Letërsi

Poezia shenjë e lirisë individuale

 Një bashkëbisedim me poeten Blerina Rogova Gaxha, për çështjet që e nxisin të shkruajë, çmimet në festivalet ndërkombëtare dhe për poezinë që i mundëson paqe me vetveten, atë të pakompromis, atë që rron gjithkah dhe që nuk i jep llogari askujt.

Çfarë ju nxiti që të shkruani poezi dhe mund të na tregoni se cilat kanë qenë disa nga poezitë e para, të cilat i keni më për zemër?

Është diçka brenda vetes që nis e nxjerr krye gati pakuptueshëm. Edhe sot përgjigja mundet të jetë e turbullt. Nxitja me siguri ka ardhur nga dëshira me u ulë këmbëkryq e me folë ballë për ballë me veten, dëshira për lojën e bukur të imagjinatës, lojën e fjalëve e botën e mistershme kah të çojnë ato. Brenda çdo njeriu ekziston dëshira për aventurë. Për mua poezia është aventurë, ikje, zbulim i një realiteti tjetër, i një vetje tjetër; dhe duke qenë se njeriu e posedon këtë dëshirë dhe pretendon, edhe unë e dëshiroj dhe pretendoj realizimin e aventurës jetësore. Një ikonë e lirikës, Bob Dylan, e ka thanë bukur, “poetët zakonisht e dinë pse janë poetë!”. Për nënpyetjen ndërkaq, se cilat poezi të para i mbaj më afër, të gjitha ato janë pjesë e një aventure të bukur poetike.

 Ndërsa sot cilat janë temat apo çështjet që ju nxisin dhe bëhen pjesë e shkrimeve tuaja?

Poetët e shkruajnë dhe rrëfejnë jetën e tyre për qëllime poetike të brendshme. Jeta bëhet poezi. Gjithë gjeografia e temave që bëhen pjesë e shkrimeve të mia vjen nga aty, nga jeta. Jeta është motor motivues, ndaj të gjitha temat e nëntemat përbëjnë një përrallë personale të jetës sime. Ato vihen në funksion të dëshmisë poetike të jetës: si dëshmi poetike e jetës personale, apo si dëshmi poetike e jetës së të tjerëve apo tjetrit.

Keni qenë pjesë e festivaleve të ndryshme evropiane ku edhe jeni shpërblyer me çmime të rëndësishme. Çfarë do të thotë për ju kjo eksperiencë?

Pjesëmarrja në festivalet e ndryshme të letërsisë në Evropë, në panaire, qëndrime në shtëpi shkrimtarësh e lexime në qendra të artit, secila nga këto përvoja ka qenë e jashtëzakonshme. Pos njohjes më artistë të shumtë, kulturave, letërsive e vendeve, ato më kanë shfaqë botëra të tjera, të ndryshme nga e jona, para të cilave shpesh e kam gjetë veten të sprovueme. Sidomos ftesat për në festivale të mëdha letrare, siç është Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë në Irland- Cuirt, Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë ‘Vilenica’ në Slloveni, Festivali i Letërsisë në Berlin, Panairi i Lajpcigut, festivalet në Kroaci e të tjerë, më kanë dhuruar përvojë, miqësi, njohje të fenomeneve e të njerëzve të mrekullueshëm, dhe njëkohësit më kanë dhuruar mundësinë e zbulimit edhe të vetes përkarshi të tjerëve. Një prej momenteve më të veçanta nga këto ishte shpërblimi me çmimin Crystal Vilenica Aëard 2015, në Slloveni. Meqë Kosova njihet pak jashtë kufijve të saj, isha thellësisht e prekur që pikërisht disa poezi të cilat memorizojnë ndodhi të fëmijërisë sime në luftë, kishin arritë me e prek zemrën e shkrimtarëve pjesëmarrës.

Besoni se poezia është në gjendje të shprehë gjithçka, gjithë larminë e botës tuaj?

Di që ajo ma mundëson me qenë në paqe me veten. Më ndihmon me qenë në shpi, me udhëtu, me zbulu e prapë kur kthehem me qenë aty, në shtëpi. Bota është e madhe e jeta tmerrësisht e panjohur, e pazbulueshme. As nuk provoj dhe as nuk di me i shprehë të gjitha dimensionet e saj, sepse kjo është e pamundur.

Çfarë do të thotë të jesh poet sot?

Kush ka nevojë për poezi? Mbase kjo kish me qenë pyetja… po megjithatë një përgjigje është: asgjë ma shumë se me rrnu me kodin tand vetiak. Të jesh poete në një ambient kulturor me diferenca të mëdha, ku nivelet e njohurive e të mentaliteteve përplasen fort dhe e kundërshtojnë po aq njëri-tjetrin, në një shoqëri me erë të madhe maskilizmi, e kam parë veten shpesh me shpatulla pas murit, para pyetjeve e pikëpyetjeve që lindin nga gjykimet e paragjykimet e ndryshme. Po, nëse heq dorë nga terrori e zhurma e përditshmërisë, nga detyrimet e kompromiset njerëzore, poezia arrin me fluturue e lirë, e painteresuar, e pakompromis dhe pa i dhënë llogari askujt. Bota është plot poezi, jeta është plot poezi, natyra është plot poezi, poezia e tokës, poezia e ujit e ajrit, e qiellit, ajo rron gjithkah, po secili ka ndjeshmërinë e vet përkarshi saj. E megjithatë poezia nuk i takon konsumit. Njerëzit kanë qëndrime të ndryshme ndaj poezisë, shumica e injorojnë, por është poezia ajo që nuk e pranon shumicën e njerëzve. Poezia i takon vetëm atyre që e ndjejnë. Atyre që e dashurojnë. Edhe unë e dashuroj, ndoshta është kjo dashni që më bën me folë me jetën për poezinë dhe me poezinë për jetën. Ndoshta është kjo dashni që ma mundëson me rrnue me kodin tim, si shenjë e lirisë individuale. Sepse të shkruash do të thotë mos me pasë frikë për asgjë!

 

admin

Artikujt e tjetrë