Intervista

Korrupsioni, mungesë e ligjeve dhe vullnetit politik

Një ndër politikanet më aktive në Kosovë, aktualisht deputete dhe kryesuese e Komisionit Parlamentar për Legjislacion dhe Mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës Kundër Korrupsion, Albulena Haxhiu flet për mungesën e pakos ligjore dhe “bashkëjetesën” e  qeveritarëve me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Foto: Gerold Nikoliqi

Sa ka qenë e  vështirë dhe cilat janë sfidat me të cilat jeni ballafaquar ju personalisht,  por edhe për gratë në përgjithësi si pjesë e politikës në Kosovë?

Janë bërë afër 7 vite prej kohës kur jam angazhuar aktivisht në politikë dhe duke e marrë parasysh faktin se subjekti në të cilin bëj pjesë dallon thelbësisht nga subjektet tjera politike për nga koncepti, por poashtu edhe për nga organizimi, nuk ka qenë e lehtë madje herë- herë shumë e vështirë. Por mendoj që kur ka vullnet, guxim e përkushtim, gjërat bëhen më të lehta, më të përballueshme. Të jesh në një subjekt politik sikur Lëvizja VETËVENDOSJE!, është goxha sfidë për faktin se postin e deputetit as unë, por as kolegët tjerë, nuk e kemi konsideruar asnjëherë si privilegj, por si detyrë që duhet ta kryejmë me përgjegjësi madje deri në vetëmohim. Periudha më e vështirë ka qenë fundi i vitit 2015 dhe fillimi i vitit 2016, kur kemi bërë çmos vetëm e vetëm që mos t’i falet territori, Malit të Zi dhe të mos jetësohet marrëveshja që e bosnjëzon Kosovën  pra, ajo “Zajednicën”. Ka qenë periudhë e vështirë për shkak se në njërën anë kishim një Qeveri që me çdo kusht dëshironte t’i kalonte këto marrëveshje dhe në anën tjetër rezistenca jonë brenda dhe jashtë Kuvendit. Për shkak të kundërshtimit tonë  ndaj këtyre marrëveshjeve, jemi rrahur, arrestuar, bastisur e burgosur me qëllimin e vetëm, e që ishte frikësimi dhe zmbrapsja jonë, por jo, këto veprime të regjimit të Mustafës-Thaçit e Veselit, vetëm sa na forcuan.  Të jesh grua në politikë, është poashtu goxha e vështirë për shkak se ende tek ne mbretëron shoqëria patriarkale, ku gjysma e shoqërisë, pjesëmarrjen aktive në politikë e rezervojnë vetëm për burrat. Pavarësisht kësaj unë jam mundur t’i luftoj këto padrejtësi madje inkurajojë vajzat dhe gratë që të bëhen pjesë aktive e politikës sepse vetëm një angazhim i burrave dhe grave bashkë mund të sjellë një transformim të gjendjes aktuale.

Mund të na tregoni rreth punës së komisionit Parlamentar  për Legjislacion dhe Mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës Kundër  Korrupsion, gjatë kësaj kohe që ju jeni kryesuese e tij?

Në këtë legjislaturë, Komisionin për Legjislacion, e drejtoj unë. Është ndër komisionet e përhershme dhe më të rëndësishme që ka Kuvendi, për shkak se i njëjti shqyrton bazën kushtetuese të secilit projektligj dhe dokument që procedohet në Kuvend por poashtu bën edhe mbikëqyrjen e Agjensionit Kundër Korrupsionit, drafton rregulloren e Kuvendit po edhe merret me mandatet e deputeteve. Duke e marrë parasysh faktin që i njëjti përbëhet nga 11 anëtarë ku 8 prej tyre janë nga mazhoranca, kjo paraqet problem për të adresuar shumë çështje sepse bllokohem shpesh nga arbitrariteti i numrave të mazhorancës. Pengesa më e madhe vazhdon të mbetet hezitimi i anëtarëve të Komisionit nga radhët e PDK-së dhe LDK-së, që të kërkojmë llogari nga ministrat në Komision dhe sigurisht që kjo e vështirëson punën e Komisionit.

