Intervista

Shqipëria që (nuk) e njohim

“Shqipëria tjetër”, është një prej ideve më të veçanta që ka ekranizuar gazetari nga Shqipëria, Marin Mema. Një përvojë dhe një rizbulim i fakteve dhe historisë mijëra vjeçare të popullit tonë. Një rrugëtim nëpër viset më të fshehta dhe jo rrallë të panjohura, ku kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë shqiptarët. Dhe përmes kësaj intervistë, risjellim edhe njëherë Shqipërinë tonë në këndvështrimin e Marin Memës.

Si lindi “Shqipëria tjetër”?

Shqipëria Tjetër lindi si një dëshirë dhe domosdoshmëri për të treguar dhe sjellë zërin e njerëzve të thjeshtë, për të shpluhurosur historinë , monumentet e kulturës dhe natyrës, për të zbuluar korrupsionin, abuzimet, e gjithçka tjetër që nuk kish marrë kurrë rëndësinë e kërkuar. Njerëzit e thjeshtë kanë të drejta pavarësisht se zëri i tyre shpesh vjen i mbytur nga interesat e politikës e pushtetarëve. E pra Shqipëria Tjetër është një dritare për këta njerëz që jetën e kanë ngritur mbi sakrificat dhe ndershmërinë. Shqipëria duhet të jëtë e tyrja në radhë të parë.

Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje në këtë rrugëtim?

Më ka bërë përshtypje fakti se Shqipëria dhe shqiptarët kanë mundësi të pafundme. Ky vend është i jashtëzakonshëm e kërkon veç të njihet dhe trajtohet siç duhet. Shqipëria ka monumente të tilla si Amantia, Butrinti, Finiqi, Kalaja e Shkodrës , Lezhës, Kanina, Apollonia, Kruja, Berati, Gjirokastra, Tepelena, Durrësi, Drishti e kudo. Ka bregdet nga veriu në jug, ka liqene, ka parqe kombëtare, ka vende me bukuri mahnitëse. Por pavarësisht gjithë kësaj pasurie shqiptarët sot shkojnë jashtë e nuk i prekin këto destinacione që ofron vendi i tyre. E pse Austria, Zvicra e Franca paskan zona më të bukura se Thethi, Vermoshi, Vithkuqi, Rehova, Pogradeci, Korça, Erseka, Nikaj, Merturi ? E ku ka më bukur se bregdeti shqiptar, ku ndërthuret mali e deti, tradita, kultura e trashëgimia. Kjo më ka bërë përshtypje, fakti që zoti e ka dashur shumë Shqipërinë duke i dhënë gjithçka. Ne duhet të dimë t’i shfrytëzojmë siç duhet këto vende, tu ofrojmë infrastrukturë, mbështetje, reklamim e ju garantoj që shumë shpejt Shqipëria do të kthehej në një ndër destinacionet më të preferuara për turistët e huaj.

Pse është e rëndësishme të evidentohet “Shqipëria…”?

Sepse ka ç’të japë. Ju garantoj ka shumë për të dhënë. Shqiptarët si komb janë një vlerë, një vlerë, që duhet të tregohet kudo në të gjithë tërësinë e saj.

Cila Shqipëri ka lënë më shumë shenja tek ti? 

Shqipëria e fshehur, ajo që deri më sot kish mbetur e fjetur. Ka shume vende në Shqipëri që edhe pse nuk njihen sa duhet janë të jashtëzakonshme. Tek unë kanë lënë shenja varret mbretërore ilire të Selcës së poshtme në Mokër, gurët hije rëndë të Albanopolit në Fushë Krujë, Kalaja e Kardhiqit apo shpella e Pëllumbasit, tek unë kanë lënë shenja kështjella e Grazhdanit ne Dibër apo ajo në ishullin e Sardës jo larg Shkodrës. E po ashtu tek unë shenja kanë lënë minatorët e Bulqizës e Martaneshit, Kukësit e Tropojës, kanë lënë banorët e varfër të fshatrave të thella. Shenja tek unë kanë lënë shqiptarët e Sanxhakut, të Ulqinit, të Tuzit e Malësisë, Prevezës, Paramithisë, Filatit, Rekës, Manastirit, Shkupit, Tetovës e kudo. Çdo udhëtim ka lënë shenjat e veta tek unë.

Pse është Shqipëria vendi më i mirë për të jetuar?

Sepse shqiptarët kudo janë kanë një zemër të madhe, kanë shpirt të vërtetë, kanë mikpritje, kanë vlera. E nëse diku ato nuk duken plotësisht, kjo ka ndodhur për shkak të problemeve të shumta sociale,e megjithatë nuk janë zhdukur, thjesht po flenë në pritje që dikush t’i rizgjojë.

Çfarë të ka mbetur peng?

Edhe ato që më kanë mbetur do t’i realizoj. Ka shumë vende që duhet ende të vizitoj. Programi është shumë i gjerë. Rrugëtimi vazhdon. Ju garantoj se befasitë do të jenë të mëdha.

admin

Artikujt e tjetrë