Lifestyle

“Mrizi i Zanave” në tokën e Fishtës

Kuzhina e “Mrizit të Zanave” pasqyron karakterin e të zotëve të saj. Një kuzhinë pa komplekse…, e cila reflekton krenarinë për rrënjët e të shkuarës dhe ëndrrat që po rindërtohen aty.

Letërsi dhe ushqim në të njëjtin vend. Në tokën e njeriut më të shquar të letrave shqipe, Gjergj Fishtës, pikërisht në fshatin Fishtë para disa vitesh është hapur lokali “Mrizi i Zanave”, frymëzuar nga përmbledhja me poezi e shkrimtarit tonë të njohur. Një vend i mrekullueshëm për të kaluar një ditë të paharrueshme me ushqime natyrale të përgatitura nga kuzhinierë profesionistë, të cilët përvojën e tyre jashtë vendit e sollën në fshatin e tyre të lindjes. Altin Prenga është njëri nga pronarët e Mrizit, i cili së fundi është vlerësuar edhe nga revista të njohura botërore si një nga kuzhinierët më të mirë. Altini tregon në Flatra sesi ka nisur gjithçka dhe sesi suksesi arrihet edhe kur ke vetëm pasionin dhe vullnetin për të bërë diçka të mirë.

“Gjithçka ka nisur në Itali, para 19 vitesh. Puna e parë që kam bërë ishte larja e pjatave nëpër lokale të ndryshme pastaj babai im, i cili ishte kuzhinier atje dhe ka qenë edhe në kohën e komunizmit në Shqipëri, më këshilloi që para se të ndërmerrja hapa të tjerë në kuzhinë, duhet të krijoja një përvojë më të gjerë, siç ishte njohja me prodhimin, lëndën e parë. Sepse nuk mund të jesh kuzhinier pa e njohur realisht lëndën e parë. Kam kaluar vite duke plotësuar eksperiencën time në kuzhinë. Kam punuar si përpunues djathërash, përpunues salcash të ndryshme gastronomike etj. Pastaj kohën e fundit kam punuar edhe si kuzhinier mediokër në Itali. Në ndërkohë që babi dhe vëllai im Antoni, kanë punuar gjithë kohën në kuzhinë. Eksperiencën e vërtetë e kam bërë në kuzhinën e Mrizit të Zanave. Dhe kështu pas tërë këtij rrugëtimi bashkë me vëllain dhe babin, vendosëm që ta realizojmë ëndrrën tonë në vendlindje dhe për fat të mirë ëndrra vazhdon.”

12510346_1179348122083175_8157893082774538134_n

Altini thotë se personalisht preferon të konsumojë gjithçka, sepse e respekton ushqimin dhe nuk karakterizohet si tip përçmues ndaj ushqimit. Sipas tij kjo ka lidhje me fëmijërinë e tij, e që atëherë nuk është se i kishin të mirat që gëzojnë sot.

“Në mënyrë kategorike, mund të them se më jep emocione vetëm ushqimi që prodhohet afër zonës ku e konsumoj, por edhe prodhimi i stinës që prodhohet natyrshëm pa e stresuar apo nxitur me faktorë artificial. Këtë jo vetëm që e zbatoj në restorantin tim, por edhe kur ndodhem si turist në vende të tjera. Preferoj vetëm gjëra të stinës dhe të tokës afër vendndodhjes momentale.”

Se përse kanë vendosur që restorantin e tyre ta quajnë me një emër kaq të veçantë, që të gjithëve na kujton Fishtën e pavdekshëm, Altini thotë se është pikërisht kjo arsyeja pse e kanë pagëzuar si “Mrizi i Zanave.”

“Mrizi i Zanave,  sepse çdo projekt biznesi për mendimin tim duhet të ketë themele, që e lidhin me tokën ku ndodhet. Kjo fillon që nga emri sepse vendndodhja është në fshatin Fishtë, vendlindjen e Homerit Shqiptar, Gjergj Fishtës dhe Mrizi i Zanave është një përmbledhje poezish të të madhit poet. Të njëjtën teknikë e kemi përdorur edhe në ndërtim, duke përdorur materiale natyrale lokale, po kështu edhe punëtorët janë të zonës time, përfshirë këtu edhe ushqimin e pijet, enët e baltës, pecetat e  koshat. Sa më shumë që të jetë e mundur e lidhim me tokën ku ndodhet, ja përse është biznes i qëndrueshëm me themele.”

14088563_1365850376766281_527572697698268129_n

E megjithatë përvoja e fituar jashtë vendit mbetet një nga pikat kyçe të këtij suksesi. Altini tregon se përvoja atje ka qenë themelore jo vetëm në teknikat e gatimit, por veçanërisht në dhënien e leksioneve më të vyera të biznesit të tyre. Ai nënvizon se atje mësuan sesi të jenë mjeshtër të shkëlqyer të promovimit të zakoneve dhe prodhimeve të tyre, duke i kthyer ato nga zakone të varfra “hirushe” në “princeshë.”

“Sa herë ndryshonim krahinën në Itali, ndryshonte dialekti në të folur, por dhe dialekti në tavolinë, ndryshonte ushqimi. Dhe me këtë frymëzim u kthyem duke punësuar edhe zonja shtëpiake, që ishin trashëgueset ma të mira të kuzhinës se vjetër territoriale. Bashkuam teknikën që kishim mësuar në Itali dhe doli filozofia e Mrizit.”

Kuzhina e Mrizit të Zanave pasqyron karakterin e të zotëve të saj. Një kuzhinë pa komplekse… Sipas Altinit gjithçka që është origjinale është e pranueshme e rrjedhimisht më e mirë.

“ Ne në Shqipëri kemi ruajtur edhe dhitë, ishim barinj, çobanë, katunarë dhe jemi krenarë për origjinat tona. Nuk mund të ushtrosh asnjë profesion nëse ke turp për origjinën tënde. Normalisht ka dhe shumë inovacion, por duke përdorur vetëm ushqime lokale. Motoja jonë është ‘Mendime Globale, Ushqime Lokale.”

admin

Artikujt e tjetrë