Aktualisht jemi duke u angazhuar më shumë në monitorim të legjislacionit në fushën e drejtësisë sepse Kosova nuk është që vuan nga mospasja e ligjeve, por nga moszbatueshmëria e atyre ligjeve në praktikë. Ajo çfarë mund të vlerësohet dhe e cila ka munguar deri më tani, është shtimi i bashkëpunimit me shoqërinë civile, organizatat që ndihmojnë punën e Komisionit, por edhe grupe tjera të interesit, pra çfarëdo çështje që e shqyrtojmë marrim edhe mendimin e tyre.

Poashtu, kemi në plan forcimin e bashkëpunimit dhe raportimit të Agjensionit Kundër Korrupsionit në Komisionin për Legjislacion.

Sipas jush ku qëndrojnë sfidat më të mëdha për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin në vend?

Mendoj që janë të paktën tri probleme se përse Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet më të korruptuara. E para, është mungesa e vullnetit politik, kapja e sistemit të drejtësisë, e cila pamundëson konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe arrestimin e peshqve të mëdhenj dhe, e dyta, ka të bëj me mungesën e pakos ligjore.

Nuk mund të kemi luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit, nga një Qeveri, njerëzit e së cilës kanë pasuri të dyshimtë. Mjafton të shohësh pasuritë e këtyre zyrtarëve për të kuptuar se sa shpejtë dhe sa shumë janë pasuruar dhe është e qartë që kjo nuk mund të bëhet pa keqpërdorur pozitën zyrtare.

A kemi infrastrukturën e duhur ligjore në këtë aspekt?

Mendoj që qëllimisht nuk është kompletuar pakoja ligjore kundër korrupsionit. Kosova për shkak të rrethanave, ka nevojë për nxjerrjen e ligjit për konfiskimin e pasurisë, apo ligjit për shqyrtimin e pasurisë së pajustifikueshme. Në strategjinë legjislative për vitin e kaluar, Qeveria, ka paraparë procedimin e këtij ligji në Kuvend, por ka dështuar të bëj diçka të tillë dhe kjo e dëshmon edhe njëherë atë se këta njerëz nuk janë të interesuar të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, por të bashkëjetojnë me të. Poashtu mendoj se vazhdon të mbetet problem, shumësia e institucioneve që janë krijuar kinse për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ne kemi nevojë për një institucion të fuqishëm përbrenda prokurorisë, që do të përbëhej nga prokurorë të profilizuar, të cilët do të merreshin vetëm me rastet e korrupsionit. Por poashtu mbështetja financiare për institucionet e drejtësisë është tejet e rëndësishme.

Mendoni se për të luftuar korrupsionin duhet të nxisim mjete transparente të përzgjedhjes në pozitat politike-administrative?

Para së gjithash dhe mbi të gjitha, Kosova ka nevojë për çlirim të institucioneve nga këta njerëz që janë pjesë e ekzekutivit. Aq keq është gjendja në secilin institucion saqë mjetet transparente janë thjesht të pamjaftueshme për të vendosur gjërat në binarë. Sot fatkeqësisht, prokurorët dhe gjyqtarët zgjedhen jo në bazë të meritave, por në bazë të afërsisë së tyre me pushtetin. Kjo më së miri është dëshmuar në aferën e përgjimeve Pronto 2, ku njerëzit e klanit Pronto, me telefon, zgjedhin se kush ku duhet të drejtojë Gjykatat dhe Prokuroritë. E vetmja mundësi se si të ndalet nepotizmi dhe partitizimi i institucioneve, bordeve, agjensioneve, është largimi i këtyre njerëzve të cilët janë përgjegjësit kryesorë se pse Kosova ka aq shumë probleme.

admin

Artikujt e tjetrë