Gruaja

Uta e maleve

E para alpiniste shqiptare, e cila “mundi” majat e Himalajave. Uta Ibrahimi ka një histori të bukur për ta ndarë me ne, motivuese, më pranë natyrës dhe jetës së shëndetshme, vajza që po pushtona majat e larta.  

E mërzitur nga përditshmëria, kafet që zëvendësonin kafetë, Uta Ibrahimi mori një vendim për të ndryshuar këtë mënyrë jetese. Gjithçka filloi pesë vjet më parë. Për të vazhduar një raport shumë të ngushtë me natyrën, majat më të larta, por mbi të gjitha një mënyrë jetese të shëndetshme. Aktualisht ajo është e para femër shqiptare që u ngjit në Himalaja, një sfidë e cila veçse ka nisur, deri tani ia ka dalë mbanë. “Është një ndjenjë  e përzier, nga njëra anë një kënaqësi e madhe, që arrita ta realizoja këtë qëllim për herë të parë, por nga ana tjetër, ideja se isha unë e para dhe jo dikush tjetër, para meje, shumë kohë përpara më pengon …. nuk më vjen mirë pse duhet të jemi kaq vonë, larg botës edhe në këtë aspekt.”- tregon Uta. Natyrisht që Everesti është ëndrra e çdo alpinisti apo personi që merret me ngjitje, Uta nuk bënë përjashtim. “Ishin disa vite që ngjitesha në male të ndryshme, e megjithatë synimi kryesor ka qenë gjithmonë Everesti, maja më e lartë në botë, gjatë gjithë kohës ushtroja jashtëzakonisht shumë që të isha në gjendje të mirë fizike dhe psikike. Para 8 muajve, Xhimi Begeja, nga Shqipëria, i cili para disa vitesh ka qenë në Everest, i pari ekip shqiptar që kanë arritur, për rreth një vit ka hulumtuar të gjente një alpiniste shqiptare, e cila ishte e gatshme të ndërmerrte një hap të tillë, jo Everestin, por majat e Himalajës.

Është një projekt dy vjeçar, i cili përfshin disa ekspedita, që ka për qëllim pushtimin e disa majave të tjera në Himalaja gjatë dy viteve të ardhshme si dhe zhvillimin dhe promovimin e alpinizmit shqiptar. Më kontaktuan nëse isha e interesuar të bëhesha pjesë e këtij projekti…Sigurisht që pranova menjëherë ndërkohë që ai më thoshte të mendohesha, por sa më shumë e mendoja më lindin dyshime, sepse është një sakrificë e madhe. Nuk ishte thjesht ngjitja nëpër maja, por edhe përgatitja fizike dhe psikike paraprakisht që duhet ta bësh, që të merr shumë kohë edhe nga jeta jote personale. Duhet të respektosh një disiplinë të hekurt, të ushtrosh, të  ushqehesh mirë, të vraposh, çdo ditë është e programuar. Madje kam qenë vegjetariane, por më është dashur që ta ha sërish mishin. Pranova dhe prej atij momenti përgatitesha për atje.”- shprehet ajo. Për katër javë rresht ajo u përballë me një tjetër botë,  sa sfiduese aq edhe e bukur. Arriti të ngjisë tri maja të Himalajës, Yalung Peak 5700 metër lartësi mbidetare, Nurbu Peak 5800 metër lartësi mbidetare, ngjitje teknike e shkallës D+ dhe së fundi Ramdung Peak 5925 metër lartësi mbidetare, ngjitje alpine e shkallës PD.

“Kjo u bë më shumë për tu trajnuar për të parë sesi reagon trupi dhe psikika ime në këto lartësi. Të qëndrosh katër javë në mal, mos të jesh me njerëzit e tu, madje guida më pyeti se: “a e keni në kulturën e vendit tuaj të udhëtoni vetëm”, i thashë po, madje dhe kafe pimë vetëm. Fillimisht kam menduar se do të ishte e mërzitshme, por pastaj kemi komunikuar shumë, kemi biseduar për traditën tonë, kulturën, pas disa ditësh çdo gjë ishte edhe më mirë. Por Himalaja përveç përgatitjes teknike, më ka forcuar shumë fizikisht dhe emocionalisht si eksperiencë, se përveç që kam parë një traditë të re, një kulturë të re, pashë dhe një ngjyrë të re të botës, totalisht e re. Vendi ku qëndrova ishte Lugina Ralëaling, e cila njihet si ndër zonat ku është zhvilluar budizmi gjatë shekullit të 17-të dhe në atë kohë ka qenë si zonë sekrete dhe vetëm në 30 vitet e fundit është e vizituar nga alpinistë nga gjithë bota. Ajo çfarë më bëri më shumë përshtypje në këtë pjesë të izoluar të botës, ishte pozita e gruas, e fortë, menaxhuese dhe shumë e respektuar nga burrat.”- rrëfen Uta.

?

Megjithatë nuk është kaq e lehtë si në një film, ekspedita të tilla kërkojnë shumë përkushtim, vullnet të hekurt për t’i çuar gjërat deri në fund. “Sigurisht që është një sakrificë e madhe sepse do disiplinë, ushtrime, forcë fizike dhe psikike tërë kohën duhet të punosh me veten. Kënaqësia që të dhuron mali, natyra është ajo që të shpërblen mundin. Ngjitja në një mal për mua është si një projekt, e ka fillimin dhe mbarimin e tij, e çdo majë që e mbërrij është sukses për mua, dhe kjo ndjenjë të mban gjatë, je e freskët, ke energji pozitive, ke dashuri për njerëzit.  Në këtë ekspedita të tilla të rënda si Himalaja doza e kënaqësisë është dyfish e madhe, sepse në të njëjtën kohë ti arrin sukses për vete, arrin sukses edhe për vendin tënd. Prezanton një shtet, edhe pse nuk kam përkrahje shtetërore, unë prezantoj shtetin tim Kosovën, si dhe kombin shqiptar, e kjo më bënë të ndihem shumë më mirë. Sepse kur shkon atje të marrësh leje për të ngjitur e sheh që Kosova nuk është fare në listën e shteteve, kështu që e kanë shtuar dhe kjo më ka bërë të ndihem mirë, se bëra diçka për këtë vend.”- thotë Uta.

Vetëm pas dy muajve, në mars, do të nisë një tjetër sfidë, të tjera maja për tu pushtuar, Sersung 6422 metër lartësi mbidetare, maje teknike e shkallës D+ e cila nuk është pushtuar deri më tani ndonjëherë dhe kjo është ftesë që më është bërë pas përfundimit të këtij trajnimi 4 javor e që pjesëmarrës janë 5 ngjitës nga bota duke përfshi dhe guidën nepaleze.

admin

Artikujt e tjetrë