Gruaja

Pse duhet të udhëheqin gratë?

Është kënaqësi të takosh gra të talentuara dhe ambicioze, të cilat ndajnë me ne përvojat e tyre të veçanta, rëniet dhe ngritjet në karrierë. Përgjatë  viteve profesioni ynë na mundëson të takojmë dhe të shkruajmë për gra të profileve të ndryshme, gra të guximshme dhe të shkëlqyera në jetë dhe profesion. Gra, të cilat sapo kanë filluar dhe janë në hapat e parë të profesionit, gra të cilat veçse kanë bërë hapin e radhës drejt suksesit dhe ato që tashmë kanë kaluar vështirësi, sfida, përballje të ndryshme dhe janë në kulmin e suksesit, duke na bërë të gjithëve të ndjehemi më mirë për veten dhe për vendin tonë.

Intervistoi: Brunilda Merko / Fotografia: Labinot Ibërdemaj

Veshja: Krenare Rugova /Grimi: Vjosa Metaj Cenaj

 Flokët: Alban Abdullahu

Këto gra kanë rrugëtuar nëpër shtigje të ndryshme. Disa duke kapërcyer barriera të shumta, për tu vendosur në fronin udhëheqës apo duke kaluar në përvoja të ndryshme profesionale. Nuk ka rëndësi mënyra sesi, që të gjitha kanë një emërues të përbashkët; secila e kultivon vet suksesin e saj. Sot të gjithë duhet të jemi sipërmarrës, qoftë brenda apo jashtë botës së korporatave. Secili prej nesh duhet të jemi përgjegjës për suksesin tonë, kampionë të ideve tona dhe pasqyrim i karrierës sonë. Sepse gra të tilla i japin formë botës sonë e njëkohësisht përballen me presionin e shoqërisë, që të jenë më të mirat dhe të parat më punën që bëjnë. Sepse sot jo vetëm në shoqërinë tonë, por edhe në vendet më të zhvilluara, kur një grua vihet në një pozitë udhëheqëse, nga ajo nuk pritet vetëm që të jetë një lidere e mirë, por të jetë më e mira, në mënyrë që e ardhmja të jetë më e lehtë për gra të tjera. Presioni është shumë më i theksuar kur flasim për një grua udhëheqëse sesa një burrë në pozitën e njëjtë, por secili fillim i ri krijon terrenin për brezat e ardhshëm.

Dhurata Hoxha është njëra prej tyre. E para grua ministre në një nga ministritë ekskluzivisht “për burra” deri më sot në Kosovë, Ministrinë e Drejtësisë. Megjithë vështirësitë dhe atë hijen e rëndë, që na përçon institucioni përkatës, ardhja në krye të tij e një gruaje, i ka dhënë një lloj butësie dhe afërsie me qytetarin. Por përtej perceptimeve që mund të kemi secili prej nesh, rruga deri këtu është karakterizuar me sfida e me vështirësi të ndryshme ashtu siç ndodh me të gjithë ata që i vënë synime vetes. Universiteti Georgetoën në Uashignton është një prej institucioneve akademike më të njohura në botë, i cili ka nxjerrë personalitete të mëdha, një nga ëndrrat e çdokujt që synon të përmbushet në karrierë, universitet ky në të cilin ka përfunduar studimet Master edhe ministrja jonë e Drejtësisë për Siguri Ndërkombëtare, ndërkaq studimet Bachelor në Graceland University-SHBA me bursë të plotë meritore në Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Aktualisht është kandidate për Doktoraturë në Universitetin e Ljubljanës në fushën e Sigurisë Ndërkombëtare.

IMG_3512web SS

Çfarë do të thotë për ju të jeni në krye të një ministrie, e cila gjithmonë është drejtuar nga burrat?

Vendi ynë dhe bota ka pasur gra të çmuara, të cilat kanë luftuar që ne sot të jemi këtu ku jemi, ashtu si unë dhe gjenerata ime përpiqemi të ndërtojmë një shoqëri që dëgjon zërin e atyre që flasin, që shpërblen për punën e mirë të vajzave tona nesër. Asnjëherë nuk e shoh një pozitë, kudoqoftë ajo, nga pikëpamja gjinore, sepse personalisht mendoj se për të udhëhequr apo ndërtuar një karrierë suksesi qëndron në vullnetin e hekurt dhe vendosmërinë që ka personi, pavarësisht gjinisë. Pozitat nuk duhet të jenë të ndara në baza gjinore. Pavarësisht gjinisë Ministria e Drejtësisë si një nga ministritë më të rëndësishme ka sfidat e veta, të cilat kërkojnë përkushtim të jashtëzakonshëm, përgjegjësi dhe vendosmëri për t’i çuar gjërat deri në fund. Përveç tjerash më duhet të them se kjo pozitë për mua është edhe privilegj pasi më është dhënë mundësia të jem në shërbim të popullit tim dhe këtë ta bëj në mënyrën më të mirë të mundshme.

