Intervista

Lufta kundër korrupsionit dhe roli i grave

Intervistoi: Besa Gjoni / Fotografia: Shenoll Zehri

 A mjaftojnë vetëm muskujt për të qenë një grua e suksesshme?! Përvoja 32 vjeçare e prokurores Laura Pula në drejtësi, tregon se mbi të gjitha duhet mendje edhe shpirt për të kapërcyer çdo pengesë në jetë.

Një nga themelueset e Forumit të Gjyqtareve dhe prokuroreve, Laura Pula, ka dhënë një kontribut, në lidhje me fuqizimin e  rolit të grave në sistemin e drejtësisë, në veçanti  atë të gjyqtareve e prokuroreve, me një zë unik dhe vizion për të promovuar barazi dhe respekt, për të kultivuar frymën e barazisë gjinore dhe ndëretnike në sistemin e drejtësisë, vendimmarrje të përgjegjshme dhe transparente, mbështetje e iniciativave për përmirësimin e legjislacionit me ndikim në çështjet ligjore dhe gjinore. Ka pasur vetëm një parim në jetë: raport të drejtë me të vërtetën dhe mbrojtjen e saj, gjë që e çoi në pasionin për të studiuar drejtësinë dhe kjo vetëm sepse besonte te merita dhe ngritja personale përmes aftësisë profesionale. “Këtë vazhdoj ta bëj çdo ditë, ku si çdo profesioniste di si të sakrifikoj shumë gjëra dhe kohë nga jeta personale për t’i përkushtuar punës. Gjatë karrierës sime 32 vjeçare në funksionin e gjyqtares, avokates dhe prokurores përpos që ishte dhe është privilegj të ushtrosh këto funksione, doemos është edhe përgjegjësi e madhe. Roli im si grua në kuadër të ushtrimit të funksionit është i njëjtë me atë të burrave, por unë jam edhe bashkëshorte e nënë, e cila duhet t’i përmbush pritshmëritë nga familja, sa i përket dashurisë dhe detyrimeve që kemi. Sigurisht që karrierës sime i ka ndihmuar pikërisht mbështetja e familjes, fillimisht e prindërve të mi, bashkëshortit dhe tre fëmijëve, pa të cilët vështirë që do të arrija këtu ku jam sot.”- rrëfen ajo. Por sot përpara saj janë të tjera beteja, ato të përditshmërisë sonë, beteja kundër korrupsionit.

Kosova kritikohet vazhdimisht për nivelin e lartë të korrupsionit dhe masat e pamjaftueshme për luftimin e tij, çfarë vendi zë krimi i korrupsionit në punën e prokurorisë?

Proceset më të rëndësishme siç dihet në Kosovë janë edhe sfidat më të mëdha, pra në mesin e tyre, lufta kundër korrupsionit.Prokuroria i shtetit luften kunder korrupcionit e ka prioritet. Sot, duhet theksuar se numri i zgjidhjes së landeve penale- për veprat penale korruptive është në rritje e sipër nga viti në vit, qe tregon  në mënyrë transparente luftën që po i bëhet. Megjithatë prapë së prapë, si një vend i ri që jemi, kjo përmban akoma njërën ndër sfidat më serioze me të cilën po përballemi. Prandaj krahasuar jo vetëm me trendin tonë të brendshëm, por edhe me vendet fqinje, përkundër këtyre përpjekjeve, ne kemi akoma shumë për të bërë në këtë luftë në të cilën kemi hyrë.

Zakonisht prokuroria ngre aktakuzat, megjithatë ende nuk kemi pritshmëritë e duhura, pse ndodh kjo, ku janë sfidat më të mëdha?

Beteja kundër korrupsionit është një betejë e pandalshme, e çdo dite të institucionit tonë. Raportet e publikuara mbi punën e Prokurorisë, tregojnë se viteve të fundit duke zbatuar politikat e sistemit prokurorial kemi rritje të vazhdueshme të ngritjes së aktakuzave për vepra penale të korrupsionit, përfshirë këtu edhe zyrtarë të niveleve të larta, lëndë të cilat trajtohen ekskluzivisht nga ana e Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me kompetencë ekskluzive. Pra, rezultatet janë aty për të gjithë, por mendoj, se është shumë vështirë të ndryshohet mbi të gjitha perceptimi që ekziston mbi fenomenin e korrupsionit. Prandaj është tepër e rëndësishme që këto përpjekje dhe kjo punë të jetë e vazhdueshme dhe e pandalshme, mu për shkak që rezultatet që ndihen nga publiku, janë më të ngadalshme dhe jo të menjëhershme. Prokuroria është vetëm njëra hallke e këtij zinxhiri shumë të gjatë dhe e vetme nuk mund të sjell ndryshime të menjëhershme. Ne besojmë që me këtë trend dhe këto përpjekje do të kemi rezultate edhe më të mëdha. Mos të harrojmë se që ne kemi detyrime të qarta në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, ndër më kryesoret edhe luftën kundër korrupsionit. Prandaj, sa më afër proceseve integruese të jemi aq edhe më e madhe do duhet të jetë edhe lufta jonë e përbashkët kundër korrupsionit.

Cilat janë prioritetet tuaja si prokurore në këtë aspekt?

