Lifestyle

Në kërkim të vendit të parë

Kampion pa patentë, pikërisht kështu e nisi karrierën Shkëlzen Lajçi, i vetmi garues, që mban mbi supe 8 tituj kampion, po përgatitet për sfidën më të madhe te jetës së tij, pjesëmarrjen në kampionatin evropian të garave automobilistike. Në një rrëfim në Flatra tregon sesi krejt rastësisht u gjend në timonin e një makine garash për të vazhduar betejat e tij të përvitshme, me pushtimin e shumë shtigjeve të rrezikshme të garave malore, vetëm me talentin dhe përkushtim e tij të madh për sportin e vetëm të rrugëve publike!

Foto: Egzon Bytyqi 

Është një nga emrat e rëndësishëm të sportit, konkretisht automobilizmit, shembuj frymëzues për të ardhmen, një profil i kampionit të garave automobilistike, Shkëlzen Lajçi. Këmbëngulja dhe talenti, përkushtimi dhe vullneti i hekurt për t’ia dalë mbanë. “Në fakt gjithmonë kam luajtur futboll, e krejt rastësisht, pas luftës së fundit në Kosovë, u gjenda në një garë me makina të përditshme rreth 70 garues, sigurisht një garë jo sipas standardeve, por një garë e cila shënoi një kthesë në jetën time. I kam pasur pasion makinat, por si krejt meshkujt e tjerë, nuk e kam ditur se e kam këtë talent për garat malore.”- tregon Shkëlzen Lajçi.

Në fillim ishte vetëm dëshira…

Megjithëse nuk e kishte marrë ende patentën arrin të fitojë vendin e parë, një ogur i mbarë për ta motivuar në të tjera fitore. Karriera e tij kishte nisur falë talentit, por a mjafton kaq?! Pothuajse gjithmonë njerëzve të talentuar, sidomos në sport, iu është dashur që shpesh herë të heqin dorë nga karriera e tyre për arsye se institucionet tona asnjëherë nuk iu kanë kushtuar vëmendjen që meritojnë. Nuk i kanë konsideruar asete të rëndësishme të vendit, të cilët jo vetëm që çojnë përpara një rrugë të vështirë dhe hapin mundësi për talentët e rinj, por nga ana tjetër, për vende të vogla e të varfra si i yni, janë ambasadorët më me ndikim në imazhin e shtetit. “Nuk e di nëse mund ta quaj profesion, të paktën për vendin tonë, ku sporti ende konsiderohet luks. Në të gjitha garat që kam marr pjesë, qoftë kombëtare apo ndërkombëtare më është dashur që edhe financiarisht të mbështetem vetëm në të ardhurat e mia personale, familjare. Profesionist është kur paguhesh për atë që bën, sepse ti zhvillon një aspekt të sportit në vend, sjellë kupa dhe medalje për vendin tënd që përfaqëson jashtë.”- shprehet kampioni Lajçi. 2017 do të jetë viti i sfidave të tij, të atyre me përmasa evropiane, garat më të vështira që mbahen në katër anët e kontinentit të vjetër, nga Portugalia e deri në Kroaci, në 12 shtete mike të Evropës, tashmë do ta kenë edhe garuesin shqiptar nga Kosova. Një premtim tashmë i është dhënë nga Federata e jonë e automobilizmit (FASK), për ta mbështetur projektin e tij edhe financiarisht.

“Kryetari i ri i Federatës në detyrë, z. Ismet Rexhepi, po bën ndryshime të mëdha, ka arritur të sjellë një buxhet më të madh dhe sivjet kam premtime për të qenë i vetmi garues në kampionatin evropian të garave automobilistike që do të fillojnë nga muaji prill në Austri, dhe për të vazhduar edhe në 11 shtete të tjera. Sigurisht aty mund të marrin pjesë edhe të tjerë, që i plotësojnë kushtet, por fokusi këtë vit do të jetë vetëm te një garues për të dhënë maksimalen. Po presim vetëm buxhetin për të nisur këtë sfidë të madhe, jo vetëm personale, por edhe shtetërore, sepse do të bëj të pamundurën ta përfaqësoj denjësisht Kosovën”- thotë ai.

