Opinion

Të zbulosh diçka apo të merresh me zanat

Adem Kastrati, ishte i vetëdijshëm në imazhet e tij, por instinkti, forca estetike që drejtoi ai, ishte e disiplinuar në respektin e tij, pa kompromis për cilësitë e ngjyrave të marra nga dheu dhe teknika e rafinuar me të cilën ai punoi.

 Nga Zeni Ballazhi

 Të bluash tokë (gurë) dhe të pikturosh me ngjyra dheu duke treguar një realitet, një dramë të  thellë, nuk është lehtë, aty vërehet një evoluim teknik dhe unik, një sofistikim i mjeteve  shprehëse dhe një tentativë për filozofim. Për të kapur sadopak intenerarin e lëvizjes hapësinore që ngjizë informacionin e veprave të  Adem Kastratit, do të ishte mjaft e vështirë për ne që të gjenim të njëjtin mjet transporti, për të ndjerë qoftë dhe përciptas, tërë rrugën e bërë më parë nga ky artist, në formimin e imazhit të tij, mjaft të dallueshëm dhe origjinal.  Vepra “Darka“ e vitit 1974 me ngjyra dheu mbi pëlhurë në një enterier tipik tradicional i jep  pikturës një karakter të theksuar autokton me një domethënie të caktuar tepër simbolike.  “Bukë kripë e zemër”, njëri nga ritualet e ngrohta shqiptare është zakoni i mikpritjes që të  ofrojë bukë e kripë për çdo mysafir të admiruar, e cila si një akt në vetvete i referohet  filantropisë si diçka e përgjithshme dhe tradicionale.

Në këtë tablo zënë vend objekte  tradicionale: oxhaku, sofra, shkambi, çerepi, manxha etj, që i japin pikturës një simbolikë me  karakter të theksuar origjinal. Motive autoktone të lidhura me fshatin dhe vendlindjen shpalos  momente të mbushura me çështje ekzistenciale. Në veçanti trajtoi fshataren, këtë qenie, sipas  tij “të drejtpërdrejtë”, që i jep kuptim jetës e që për piktorin ishte gjithmonë e njëjtë si kur  lëviz, si kur punon, si kur dëfrehet, si kur këndon ninulla për fëmijën e saj në djep….Gratë i  paraqet me tipare karakteristike me sy të mëdhenj e me plot rrëfim e ëndrra brenda tyre, që  janë pasqyra të shpirtit dhe dritare që shpalojnë botën e figurave, momentet e thella, gjendjet   psiqike, tmerret e kohërave të paekuilibruara…Burrat ndërkaq duken të rëndë sepse këtë e  kanë traditë, ata janë të rëndë edhe kur ecin, edhe kur ulen këmbëkryq, edhe kur punojnë,  edhe kur vallëzojnë…ata kanë të rëndë edhe bukurinë fizike. Fëmijët që shpesh janë prezent  në tablotë e tij, fëmijët zgjasin kokat kurioze nga sofra dhe nga prehërit e ngrohtë të nënave  dhe gjysheve, fëmijët janë të dashurit e autorit, janë pamje rrëqethëse të fëmijërisë së  hershme që lidheshin me golgotën e karvaneve të pafund të  bashkëvendësve të tij të shkulur  me dhunë nga vatra e të parëve, ishte vetëm një kujtim i hidhur që s’mund të përsëritej kurrë.