 Cila ngjarje ka patur ndikimin më të madh në drejtimin që ka marrë jeta Juaj?

Jeta e secilit prej nesh karakterizohet nga ngjarje dhe personazhe që lënë gjurmë të pashlyeshme… të cilat shpesh të ndryshojnë edhe ty si personalitet dhe nganjëherë është vështirë të ndalesh dhe të veçosh një moment apo ngjarje. Megjithatë ka një moment kthese në jetën time,  sa i përket karrierës profesionale, mund të them se punësimi im në Ambasadën Amerikane, ku u njoha me Ambasadorin amerikan në Kosovë në atë periudhë Z. John Menzies ishte një prej këtyre ngjarjeve. Z. Menzies pas përfundimit të mandatit ambasadorit në Kosovë është emëruar Rektor i Universitetit Graceland në SHBA, ndërkohë ai shpalli një program të bursave meritore për studentët kosovarë dhe një prej përfituesve kam qenë edhe unë, kjo ka ndikuar në zhvillimin e karrierës sime profesionale në nivel ndërkombëtar.  Sepse të gjithë e dimë sa e vështirë është për një vajzë, grua apo nënë t’ia dalë mbanë dhe të realizojë objektivat e saj. Ajo ishte periudha më e mirë dhe më e rëndësishme që ishte shtysë në projektet dhe angazhimet e mia të mëtejshme profesionale dhe akademike. Për secilin individ mendoj që ka një moment kthese apo një ngjarje që bënë ndryshime nganjëherë edhe rrënjësore në jetën e tij, qoftë personale apo profesionale. Është e rëndësishme që të  jemi këmbëngulës dhe të mos dorëzohemi para pengesave që do të paraqiten gjatë rrugës.

 Po a ka ndonjë person që ka patur ndikim kyç tek ju? Kush dhe pse?

Gjatë jetës takojmë dhe mësojmë për personalitete e ngjarje të ndryshme. Kjo ndikon në mënyrën tonë të të perceptuarit të gjërave apo sesi vlerësojmë të tjerët. Familja është pikënisja dhe aty ku të gjithë gjejmë mbështetje. Më duhet të them se prindërit e mi janë ata që kanë mbjellë tek unë vlera dhe parime, të cilat vazhdojnë të më udhëheqin në jetë dhe në punë. Ata kanë kultivuar tek unë ndjenjën e pavarësisë, barazisë gjinore, integritetit dhe etikës. Më kanë treguar që asnjëherë të mos bëj kompromis për këto vlera. Ndërsa gjatë formësimit tim akademik, ka pasur të tjerë njerëz që i çmoj shumë, por ajo që do të doja të theksoja në këtë intervistë është profesoresha ime Madeleine Albright, në Georgetoën University. Ajo zhvilloi tek unë ndjenjën e patriotizmit modern, puna dhe jetesa në mënyrë të ndershme për vendin tënd. Pikërisht me këtë ndjenjë të patriotizmit modern, të cilën profesoresha Albright e ka zhvilluar tek unë kam vendosur të kthehem në Kosovë nga SHBA-të dhe që të jap kontributin tim për vendin tim. Personalitetet e mëdhenj të kultivojnë vlera të përjetshme.

Sipas jush cilat janë sfidat kryesore sa i përket të drejtës pronësore në vend dhe çfarë keni ndërmarrë në këtë drejtim?

Jam shumë e vendosur që e drejta pronësore e gruas të jetë një nga prioritet kryesore të mandatit tim, veçanërisht në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës ligjore, të barazisë dhe fuqizimit të gruas dhe të drejtave të saj. Edhe pse jo të diskriminuara ligjërisht, ne sot jemi dëshmitarë të ekzistimit të pengesave të natyrave të ndryshme në trashëgimi tek gratë, pengesa këto të natyrës kulturore, tradicionale apo edhe mungesës së informacionit. Ne, të gjithë së bashku, duhet të punojmë ashtu që informatat mbi dispozitat ligjore që ekzistojnë, për të cilat palët mund të mos kenë njohuri, të njihen dhe informohen.  Ne tashme kemi një legjislacion të zbatueshëm sa i përket te drejtave pronësore megjithatë në këtë fushë ende ballafaqohemi me sfida. Disa nga sfidat kryesore janë kontestet e shumta të pazgjidhura në gjykata, procedurat e gjata për zgjidhjen e rasteve, mungesa e të dhënave kadastrale si dhe problemet që kemi për njohjen e të drejtave pronësore të grave. Në këtë drejtim Ministria e Drejtësisë ka hartuar strategjinë e të drejtave pronësore, e cila është proceduar në Qeveri dhe që adreson të gjitha këto probleme. Edhe personalisht jam e përkushtuar që të kemi një avancim në këtë drejtim, sepse e drejta pronësore e grave ju jep atyre edhe pavarësi ekonomike. Do të punoj deri sa secila grua ta kuptojë se është e barabartë në trashëgimi. Ne kemi zgjedhur rrugën e barazisë, dhe të gjithë së bashku nuk duhet të lejojmë që të kthehemi prapa.