2I6A9349

Sfidat gjatë rrugës

Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë, ka pasur dëshirë të jetë pjesë e këtyre garave ndërkombëtare, por deri më sot nuk ka gjetur mbështetje shtetërore, as nga Shqipëria megjithë përpjekjet e vazhdueshme si i vetmi garues për këtë lloj të garave dhe nuk i janë përgjigjur kërkesës së tij. “Është një nga sportet më të shtrenjta në botë, në bazë të buxhetit varet edhe sukseset e arritjet e një garuesi në arenën ndërkombëtare. Personalisht kam një makinë shumë të shtrenjtë dhe konkurrente, ku kam investuar mbi 60 mijë euro nga paratë vetanake!. Është një makinë e gatshme për të gjitha garat që do të zhvillohen këtë vit, por të cilat kërkojnë buxhetin e shpenzimeve tjera për pjesëmarrje në gara. Meqenëse, sportistët te ne përkrahen shumë pak, kemi edhe talentë dhe brumë të ri të pa zbuluar; dikur një prej tyre ishte edhe Majlinda Kelmendi, e cila në fillimet e saj nuk ka pasur aspak përkrahje institucionale dhe financiare, por qe ishte pikërisht ajo që e solli Medaljen e parë Olimpike  – të Artën.”- thekson Lajçi.

2I6A9361

Arritja në kulmin e garave të nivelit Evropian

Lajçi, tërë këtë histori suksesi e ka arritur vetëm falë mbështetjes të babait të tij, profesorit Azem Lajçit, familjes, ku edhe çdo arritje ka qenë vetëm për CV-në e tij personale. Lajçi poashtu tregon se është nga ata pak garues që synojnë vetëm vendin e parë prej më të mirëve. “Kam një përvojë tashmë të gjatë në këtë sport, kam garuar me shpirt, përkushtim dhe vullnet të plotë për të arritur i pari. Në Mal të Zi mbajë dy tituj të kampionit, në periudhën kur Kosova nuk ishte e njohur nga institucionet më të larta të sportit në botë, dhe kishim të drejtë të merrnim pjesë. Kam garuar i barabartë edhe atje ku nuk e donin Kosovën, por sporti është përtej urrejtjes racore apo paragjykimeve nacionaliste. Atje kam garuar pikërisht me ata që dikur ishin idhujt e mi, ish–kampion të ish–Jugosllavisë, dhe kam dal në vend të parë, duke fituar respektin e të gjithëve. Ky është një nga ato momentet që nuk harrohen në jetë, kur mendoja se dëshira ime më e madhe ka qenë vetëm t’i takoja e jo më të garoja përkrah tyre, unë arrita të fitoja respektin e atyre”- tregon kampioni.  Tani mendon vetëm për shtigjet e reja, për fitoret që e presin në kampionatin evropian. “Dëshira ime më e madhe ka qenë gjithmonë të garoja nën ngjyrat kuq e zi, madje pikët e para për Shqipërinë edhe i kam sjell unë, por nuk kam pasur aspak përkrahje nga institucionet atje, heshtje dhe neglizhencë totale, megjithë përpjekjet e mia dhe të menaxherit z. Mumin Nexhipit, një prej personave që më ka ndihmuar shumë në këtë aspekt. Por kur vjet fitova çmimin e parë në Slloveni dhe ngrita Flamurin e Kosovës, të them të drejtën u ndjeva shumë mirë, ndjeva se me këtë flamur do të shkojmë larg në kampionatin evropian, pasiqë më nuk do të jemi vetëm ambasadorë të fjetur të shtetit më të ri në Evropë. Për Kosovën morëm edhe një vend në podium me kupën e vendit të tretë, përkrahë pikëve të para zyrtare në disiplinën malore të garave automobilistike në një kampionat të nivelit evropian.”- thekson Lajqi.

Pjesë e pandashme e këtij pasioni të pashuar është edhe familja, prindërit, bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij, Lijana dhe Afroni, vajza madje është më e pasionuar pas makinave, ndërsa djali pas futbollit, por janë ende të vegjël. E përkrahin shumë, janë në çdo garë këtu në Kosovë dhe kjo është e rëndësishme për të. Ëndrra e Shkëlzenit vazhdon, së bashku me mbështetjen e familjes së tij dhe të Kosovës.

admin

Artikujt e tjetrë