Intervista

Përballë sfidave me korrupsionin

Shaip Havolli, Shefi i Agjencisë Kundër Korrupsion, në Flatra për sfidat e këtij institucioni, kulturën e shpërdorimit të detyrës dhe objektivat që synojnë të arrijnë. 

Korrupsioni mbetet një nga sfidat kryesore, cilat janë disa nga nismat që keni ndërmarr ju si udhëheqës i këtij institucioni?

Sigurisht se, pas papunësisë dhe varfërisë, korrupsioni radhitet në mesin e sfidave të vendit. Në mesin e institucioneve, që janë të mandatuara për të parandaluar dhe luftuar këtë dukuri shkatërruese bën pjesë edhe Agjencia Kundër Korrupsionit. Në pozitën e Drejtorit të këtij institucioni jam emëruar nga Kuvendi në shtator të vitit të kaluar. Ardhja ime në krye koincidon me 10 vjetorin e themelimit dhe funksionalizimit të Agjencisë. Debati për orientimin dhe rolin e ri të këtij institucioni si nevojë e domosdoshme kohore tashmë është iniciuar. Një projekt i Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës që mbështet AKK-t ka angazhuar edhe ekspertë ndërkombëtarë që bashkërisht të analizojmë dhe të nxjerrim rekomandimet më të mira për të ardhmen e Agjencisë. Po ashtu, edhe nga UNDP janë angazhuar ekspertë dhe zyrtarë ligjorë që janë duke ndihmuar në plotësimet dhe ndryshimet e kornizës ligjore kundër korrupsionit. Janë prodhuar dy dokumente teknike, të cilat përmbajnë informacione relevante që do të na shërbejnë në këtë drejtim. Padyshim se me ardhjen time në krye të këtij institucioni jam angazhuar në adresimin e çështjes së bashkëpunimit ndërinstitucional si një nga sfidat kryesore, e sidomos bashkëpunimit me Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës nga ku edhe kam ardhur, por dhe institucionet tjera siç janë Zyra Kombëtare e Auditimit dhe të tjera. Po ashtu, duke ditur rëndësinë e organizatave joqeveritare, që trajtojnë në aspekte të ndryshme korrupsionin, me vetiniciativë jam përpjekur të nxis thellimin e bashkëpunimit dhe përfshirjen e tyre në të gjitha proceset të cilat Agjencia udhëheqë. Propozimet për ndryshimin e bazës ligjore janë iniciuar. Kemi filluar procesin e hartimit të Strategjisë dhe Planit të Veprimit për periudhën e re strategjike 2018-2022. Paralelisht jemi në proces të zhvillimit të një plani të integritetit për Agjencinë.

 Cilët janë sektorët më të korruptuar sipas të dhënave që keni ju si agjenci?

Korrupsioni mund të jetë i pranishëm në të gjithë sektorët, pa përjashtim. Mirëpo, sipas vlerësimeve tona të përgjithshme, prokurimi publik konsiderohet si një prej sektorëve më të ndjeshëm. Prokurimi publik është proces përmes të cilit shpenzohet paraja publike, duke kaluar nga publiku te personat privat. Pjesa më e madhe e Buxhetit shpenzohet përmes këtij procesi, apo thënë në shifra, një e treta e buxhetit. Megjithëse është tentuar të krijohet siguri dhe garanci që ky kalim të jetë sa më transparent, llogaridhënës, i barabartë, jo diskriminues dhe konkurrues duke siguruar vlerë për paratë e shpenzuara jemi dëshmitarë që kjo në praktikë nuk ka ndodhë. Janë ngritur dyshime vazhdimisht nga vetë personat e përfshirë në këtë proces se gjërat nuk janë duke rrjedhur si duhet në të gjitha rastet. Janë iniciuar edhe shumë raste të cilat kanë përfunduar edhe në procese gjyqësore dhe janë dënuar njerëz pikërisht për keqpërdorime që ndërlidhen me këtë fushë. Në anën tjetër ka edhe raste kur për keqpërdorime në këtë fushë, njerëz të caktuar për arsye të ndryshme, kanë arritur t’i shpëtojnë drejtësisë dhe të vazhdojnë t’i kenë në dispozicion përfitimet e realizuara kundërligjshëm. Krejt kjo dëshmon se ky sektor vazhdon të jetë i cenueshëm nga korrupsioni. Shto këtu edhe të gjitha anketat dhe raportet e ndryshme të cilat e nxjerrin këtë sektor si të korruptuar. Në krijimin e perceptimit se ky sektor është i korruptuar ka ndikuar edhe fakti se vlera e punëve, shërbimeve dhe furnizimeve për paratë e shpenzuara është në shpërputhje të plotë dhe nuk korrespondon. Është në përgatitje e sipër vlerësimi i rrezikut nga korrupsioni në sektorin e prokurimit publik, i cili mëton të identifikojë problemet dhe të metat në ketë sektor, përmes të cilave do të identifikohen masat adekuate të cilat pas adresimit do të ndikojnë në parandalimin e korrupsionit dhe do të bëjnë që prokurimi në të ardhmen të jetë më pak i cenueshëm nga korrupsioni. Asnjë sektor nuk është imun nga korrupsioni. Korrupsioni mund të shfaqet gjithandej. Gjatë punës së kaluar jemi ballafaquar me raste të dyshuara për korrupsion në të gjithë sektorët. Është e pamundur të krijohet një listë me renditje se cili është sektori më i prekur nga korrupsioni. Me rëndësi është që të bëhen përpjekje që të zvogëlohen hapësirat e njerëzve,në këtë rast zyrtarëve më përgjegjësi të caktuara, që të keqpërdorin pozitat apo autorizimet e tyre publike në dëm të interesit publik e për llogari të interesit privat. Kjo arrihet përmes legjislacionit adekuat, forcimit të integritetit brenda secilit institucion duke krijuar rregulla dhe procedura të qarta dhe të sakta, duke siguruar transparencë, qasje për të gjithë dhe llogaridhënie. Me një qasje të tillë do të arrihet që korrupsioni të reduktohet dhe trendi i rasteve të korrupsionit të shënojë rënie.

