Lifestyle

Të gjitha rrugët të çojnë te Soma

Harmonizim deri në detaje, i arkitekturës, muzikës, librave dhe bar/kuzhinës, tashmë Soma Book Station është kthyer në një vend të preferuar për të gjithë.

Në një nga pjesët kryesore të kryeqytetit tonë, ndodhet një prej lokaleve më të frekuentuara. Soma Book Station sapo ka kremtuar dy vjetorin e themelimit dhe veçse ka filluar… Një hapësirë tashmë e kthyer në simbol të Prishtinës, ku gjen muzikën e mirë, ushqimin e shijshëm,e këndin më të rehatshëm për të lexuar ndonjë nga titujt që i gjen aty. Njëri prej udhëheqësve të Somës është Baton Domi, i cili na njofton më shumë me detajet, idenë dhe Somën si këndin më unik në qytet.

16933686_10211267918947524_1943334914_n

Po, kaluan dy vite që Soma asht pjesë e qytetit të Prishtinës. Shpresoj se këto dy vite i kanë ofru qytetit të Prishtinës karakter hapësinor, arkitektonik, kulturor dhe gastronomik. Po ashtu jam i bindun se ajo që Prishtina më jep të njëjtën, ia kthej qytetit në formën ma t’mirë që mundem. Kështuqë nëse Soma ka arritë me u ba simbol i kryeqytetit, padyshim se ky kryeqytet simbolizon lokalin tonë. Dua të them se jemi në nji gjendje reciproke n’raport me qytetin.”-nënvizon Batoni duke na sjellë më afër rrëfimin e një qytetit nëpërmjet rrëfimit të këtij lokali në qendër të tij. Megjithatë që një lokal apo hapësirë tjetër e këtij lloji, të jetë e kompletuar deri në perfeksion duhet të merremi  të gjitha elementet që e karakterizojnë. Pse u pagëzua me emrin Soma, Batoni thotë se është një fjalë që është gjetur pas një kërkimi të hollësishëm në mes shumë emra të tjerë.

“Soma si fjalë asht filtru mbas nji liste të gjatë emnash që pata shënu si ide për me e emnu lokalin. Nuk ka qenë e lehtë me vendosë për emën pasiqë vullneti edhe ideja se si duhet me funksionu kjo hapsinë ka qenë mjaft komplekse. Nji vend multifunksional ku do t’ketë rendin gastronomik, librarinë, ekspozitat, ligjëratat edhe t’gjitha këto segmente t’përmbledhen me nji emën t’pa mërzitshëm. N’fund me ndihmën e plot njerëzve dhe me nji vendosmëni t’ngatht fitoi emri Soma…, eh tash, kuptimi i këtij emri vjen prej librit Upanishad në Sanskrit nga gjuhësitë e largëta të popujve Proto-Indo-Europiane, ku ka plot fragmente të bukura dhe që shtjellojnë natyrën njerëzore nëpërmjet të praktikave të ndryshme, e që për njeriun e sotëm janë të çuditshme. Gjurmët historike tregojnë se Soma ka kenë pemë ku njerëzit janë mbledhë për mbijetesë për shkak të ujit edhe vegjetacionit në atë pjesë të tokës në atë kohë, por e veçantë asht se atypari t’gjithë njerëzit ishin të barabartë, të gjitha gjinitë të barabarta dhe kishte harmoni të plotë me kafshët dhe ambientin rrethues. Për fat të keq kjo pemë nuk ekziston ma. Ky emër harmonizohet me konceptin e lokalit tonë Soma, duke besu se gjithkush është i barabartë në punë edhe n’fund të gjith jemi t’gatshëm me dal mendsh kohë pas kohe tu festu. Me fjalë tjera me e kthy edhe njiherë në jetë idenë e harmonisë.”

16931201_10211267935187930_760387715_o

Dhe përveç këtij emri kaq të veçantë, që ngërthen nj histori të bukur, Somën padyshim që e bënë ndryshe edhe mënyra sesi shtrihen detajet, pasi secili sosh ka rëndësi të madhe që në fund të krijohet një tërësi e kompletuar dhe e bukur. Një tjetër aspekt është natyrisht edhe ndërthurja harmonike e librave me muzikën dhe kuzhinës së mirë, një trinom që na josh të gjithëve pa dallim.

“Këto tri segmente nëse muj me i thanë kështu, përveç shumë aktiviteteve tjera që ndodhin në këtë hapsinë janë esenciale dhe i japin formë Somës, asnjëra nuk mundet pa tjetrën. Muzikën e kemi të harmonizueme në raport me arkitekturën e vendit dhe anasjelltas. Librat janë të përzgjedhun me kujdes prej shumë kohe dhe nuk i ndjekim botimet e reja, por gjithmonë jemi në kërkim përmbajtësor kur flasim për libra. Ushqimin e marrim me plot dashni duke bashkëpunu me kultivues vendorë, që përfundojmë duke e ridizajnu ushqimin varësisht sezonës që na sjellë përbërës të freskët. Po ashtu duhet përmend se jemi gjithmonë duke trajnu njerëz të rinj me vullnet për gastronomi. Padyshim se në këtë punë i japim të drejtë vetës që me e ushqy anën obsesive edhe ndoshta kjo mani na bën që t’jemi joshës për qytetarët. E drejta për me u çmendë pas punës.”-përfundon Batoni, i cili vë në pah faktin se të menaxhosh një lokal të këtyre përmasave nuk është punë e lehtë, pasi brenda normave obsesive është një punë e lodhshme, kështu që çdo vështirësi i inkurajon ata që të jenë sa më të saktë në sferën e menaxhimit. Në Soma, jo vetëm mund të takojmë miqtë për një gotë, por është një mënyrë e bukur për të nisur dhe përfunduar një ditë të mirë.

 

admin

Artikujt e tjetrë