Kulturë

Në muzikë jemi robëruar prej komercializmit

Vajza si Elsa Rraqi krijojnë menjëherë identitet artistik, ashtu heshturazi, me një thjeshtësi, të cilën e kemi harruar, shpërthen në skenë me zë dhe kompozime… sepse ajo di se me çfarë muzike ta ushqejë shpirtin.

Foto: Fjolla Besimi

Ta nisim nga origjina juaj artistike, kur keni filluar të interesoheni për muzikën?

Unë e kam dashur muzikën qysh e vogël. Mami më thotë që kam filluar të këndoj që 2 vjeçare, e më pas prindërit e mi janë përkujdesur që unë të marr pjesë në manifestime të ndryshme për fëmijë. Kam qenë 4 vjeçe kur kam kënduar për herë të parë në program të shkollës.Ndërsa si 8 vjeçare kam marrë pjesë në një organizim të shkollës në bashkëpunim me Kfor-in në Austri, ku gjithashtu kam kënduar live, edhe e kemi marrë çmimin e dytë. Më pas jam regjistruar në shkollën e muzikës në Prizren, në piano ndërsa gjatë shkollës fillore kam marrë pjesë në programe të ndryshme për fëmijë. Gjithashtu kam filluar të shkruar këngë rreth moshës 9 vjecare. Në moshën 14 vjeçare, atë vit filloi të mbahet “The Voice of Albania’’ për herë të parë, kështu që vendosa t aprovoj. Audicioni ka shkuar shumë mirë, por mosha ime ishte problem për atë format, e si pasojë nuk arrita të jem pjesë e tij. Në vitin e ardhshëm më kanë thirr ekipi i ‘’The Voice’’ edhe më kanë ftuar  të marrë pjesë sërish, pasi që tash e kisha mbërritur moshën. Ky audicion nuk ka rezultuar i suksesshëm. Ka qenë një periudhë në të cilën kam pasur dyshimet e mia se a duhet të vazhdoja të merresha me muzikë, e për më shumë edhe në gjimnaz kisha vendosur të shkoja në shkenca natyrore dhe jo në muzikë. Por kam vazhduar ta doja muzikën edhe të shkruaja këngë gjatë gjithë kohës. Kur ka ardhur koha për të vendosur se ku t’i ndiqja studimet universitare, pavarësisht gjithçkaje, e kam ditur që duhej të shkoja në muzikë, ku edhe studioj sot. Kam pas fatin e madh që të bija në kontakt me Fatjon Miftarin, Shpat Dedën dhe Genc Salihun, të cilët më kanë ndihmuar të organizoj koncertin tim të parë me këngë, të cilat i kam shkruar dhe kompozuar unë. Ky koncert ka qenë kontakti im i parë me publikun në një mënyrë krejtësisht personale, të sinqertë edhe ekspresive. Ka me qenë një natë që do ta mbajë mend gjithmonë. Tash jam duke punuar për të sjellë diçka të re, po shpresoj që për një kohë të shkurtër ta prezantoj.

 Të arrish një stil dhe identitet, sa është e rëndësishme për një muzikant?

Është jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi që pa identitet dhe stil nuk mundesh të  shprehësh atë çka synon, e arti, çfarëdo lloj qoftë, ka nevojë domosdoshmërish për individualitet t. Muzika me të cilën jemi duke u rritur ne si gjeneratë nuk është ekzaktësisht më e mira e mundshme, pasi që krejt pak vlerësohet muzika e mirë dhe kualitative e që ia vlen edhe të dëgjohet. Fatkeqësisht, jemi robëruar prej komercializmit. Unë mendoj që muzika e mirë është thelbësore dhe e domosdoshme në formësimin e një personaliteti, qoftë muzikor, qoftë në përgjithësi. Duhet të dish se me çfarë muzike ta ushqesh shpirtin. Unë mundohem të dëgjoj zhanre të ndryshme të muzikës: klasike, jazz, blues, soul, indie, folk e shumë të tjera. Në çdo zhanër ka diçka të re dhe frymëzuese.

 Cilat janë pikat tuaja të referencës (këngëtarë apo grupet që ju frymëzojnë)?

Kam shumë artistë të ndryshëm të cilët më inspirojnë. Më pëlqen Jeff Buckley për ekspresivitetin e tij, Elizabeth Fraser për personalitetin muzikor, Tom Ëaits për veçantinë edhe abstraksionin, Chet Baker për thjeshtësinë dhe butësinë e zërit, Lianne la Havas për stilin dhe ngjyrën e zërit, Nina Simone për gjenialitetin përgjithësisht, Ëoodkid për origjinalitetin, Patrick Ëatson e Matt Corby për zhanrin dhe botën krijuese, Regina Spektor, Sade, India Arie, Janis Joplin, Solange, Sampha e shumë të tjerë. Po ashtu edhe  në muzikë klasike i kam të preferuarë Ravel, Scriabin, Satie, Tiersen etj.

Çfarë është muzika për ju?

Muzika është jetë për mu. Tingëllon klishe besoj, ama është mënyra ime për të dhënë diçka prej shpirtit tim, sado simbolike qoftë. Unë e kam ndërtuar edhe vazhdoj ta ndërtoj jetën teme rreth avancimit personal në muzikë, e mundohem thellësisht të krijoj edhe të sjellë diçka të bukur përmes saj. Qysh ka thëne edhe Niçe, jeta pa muzikë kish me qenë gabim.

 Sa e rëndësishme është për ju teksti i një kënge?

Mendoj që teksti i një kënge është nëjra shtyllë e cila e mban atë. Melodia dhe muzika është esenciale edhe thelbi i një kënge, që mundet të depërtojë edhe pa tekst, porse teksti i duhur vetëm sa ja shton bukurinë dhe vlerën. Unë personalisht e dashuroj simbolizmin edhe abstraksionin në një tekst, ama gjithashtu e vlerësoj maksimalisht direkten e atë pa zbukurime. Qasja e duhur është gjithçka, e ajo çka e përcakton qasjen është tema, e kjo është ajo çka tentoj të aplikoj kur e shkruaj ose kur e dëgjoj një tekst- mënyrën e të qasurit edhe të të komunikuarit.

 Çfarë mendojnë miqtë dhe familja juaj për këtë zgjedhje tuajën?

Fatmirësisht, unë e kam rrethin shumë përkrahës. Shoqëria kanë qenë ata që gjithmonë më kanë nxitur e më kanë dhënë zemër për të shprehur edhe publiku muzikën time, e prindërit janë përkujdes që unë të hyj kësaj rruge.

 A keni një projekt të veçantë ideal që e keni si dëshirën tuaj më të madhe?

Në fakt unë nuk e kam pasur plan parësor të  këndoj edhe të publikoj këngët e mia. Mu më pëlqen shumë kompozimi. Kam dëshirë të merrem më shumë me aftësimin tim profesional në këtë aspekt. Shpresoj që në të ardhmen do të mundem të krijoj kompozime të mia në muzikë serioze, edhe të  përfaqësoj një anë jo shumë të njohur tonën jashtë kornizave tona. Do të vazhdoj të këndoj edhe të shkruajë/kompozoj këngë gjithsesi. Shpresoj që në një të ardhme jo shumë të largët do të përgatisë albumin tim të parë.

admin

Artikujt e tjetrë