Kulturë

Arti i tingujve me Mikaela Mingën

Mikaela Minga, etno/muzikologe, rrugëtimin e saj në botën e muzikës e ka filluar qysh në moshën 6 vjeçare, duke mos e menduar asnjëherë se do të bëhej pjesë e pandashme e saj. Në këtë intervistë në Flatra, Minga na zbulon më shumë në lidhje me sukseset dhe  jetën e saj të rrethuar nga arti i tingujve. 

Foto: Elvis Gorica

Pse vendosët të studioni muzikën?

Që në moshë të vogël kam filluar të merrem me muzikë dhe tashmë është bërë pjesë e pandashme e imja. Dikur vendosa që krahas interpretimit, ta studioj muzikën; të merrem me fenomene që kanë të bëjnë me artin e tingujve dhe çfarë e bën këtë art të rëndësishëm për njeriun. Në një gjuhë më teknike, kjo më bën një muzikologe. Në thelb, ama, e ndjej veten parësisht muziktare. E ka thënë diku prof. Ramadan Sokoli dhe unë parapëlqej të identifikohem si e tillë gjithashtu.

Meqë e nisëm kështu, jam kureshtare të mësoj diçka më shumë rreth rrugëtimit tuaj në këtë profesion nga shkrimi që përmendët.

Gjatë kësaj kohe jam marrë me praktika të ndryshme muzikore, në një gjeografi që është sa shqiptare, aq edhe ballkanike e mesdhetare. Më ka tërhequr posaçërisht muzika e shekullit të XX, me gjithë larminë e formave, gjinive, stileve dhe protagonistëve të saj. Sigurisht, për ta bërë një punë të tillë më është dashur të hulumtoj shumë; të dëgjoj me vëmendje – dhe jo vetëm muzikë – dhe gjithashtu të lexoj shumë. Fryt i kësaj pune janë artikuj dhe ese të ndryshme në shtypin e përditshëm. Këto kohët e fundit jam angazhuar edhe në web, pranë revistës online:  Peizazhe të fjalës.

Në një rrafsh më të thelluar, punët e mia janë pasqyruar edhe në tre libra: Ku ka muzikë (2006), një antologji me sprovat e hershme muzikologjike dhe Luciano Berio dhe Folk Songs (2008), një monografi për një prej kompozitorëve më të njohur italianë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Luciano Berio ka qenë pjesë e avangardës artistike evropiane dhe duke shkruar për të, kam mësuar jashtëzakonisht shumë. Rreth një vit më parë, doli nga shtypi edhe libri im i tretë. Kësaj here është një vëllim në gjuhën italiane me bashkautor Nicola Scaldaferri-n.

E keni fjalën për Spanja Pipa e la canzone urbana di Korça”. Shkurtimisht, çfarë përmban ky libër?

Ky është një vëllim i shoqëruar  me një album në CD. Ka si protagoniste artisten korçare Spanja Pipa dhe marrëdhënien e saj të veçantë me këngën korçare. Libri është rezultat i një projekti shqiptaro-italian. Ideja jonë ishte dokumentimi i një performancë muzikore dhe i një kënge që “noton” mes së shkuarës dhe së tashmes. Regjistrimet muzikore që gjenden në vëllim janë bërë në 2013, por këngët datojnë në një periudhë më të hershme; në vitet ’30-’60 të shekullit të shkuar. Libri është një rrëfim intim për këngën korçare nëpërmjet zërit të një protagonisteje që e interpreton prej më shumë se 50 vjetësh. Ndonëse jo shumë e njohur në skenën kombëtare, Spanja Pipa na tregon se nuk është ngjitja në skenë një domosdoshmëri për të qenë artiste dhe për t’i bërë të tjerët të emocionohen me artin tënd.

 Pra një këngëtare pak e njohur zë vendin kryesor në studimet tuaja?