Përtej politikës

Pas “kostumit” të politikanes, Dhurata është nëna e dy fëmijëve, Malit 8 vjeçar dhe Hanës 3 vjeçare, të cilët vazhdimisht kërkojnë vëmendjen e saj, e kërkojnë atë kur kanë detyra të vështira apo edhe kur kanë festa të ndryshme në kopsht e shkollë. Në përditshmërinë së saj ata janë kryefjala, edhe kur është larg. Për ta njohur më mirë atë se çfarë mendon për artin, letërsinë, frikën, fëmijërinë dhe familjen lexoni më poshtë.

Cila është përgjegjësia juaj më e madhe?

Të jem në shërbim të denjë të popullit tim.

 A ekziston ndonjë gjë që do ta refuzonit absolutisht, pavarësisht rrethanave?

Asnjëherë nuk do të mund të bëja kompromis me shkeljen e parimeve të etikës dhe ndershmërisë që janë të ngulitura thellë në personalitetin tim.

Na rrëfeni ndonjë kujtim nga fëmijëria apo adoleshenca?

Kam qenë shumë e lidhur me gjyshen time, dhe kujtimet më të mira të fëmijërisë dhe adoleshencës i kam pasur gjithmonë të ndërlidhura me të. Ka dy vite që ajo nuk është më në mesin tonë dhe më mungon shumë.

Na flisni pak për familjen tuaj, bashkëshortin, fëmijët?

Bashkëshorti im është dekan i degës së Universitetit Slloven nga Nova Gorica në Kosovë Kolegji ESLG dhe në të njëjtën kohë profesor i habilituar në Slloveni sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Ka qenë gjithmonë përkrahësi im më i madh, me të jemi së bashku që 17 vite dhe gjatë gjithë këtyre viteve ai ka qenë përkrahësi im më i madh i realizimit të aspiratave të mia akademike dhe profesionale. Gjithashtu kemi dy fëmijë të mrekullueshëm Malin 8 vjet dhe Hanën 3 vjet tek të cilët gjithashtu përpiqem të kultivojë ndjenjat e pavarësisë, barazisë gjinore, ndershmërisë dhe integritetit.

Cili është mendimi juaj për artin që zhvillohet në Kosovë?

Viti që lamë pas ishte dëshmia më e qartë se arti është ambasadori më i mirë i vendit, është pasqyra jonë, ana e artë e një vendi. Artistët tanë nëpër botë janë apel për të gjithë ne, si institucione dhe shoqëri për të bërë më shumë për artin, kulturën dhe sportin. Ata po shkëlqejnë në skenat botërore dhe këtë e kanë bërë falë talentit dhe përkushtimit të pafund vetanak. Ndërsa këtu ka ende shumë sfida, mungesë vëmendjeje dhe investimesh, personalisht jam shumë e lidhur me teatrin dhe shoh aty gjithnjë e më shpesh shfaqje të mrekullueshme, aktorë, regjisorë e skenarist të jashtëzakonshëm.

Shkrimtarin apo një libër që preferoni më shumë?

Kohëve të fundit kam lexuar kryesisht libra apo artikuj që janë ndërlidhur me punën time si profesoreshë universitare në lëndët e politikave publike apo terrorizmit. Mirëpo kurdo që gjej kohë u rikthehem klasikëve të letërsisë, sidomos Virginia Ëolf, Jane Austen, Charlotte Bronte. Ndërsa nga veprat e shkrimtarëve shqiptar, mundohem që të lexoj gjithçka që del në librari, kurdo që gjej kohë përpiqem të jem në trend me letërsinë tonë, megjithëse më pëlqen shpesh t’i lexoj pafund Shkrelin, Podrimen, Kadarenë, Kongolin.

 

 

admin

Artikujt e tjetrë