Arte Pamore

Nëpër “rrugët” e artit të Kolë Idromenos

 “Dy rrugët e Idromenos” është ekspozita e kuruar nga Adrian Paci, e cila vë përballë dy gjuhë të shprehjes artistike nëpërmjet të cilave na shpaloset vizioni artistik i mjeshtrit shkodran.  Mes ferrit dhe parajsës, dy rrugëtimet e jetës njerëzore vijnë në fotografitë dhe pikturat e Kolë Idromenos për herë të parë për artdashësit.

 Personazh i çuditshëm, poliedrik dhe njëkohësisht i pashkollë, amator e mjeshtër i shumë fushave, përçues i kodeve të stabilizueme e novator, Kolë Idromeno do të imponohet si figura ma përfaqësuese e artit shqiptar të fundit të shekullit XIX dhe e fillimit të shekullit XX. Ai është autori i të parit portret realist në pikture asht njëkohësisht edhe arkitekt, inxhinier, skenograf e fotograf. Për ta njohur më mirë së shpejti në Shkodër, në qytetin e tij, një ekspozitë me kurator Adrian Pacin do të prezantojë një koleksion fotografish të pazbuluar, por nga ana tejtër të vendosur përballë një prej pikturave më të njohura të Kolë Idromenos, “Dy rrugët”.

Një ekspozitë, që sipas kuratorit, nuk merr përsipër të analizojë të gjithë spektrin e aktivitetit të Idromenos, por duke u nisë nga një zbulim i fundit në arkivën e Muzeut Marubi, vendos përballë një seri fotografike me pikturën e tij të mirënjohun“Dy Rrugët”. Gjithashtu pjesë e kësaj ekspozite do të jenë edhe disa punime në pikture të paekspozueme ma pare: Shën Pjetri e Shën Pali me katër ungjilltarët si dhe një tabllo që na paraqet mundimet e ferrit. “Dy Rrugët” titullohet një ndër veprat ma të randësishme të Kolë Idromenos; një pikturë e realizueme në mes viteve 1892-94 ku paraqiten dy rrugëtimet e jetës njerëzore. Nga njena ane rendja mbas të mirave tokësore, me argëtimet, veset dhe tundimet që e çojnë njeriun drejt flakëve të ferrit; Nga ana tjetër një jetë e drejtueme nga të mirat shpirtnore, sakrifica, bujaria, falja dhe lutja që të çojnë drejt lavdisë qiellore. Tablloja e porositur nga institucionet fetare të Kishës Katolike kishte qellim të nënvizonte nëpërmjet imazheve dhe figurave moralin fetar. Kolë Idromeno e shfrytëzon këte motiv per të na dhane një mozaik  shumë të pasun me skena nga jeta e Shqipnisë veriore të atyne viteve.

Nga ana tjetër kemi një zbulim të muejve të fundit në Muzeun Kombëtar Marubi në Shkodër të një serie fotografish që Kolë Idromeno duhet t’i ketë ba si pjesë e punës përgatitore me destinacion një cikël pikturash. Dy rrugët në këtë rast janë edhe dy qasjet e ndryshme të Idromenos nëpërmjet pikturës dhe fotografisë. Pra, titulli merr shkas nga një pikturë e Idromenos por vë përballe edhe dy gjuhë të shprehjes artistike nëpërmjet të cilave na shpaloset vizioni artistik i mjeshtrit shkodran.”- shprehet kuratori Adrian Paci.

Sipas kuratorit Kolë Idromeno nuk asht piktori i harmonive delikate të jetës qytetare. Ai na shfaqet si zbulues i një dramaticiteti të vrullshëm gati-gati teatral, por njëkohësisht, të mbushun me sens humori dhe njëfarë vendosmënie për ta shijue jetën tokësore. Plotëninë e ngërthimit të trupave dhe ritmit të gjymtyreve e shoqnon zbrazëtia e qetë e sfondit dhe fondalet që herëmbashere na shfaqen mbas personazheve.

Ndërsa për herë të parë në këtë ekspozitë do të publikohen disa fotografi të mjeshtrit Idromeno, të cilat nuk kanë qenë të ekspozuara asnjëherë më parë, një cikël, që gjithashtu ka në qendër të tij përplasjen e njëjtë. “Edhe këto fotografi kanë në qendër luftën e së mirës me të keqen, tundimet e mëkatit dhe jetën e virtytshme. E veçantë asht se Idromeno vë në skenë në mënyrë mjeshtërore por edhe shumë befasuese mundimet  e ferrit duke përdorë shprehjet, gjestet dhe fizionomine e gjallë te malësorëve shqiptarë të cilët nën regjinë e mjeshtrit, luejn në mënyrë të hareshme egërsinë e këtyne mundimeve . Ka edhe fotografi që paraqesin skena te përshpirtshme lutjeje dhe pendimi. Gjithsesi skenat e mundimeve të ferrit kanë një ritëm, dinamizëm dhe vitalitet të jashtëzakonshëm e nga ana tjetër një strukturim kompozicional perfekt.”- thekson Adrian Paci.

Kronologjia e këtyre fotografive nuk është e siguritë, por sipas kuratorit periudha duhet të jetë ajo mes 1892-1894, kur mjeshtri shkodran ka punuar për tabllonë “Dy Rrugët”. Ekspozita do të  hapet në datën 26 janar pranë Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” dhe do të mbyllet në 30 mars 2017.

admin

Artikujt e tjetrë