Kulturë

Shqipëria të joshë edhe me bunkerë… artistik

Nëse keni shumë pikëpyetje rreth Shqipërisë komuniste, regjimin, mendimin, imazhin, mëkatet dhe dënimet, mjafton të vizitoni Bunk’Art1 dhe Bunk’Art2, aty do të prekni të shkuarën për të kuptuar të tashmen e shoqërisë shqiptare. Carlo Bollino, gazetar ideatori dhe kuratori i Bunk’Art1 dhe Bunk’Art2 në Flatra për të na rrëfyer rikrijimin e atij sistemi të izoluar, të errët, të mistershëm, që sot është i ekspozuar para syve të botës.

 Bunk’Art është tashmë një arsye shumë e fuqishme për shqiptarët e Kosovës për ta vizituar, për të njohur nga afër periudhën komuniste, por a mund të na tregoni sesi ka ardh deri te ideja për ta kthyer atë bunker në një muze?

Në Shqipëri mungonte një hapësirë që të tregonte vitet e tmerrshme të komunizmit, ndërsa besoj se kjo është një kërkesë e ndjerë më shumë sidomos nga turistët. Shqipëria njihet jashtë si një ish-kështjellë e stalinizmit, një vend që për 45 vite diktatura e kishte izoluar nga të huajt dhe të huajt për t’u futur  duhej deri të prisnin edhe flokët. Tani është e çuditshme që me fundin e komunizmit dhe me hapjen e kufijve, turistët vinin këtu pa gjetur asnjë gjurmë të asaj të kaluare misterioze. Për këtë arsye lindën Bunk’Art1 e Bunk’Art2.

 Ata që nuk e kanë vizituar ende, çfarë do të gjejnë në Bunk’Art?

Bunk’Art1 është ish-vendkomanda e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare në rastin e një lufte kimike dhe atomike që Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu e ndërtuan në fund të viteve 1970 bashkë me 175.000 bunkerë të tjerë. Është një bunker gjigant me 106 dhoma të ndara në pesë kate, në qendër të të cilave ndodhet deri edhe një Sallë Kuvendi ku sot organizojmë koncerte. Në sallat e Bunk-Art1 të hapura tashmë përfundimisht për publikun në prill të 2016, mund të gjeni video, foto dokumente dhe materiale të ndryshme që tregojnë Shqipërinë nga viti 1939 deri në 1990: praktikisht nga pushtimi italian deri në rënien e regjimit komunist. Përveç materialit historik janë rindërtuar në mënyrë identike dhe mjedise nga jeta e përditshme e shqiptarëve të zakonshëm gjatë viteve të regjimit: Kështu mund të vizitohet një klasë e një shkolle të asaj kohe, një shtëpi tipike socialiste ose një dyqan ushqimor, çdo gjë e rindërtuar me materiale origjinale. Bunk’Art2 i hapur në nëntor 2016 është ngritur në ish-bunkerin e Ministrisë së Brendshme, po në qendër të Tiranës, dhe tregon historinë e xhandarmërisë dhe të policisë shqiptare duke nisur nga 1913 me një hapësirë të madhe kushtuar historisë, sekreteve dhe horroreve të Sigurimit, policia sekrete e Enver Hoxhës. Mund të pohojmë se nga ky këndvështrim Bunk’Art2  është  memoriali i parë i madh kushtuar viktimave të terrorit komunist në Shqipëri.

????????????????????????????????????

Duket se është kthyer edhe në një “skenë” për artistët, muzikën, poezinë dhe performancën, a do të jetë një kombinim i tillë gjatë gjithë kohës?

E gjithë ideja e Bunk’Art, ashtu siç thotë dhe fjala vetë, bazohet në principin për të bashkuar historinë me artin, dhe veçanërisht me artin bashkëkohor. Qoftë në Bunk’Art1 ashtu dhe në Bunk-Art2  janë ekspozuar instalacione artistësh bashkëkohorë shqiptarë dhe të tjera vepra do të ekspozohen edhe në muajt e ardhshëm. Përveç instalacioneve kemi organizuar në Bunk’Art1 dy edicione të FAN (Festivali i Artit të Ndaluar) ku shpalosen dhe komentohen veprat artistike të ndaluara gjatë regjimit komunist, pastaj Bunk’Jazz dhe Bunk’Rock dy festivale muzike dedikuar pikërisht muzikës që diktatori ua ndalonte shqiptarëve. Nisma të tjera të ngjashme do të organizohen edhe në muajt në vazhdim. Qëllimi është për të rikrijuar aty ku ishte zemra e regjimit komunist, ato emocione që regjimi kishte më frikë se çdo gjë tjetër.

????????????????????????????????????

Cilat janë kryesisht përshtypjet e vizitorëve, veçanërisht atyre të huajve?

Vizitorët, si ata shqiptarë e të huaj që vizitojnë Bunk’Art1 ose Bunk’Art2 mbesin të mrekulluar, të çuditur dhe të impresionuar. Çdo ditë vijnë edhe shkolla shqiptare për të vizituar Bunk’Art dhe të rinjtë shqiptarë shohin këtu brenda gjëra që ndoshta i kanë dëgjuar në familje, por që në asnjë libër shkolle nuk mësojnë. Deri në pikën që një djalë i vogël 8 vjeç në dhomën e Diktatorit brenda Bunk’Art1 u shpreh i habitur: “Po kush ishte Enver Hoxha?”. Ja, besoj se Bunk’Art kryen edhe një funksion didaktik shumë të dobishëm për të gjithë shqiptarët dhe me këtë rast përfitoj të ftoj në Bunk’Art edhe shkollat e Kosovës, sepse jam i bindur se edhe ju do të zbuloni në bunkerët tanë muze një pjesë të historisë së kombit tuaj të madh që ende nuk e njihni. Po shqyrtojmë edhe idenë për të realizuar një Bunk’Art lëvizës, për të ekspozuar më parë në Prishtinë e më pas në Tetovë një pjesë të materialeve që ekspozojmë në Tiranë. Jemi në kërkim të një partneri të mirë lokal që të na ndihmojë në këtë dëshirë projekti.

 

admin

Artikujt e tjetrë