Prioritetet, qoftë, si grua, nënë, por edhe prokurore, janë shumë të qarta ne poziten qe kam, luftë të pakompromis ndaj korrupsionit. Unë jam prokurore në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Krahas kësaj gjithashtu jam edhe anëtare e Komisionit për mbikëqyrjen e “Njësitit” të posaçëm në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për ngritjen e efikasitetit në  luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve ekonomike. Andaj në mesin e prioriteteve fokus të posaçëm ka arritja e efikasitetet të prokurorëve në  zvogëlimin e ngarkesës me lëndët me vepra penale korruptive të mbartura nga viti në vit, trajtimi dhe zgjidhja e rasteve të reja në kohë optimale bazuar edhe në ndërlikimin e rasteve, veprime këto që në të kaluarën nuk ishin. Për më tepër një ndër preokupimet e mia është edhe shkëmbimi i përvojave me kolegët e tjerë prokurorë. Është shumë me rëndësi që sistemi  prokurorial në Kosovë të jetë unik dhe mirëorganizuar, duke përdorur praktikat më të mira nga koleget më me përvojë. Në këtë kuadër është mëse e domosdoshme të jemi shembull për prokuroret e rinj, të cilëve me shembullin tone ua trazojmë rrugën e karrierës së tyre, me mësimin që ‘Fuqia që ushtroj si prokurore varet mbi argumentet e mia, e jo në gjininë time’’.

A ekziston një vullnet për të ndëshkuar korrupsionin si nga institucionet ashtu edhe nga qytetarët?

Luftimi i korrupsionit nuk është vullnet për ne, por obligim i Prokurorit të Shtetit bazuar edhe në Kushtetutë dhe ligje.Ajo qe kerkohet nga ne eshte etape e re e pergjegjesise,te vetdijshem se  kemi shume obligime para vetes,shtetit dhe partnerve nderkombertar. Ne jemi duke punuar në këtë drejtim, megjithëse vitet e fundit ka rezultate të prekshme, nuk mund të themi se kemi arritur synimin tonë si institucion. Na duhet akoma më tepër të punojmë që të kthejmë besimin e qytetarëve tek prokurori I shtetit.Sidoqofte,perceptimi i qytetarve nuk varet direkt vetem nga puna e jone si prokuror,por edhe nga nje mori veprimesh tjera, jo vetem nga institucionet e gjyqsorit por edhe nga akteret tjere te pushtetit ne Kosove, si dhe organet tjera te pavarura, si ne nivel qendror ashtu edhe ate lokal.

Ka një lidhje ose perceptim mes korrupsionit dhe gruas, në përvojën tuaj në drejtësi, a keni hasur raste të korrupsionit nga ana e grave, dhe si ka qenë ky raport me burrat?

Roli i gruas është kyç në funksionimin e një shoqërie, themelet e demokracisë maten me pozicionimin e gruas në shoqëri. Sigurisht që ka një avancim të dukshëm këto vitet e fundit sa i përket rolit të gruas duke nisur me përcaktimin e kuotës dhe më pas emërimin e disa prej tyre në pozita të rëndësishme udhëheqëse, por mendoj se ende jemi larg standardeve që synojmë si një shtet pro perëndimo,nje shtete aspirues per ne Bashkimin Europian. Kemi shembuj të shumtë, të cilët duhen të merren me avancimin e gruas në ato pozita ku kemi edhe efikasitet sepse nuk mund të mbesim vetëm si plotësim i kuotës, por duhet të jemi edhe në procese vendimmarrëse. Në Kosovë shumë segmente kanë rol të rëndësishëm kur është në pyetje luftimi i korrupsionit, por ndikimi rritet me angazhimin e gruas në këtë proces, i cili thyen edhe tabut e shfaqura shpeshherë në mentalitetin patriarkal. Tashme dihet qe korrupsioni është i dëmshëm për gjithë shoqërinë, pa dallim gjinie, megjithatë duke patur parasysh specifikat e shërbimeve, në shume raste korruptive, kujtoj që gruaja është palë e dëmtuar. Të gjitha gjetjet, rezultatet që janë bërë nga hulumtime të ndryshme tregojnë se gratë janë shumë  më pak të përfshira në veprat penale korruptive në raport me burrat. Sigurisht që edhe ky konstatim kërkon të studiohet sepse ndoshta ndodhë sepse gratë nuk janë po aq të pranishme në pozita vendimmarrëse sikurse burrat dhe prandaj gjasat për t u korruptuar janë më të vogla. Por duke mos dashur të konkludoj se po të ishin në pozita do të korruptoheshin po aq sa  burrat, megjithatë dua të theksoj që jo rrallë herë mungesa e grave në pozita vendim marrëse është pasojë pikërisht e korrupsionit, abuzim me pozitën publike, kërkesë e favoreve në punësim apo thjeshtë diskriminim gjatë rekrutimit,vetëm për faktin që është grua. Një fenomen si  ky, sfidë për Kosovën, tash  mbi një dekadë e gjysmë, kërkon që të përfshihen edhe gratë në instancat të larta ekzekutive dhe vendimmarrje. Këto veprime do të japin edhe një ripozicionim më të mirë të gjinisë femërore duke i rritur njëkohësisht edhe autoritetin e saj në politikat vendimmarrëse. Sidoqoftë, më duhet të theksoj  se nëse kemi dëshirë të kemi një barazi të plotë mes dy gjinive e me theks të posaçëm nëse dëshirojmë të jemi pjesë e Evropës Perëndimore, duhet fuqizuar roli i gruas në çdo pore të jetës duke e konsideruar atë si pjesë të pandashme të çdo procesi shoqëror, përfshirë këtu edhe rolin e saj të pazëvendësueshëm në luftën kundër korrupsionit. Në fund citoj thënien e William Golding,’’Unë mendoj se femrat janë naive kur pretendojnë që janë të barabarta me burrat, sepse ato janë larg më superiore dhe gjithnjë kanë qenë’’.

 

admin

Artikujt e tjetrë