Situatat e ambientit rrethues përbëjnë një tablo, ku identifikohet me njerëzit dhe natyrën e fshatit të vet. Ambienti i mirënjohur dhe shumë herë i përjetuar fiton një kuptim tjetër, që tejkalon atë që është vetëm identike me realitetin, sepse interponohet aspekti i rishikimit të  transponimit figurativ.  Risi tjetër e kësaj tabloje është përdorimi i vijave të gërryera në sipërfaqen e përpunuar të  dheut e ngjitur në telajo, bashkë me sytë e figurave të pikturuar me kujdesin maksimal, si elemente qenësore dhe karakteristike të këtyre imazheve, vijat e para të grryera që më pas nuk mundë të përmirësohen. Kjo mënyrë autentike e shprehjes së botës së brendshme përbën njërën nga shtyllat e suksesit të pikturës së tij të pakategorizueshme që nuk shëmbëllen me rrymat dhe rrugët e panumërta artistike dhe që vetëm në shikim të parë del e ngjashme me pikturën e ashtuquajtur naive.  Njëri prej artistëve më të veçantë sa i përket teknikës. Ai nuk i ndryshoi pikëpamjet e veta artistike e pikturale. Ai vazhdoi në të njëjtën udhë deri në fund të jetës së tij. Mesazhi i  Kastratit, para se të ishte fetar apo metaforik, ishte një mesazh human, ku qenë ngjizur  dashuria, besimi, lindja, vdekja, pra vetë jeta e njeriut.

Kishte për qëllim të pikturonte atë që  natyra do të krijonte ndonjëherë jo në këto kushte. Kërkonte të shijonte e të përjetonte botën e  ngjyrës, ashtu si ai e përpunonte.  Në vepra janë të pasqyruara edhe disa aspekte të jetës së tij individuale nga njëra anë dhe vetë madhështia e këtyre veprave. Mesazhi i fuqishëm dhe forca befasuese nga ana tjetër që  të intrigojnë dhe të nxisin për t’ia bërë të njohur edhe publikut shqiptar këtë figurë të artit  figurativ. Janë të magjishme sot edhe tablotë tjera me nuancat e dheut, piktura këto të mrekullueshme dhe me një metaforë të fuqishme të një realiteti të jetuar. Me Adem Kastratin, metafora shënoi hyrjen triumfale në pikturën “naive” pa vetëdije. Tek figurat e tij, vërehen disproporcione  anatomike (groteske, karikaturale) por, jo aq të theksuara në krahasim me piktorët naivë që i  bëjnë pa vetëdije, spontanisht. Kastrati i shpreh me qëllim dhe në mënyra fare të vetëdijshme,  ku ai me anë të këtyre disproporcioneve anatomike, synon të fiksojë fuqinë e figurës. Në  pikturat e tij, karakteristika të veçanta janë edhe: etydet e ndryshme për vdekjen, dasmat,  koncertet në oda, ninullat e lindjeve, vajtimet e vdekjes, dashuria e nënës ndaj fëmijës, lojën e fëmijëve dhe nostalgjia për lojërat e humbura, ishin frute të kërkimit të një forme të re, figura të vogla në një peizazh të madh dhe figura të mëdha në hapësirë të vogël, të tjera raporte krijoheshin mes figurave njerëzore dhe peizazhit, dekorit fshatarak apo qytetar. Pra, që në fillim ai e shpalosi individualitetin e një artisti tipik shqiptar.

Sa i përket figurës së gruas, ai shprehej: “Gruaja, në përfytyrimin tim është një qenie që i ka duart e zëna me diçka vazhdimisht, prandaj ky angazhim i saj herë-herë mbinjerëzor, bën që në pikturën time, ajo të gjejë një shprehje më të madhe”, që lë të mendosh që gruaja, është e gjitha e pushtuar prej jetës shtëpiake tradicionale. Kryesorja është motivi i tyre i veçantë tradicional-shqiptar, e deri tek veshja e mrekullueshme popullore. Legjendat dhe nuset, janë disa nga ciklet e pikturave të punuara me dherëra të marra nga toka shqiptare të pluhurosura me ngjyra mbi pëlhurë. Adem Kastrati, ishte i vetëdijshëm në imazhet e tij, por instinkti, forca estetike që drejtoi ai, ishte e disiplinuar në respektin e tij, pa kompromis për cilësitë e ngjyrave të marra nga dheu dhe teknika e rafinuar me të cilën ai punoi. Artisti ka vendosur megjithatë një shkallë të lartë të rëndësishme për detaje të vogla.

 

admin

Artikujt e tjetrë