Spanja Pipa nuk ka qenë krejt e panjohur për korçarët. Në vitet ’60, ajo ka pasur një karrierë të  suksesshme si aktore dhe këngëtare e trupës së teatrit të qytetit. Më pas u tërhoq nga skena. E veçanta e saj ishte që nuk rreshti së kënduari. Përvetësoi një repertor të caktuar këngësh korçare, të cilat i interpretonte në ambiente të ndryshme: festa, mbledhje me miq, por edhe në intimitetin e saj. Pas viteve ’90, ajo regjistroi disa nga këto këngë, megjithatë nuk iu rikthye skenës  si këngëtare aktive. Gjithsesi, nuk ka qenë mosnjohja arsyeja pse ajo zuri një vend kaq të rëndësishëm në punën time. Ishte te mënyra sesi ajo i interpretonte këto këngë. Kishte një karizëm dhe sensibilitet të veçantë. Do shtoja gjithashtu edhe një përmasë teatrale gjë që lidhet me përvojën e saj si aktore.

 Sipas jush, çfarë vendi zënë serenatat korçare në kulturën shqiptare?

Në fakt, serenata është veç një pjesë e kësaj gjinie muzikore. Ajo ka qenë një praktikë shumë popullore për djelmoshat e rinj, sidomos deri në vitet ’60. Pas këtij momenti, regjimi komunist e ndaloi. Megjithatë të identifikosh gjithë këngët korçare si serenatë, nuk është krejtësisht e saktë. Kënga korçare përfshin edhe materiale të tjera që nuk i këndohen të dashurës poshtë dritares. Repertori i Spanja Pipës, fjala vjen, është i tillë. Janë këngë që mbartin një ndjeshmëri të madhe, herë shumë të stërholluar, e herë pak të sheqerosur, por gjithmonë të sinqertë. Ndjehen doza nostalgjie dhe subjektiviteti.

Këngët përcjellin tiparet e një kozmopolitizmi muzikor që arriti të depërtonte muret e trasha të vetizolimit kulturor të Shqipërisë komuniste dhe u lidh me gjini të tjera urbane: fado-ja në Portugali, rembetiko në Greqi, klapa-t dalmate, chanson-at në Francë, etj. Një pjesë e repertorit të këngës korçare nuk mundi të ngjitej në skenë gjatë asaj periudhe. Kjo nuk e pengoi atë të bënte jetën e vet, gjë që tregon se nuk kemi të bëjmë me një këngë në vetvete. Është një fenomen muzikor, i cili lidhet me realitetin e veçantë kulturor urban që u prodhua në Korçë që në vitet e para të shekullit XX. Ai lidhet me jetën e përditshme, por sidomos me njeriun, botën e brendshme të tij dhe hapësirat e lirisë e të rezistencës në një regjim diktatorial tepër shtypës. Këto janë arsyet, për mendimin tim, pse kjo gjini zë vend të posaçëm brenda kulturës shqiptare.

Cili është mendimi juaj për muzikën shqipe, që po zhvillohet aktualisht?

Nuk kam një mendim kështu në përgjithësi. Nga vëzhgimet e mia, mund të them se muzika që bëhet sot si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri ka një shumësi stilesh, protagonistësh, praktikash performimi. Ajo është nën ndikimin e madh të globalizmit muzikor. Ky globalizëm dhe mungesa e një tregu të konsoliduar e rritin shkallën e entropisë brenda saj, duke sjellë jo pak herë situata amullie. Ka talente premtues, por shumë shpesh ata nuk gjejnë hapësirë; mpihen nga modelet e parafabrikuara, sidomos ato të prodhuara nëpër studio me kompjuterë e sampler-a. Vërej gjithsesi që në krahasim me Shqipërinë,  skena muzikore e Kosovës ka një prirje më të madhe kërkimi për të gjetur vetveten brenda këtij realiteti. Jam shumë kureshtare të shoh sesi do të vijojë. Dua gjithsesi të nënvizoj diçka që për mua është e rëndësishme: kushdo që kërkon të bëjë muzikë, duhet pikë së pari të mësojë si të dëgjojë.

admin

Artikujt e tjetrë