 Ku qëndrojnë sfidat më të mëdha sa i përket luftës kundër korrupsionit në vend?

Bashkëpunimi ndërinstitucional vazhdon të jetë sfida më kryesore në këtë drejtim. Mos zbatimi i ligjit, mungesa e një mekanizmi përcjellës të të dhënave lidhur me trajtimin e rasteve të korrupsionit, mos shqiptimi i masave adekuate të cilat do të shërbenin si model për personat që përfshihen apo mund të përfshihen në veprime korruptive janë po ashtu probleme që kërkojnë adresim të shpejtë. Është e vërtetë që bashkëpunimi ndërinstitucional është vlerësuar si një problem në vetvete i cili ka ndikuar edhe në arritjen e rezultateve në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Moszbatimi i ligjit apo zbatimi i pjesshëm, në anën tjetër, ka thelluar ndarjen shoqërore.

 Qytetarët më shumë kanë një perceptim rreth fenomenit të korrupsionit sesa kanë qenë vet të prekur drejtpërdrejt, sipas jush, si mund të ndryshojë ky perceptim?

 Perceptimi është ndjenjë e cila krijohet nga ajo çka ndodh në realitet. Ne jemi dëshmitarë se vlera për paranë publike nuk është arritur në secilin rast. Shërbimet për qytetarë jo gjithmonë janë në nivelin e dëshiruar dhe të kënaqshëm. Në anën tjetër, kemi zyrtarë publikë pasuria private e të cilëve është rritur në mënyrë të pashpjegueshme në raport me të hyrat e tyre. Dyshimet e ngritura për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit jo gjithmonë janë marrë në konsideratë dhe shumicën e herëve ka dështuar te finalizohet me aktgjykime dënuese lidhur me to. Pasuria e krijuar në mënyrë të pashpjegueshme vazhdon të jetë në posedim të atyre të cilët e kanë krijuar si të tillë. Pra, barazia sociale dhe varfëria  ka kontribuar në këtë drejtim, gjithashtu. Krejt kjo ka ndikuar në krijimin e percepcionit se kemi të bëjmë me korrupsion dhe se gjithçka arrihet përmes korrupsionit duke bërë që edhe besimi i publikut të lëkundet. Megjithatë ka shpresë se kjo gjendje mund të ndryshojë. Atëherë kur secili dyshim (rast) trajtohet dhe merr epilogun në drejtësi, kur pasuria e krijuar në mënyrë të pashpjegueshme (në rast se buron nga korrupsioni dhe krimi) zbardhet dhe i kthehet publikut dhe viktimave, kur vlera e parasë publike ofron shërbime, punë e furnizime të nivelit të duhur mund të ndajmë perceptimin e publikut nga korrupsioni i vërtetë.

 Kultura e shpërdorimit të detyrës është e përhapur ndërsa masat kundër saj mbeten ende të vogla?

Fatkeqësisht, masat ndaj personave të korruptuar nuk po zbatohen mjaft në  praktikë, edhe pse në aspektin legjislativ janë në përputhje me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Kjo kulturë e mosndëshkimit për personat të cilët shpallen fajtorë për korrupsion duhet të ndryshojë. Personat përgjegjës duhet të ndëshkohen për veprimet e tyre dhe pasuria e fituar në mënyrë të kundërligjshme në çdo rast duhet t’i kthehet publikut. Nuk duhet të lejojmë që, si shoqëri, në mesin tonë të kemi individë të cilët nga paraja publike kanë krijuar pasuri private dhe mund ta disponojnë atë lirshëm dhe të papenguar nga askush. Mund të konkludojmë se vitet 2015 dhe 2016  kanë shënuar një zhvillim pozitiv sa i përket trajtimit të rasteve  korrupsionit. Këtë e mbështes me faktin se mbi 20 aktakuza janë ngritur nga prokuroria e shtetit  lidhje me  korrupsion, ku shumica i takojnë profilit të lartë.  Po ashtu, edhe në fushën e prokurimit publik ka lëvizje pozitive në aspektin e parandalimit të korrupsionit, ku Agjencia ka vendosur një bashkëpunim më të mirë me Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), me Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) dhe Autoritetin Qendror të Prokurimit (AQP). Siç jeni të informuar, tashmë ka filluar të aplikohet edhe prokurimi elektronik me të cilën synohet që edhe kjo fushë të jetë më llogaridhënëse dhe më transparente në aspektin e menaxhimit të parasë publike. Ne presim rezultate shumë të prekshme nga futja në përdorim e sistemit të prokurimit elektronik sepse është një mjet që i bën praktikat e prokurimit më transparente, zvogëlon burokracinë, rrit konkurrencën dhe është më pak diskriminues, e për rrjedhojë, do të minimizojë riskun nga korrupsioni.  Krejt në fund, dua ta theksoj se gjatë këtij muaji Agjencia Kundër Korrupsionit do të dalë me raportin vjetor me të arriturat e vitit 2016 përkitazi me hetimin, parandalimin, edukimin bashkëpunimin dhe raportet me shoqërinë civile dhe mediat.

admin

Artikujt e tjetrë