeti dhe qetësia. Kjo për arsye se dua të krijojë një ambient të bukur dhe relaksues për veti dhe për publikun. Në të ardhmen, me organizimin e ekspozitave të ndryshme gjërat do të ndryshojnë sepse do të kyçen kuratorët e ekspozitave me idetë e tyre.

2

Ndërsa kur jemi tek blerja e një vepre apo pikture,  e konsideroni atë se si do të lidhet kjo vepër me pjesën tjetër të koleksionit tuaj?

Jo, nuk mendoj në atë aspekt. Ende blej çka më pëlqen dhe atë çka mund t’i lejoj vetes për të blerë. Ka ndodhur në të kaluarën, pa dashur, që të grumbullohen disa punime me të njëjtën tematikë por rastësisht.  Kur fillova të blej vepra arti, aty rreth vitit 2005, nuk kisha asnjë strategji të koleksionimit. Të vetmet kritere, që i kisha në atë kohë ishin:  që vepra të jetë vaj apo akril në pëlhurë dhe të jetë e artistit të ri. Me kalimin e kohës filloi ai procesi i profilizimit kur koleksionisti fillon të specializohet me shumë në një periudhë kohore, apo një medium të caktuar apo në një tematikë. Kjo me ndodhi edhe mua dhe fillova t’i kërkoj punimet e tre artistëve që i pëlqeja. Vrapoja nëpër të gjithë Prishtinën për t’i gjetur punimet e tyre.  Kjo ishte një lojë shumë interesante, garë e bukur dhe sfiduese, por jo edhe e lehtë.  Se në çfarë drejtimi do të shkon koleksioni im në të ardhmen, do ta shohim, por nuk e besoj se do të specializohem ngushtë.

Çfarë “thotë” koleksioni juaj për kohën në të cilën po jetojmë, aktualitetin?

Koleksioni im ( vepra të mbledhura gjatë viteve 2005-2015 ) e pasqyron një shoqëri në një periudhë të caktuar kohore dhe flet shumë për aktualitetin edhe kur këto tema nuk janë të trajtuara në vepra. Pra, flet në mes të rreshtave, në mënyrë indirekte, dhe si i tillë, si një dokument i kohës, e ka një vlerë të patjetërsueshme. Në koleksionin tim vërehen: pasojat e luftës, pasojat e sistemit të rrënuar arsimor te 90 tave, pasojat e një regjimi shumë diskriminues të vizave, pasojat e tranzicionit shoqëror, pasojat e një globalizmi dhe kapitalizmi të egër, frustrimet, ikja prej realitetit e kështu me radhë. Të gjitha janë aty, para syve të shikuesit. Është për t’u habitur sa shumë informata dhe konkluzione mund të nxjerrë njeriu për aktualitetin vetëm duke e shikuar dhe analizuar një koleksion arti. Artisti është subjektiv, paraqet vetëm një pikëpamje, atë si ai e sheh realitetin. Koleksionisti është me objektiv, sepse punon me një mostër më të madhe te veprave dhe mund të gjykojë më drejt në lidhje me realitetin në shoqëri.Sa për informim,  ekspozita e parë në Dada Art Gallery do të organizohet në maj 2017 me ngjyrat e freskëta dhe të shijshme të artistit nga Prizreni, Enver Hoxhaj . Ekspozita titullohet  “Fresh and Tasty Colours“.

admin

Artikujt e tjetrë